Diskutohet intensifikimi i bashkëpunimit të Prokurorit të Shtetit me institucionet italiane

Aktuale

Diskutohet intensifikimi i bashkëpunimit të Prokurorit të Shtetit me institucionet italiane

Më: 27 janar 2022 Në ora: 19:07
Pamje nga takimi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur në takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, i cili shoqërohej nga eksperti i Guardia di Financa-s, Giampiero Carrieri dhe eksperti i sigurisë, Enrico Gurnari.

Fillimisht, Kryeprokurori Lumezi, njoftoi Ambasadorin italian dhe ekspertët përkatës për punën, rezultatet dhe sfidat e Prokurorit të Shtetit në trajtimin e lëndëve penale.

Po ashtu, pjesë thelbësore e diskutimeve të përbashkëta ishte angazhimi i Prokurorit të Shtetit në forcimin e sundimin të ligjit, me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, sekuestrimin dhe ngrirjen e pasurisë së kundërligjshme, mbështetjen institucionale të investimeve të ndërsjella si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në çështjet e drejtësisë.

Në këtë kontekst, palët patën diskutime të frytshme për mundësinë e mbajtjes së trajnimeve të specializuara dhe vizitave studimore për prokurorët në fushën e hetimeve financiare, përkatësisht në trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, krimeve ekonomike dhe rastet e terrorizmit.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, falënderoi Ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, si dhe ekspertin e Guardia di Financa-s, Giampiero Carrieri dhe atë të sigurisë, Enrico Gurnari, për vizitën e zhvilluar në institucionin e Prokurorit të Shtetit, me ç’rast vlerësoi lart ndihmën dhe përkrahjen që Italia e ka dhënë dhe vazhdon ta japë në forma të ndryshme për konsolidimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Në fund, bashkëbiseduesit, vlerësuan takimin si mjaft të dobishëm, produktiv dhe konkret për intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.  

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat