Ndaloi mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, Kurtit i vjen përkrahje nga Amerika

Aktuale

Ndaloi mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, Kurtit i vjen përkrahje nga Amerika

Nga: A.ZH Më: 22 janar 2022 Në ora: 14:10
Seanca e parlamentit kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës 

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka shprehur përkrahjen e tij për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i cili ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

Ben-Meir ka thënë se qëndrimi i Kurtit është i saktë, pasi praktikat e kaluara për lejimin e referendumeve të Serbisë në Kosovë, nuk duhet të vazhdojnë, përcjell Bota sot.

"Besoj se qëndrimi i kryeministrit Kurti për çështjen e referendumit të Serbisë brenda Kosovës është i saktë. Siç tha ai, “Referendumi në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar nga një vend demokratik”. Edhe pse kjo ka qenë praktikë më parë, kjo nuk sugjeron se duhet të vazhdojë. Lejimi i qendrave të votimit në thelb sugjeron se pjesa e Kosovës e pushtuar kryesisht nga serbët është territor serb. Serbët që kanë shtetësi të dyfishtë, megjithatë, mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre duke “votuar me postë ose në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë”, siç tha Kurti, e cila është mënyra e duhur për t'u marrë me këtë çështje dhe duhet të kënaqë Serbinë duke përmbushur kushtet kushtetuese të Kosovës", ka shkruar eksperti amerikan në një postim në Facebook.

Ndryshe, serbët e Kosovës udhëtuan të dielën e kaluar për në qytetet jugore të Serbisë, për të votuar në referendumin lidhur me ndryshimet kushtetuese, pasi në Kosovë kjo iu pamundësua nga Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës, që kundërshtonte mbajtjen e votimeve në territorin e vendit tonë./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat