Vetëm 50 të verbër të punësuar, kryetari i Shoqatës: Jemi të arsimuar por paragjykohemi

Aktuale

Vetëm 50 të verbër të punësuar, kryetari i Shoqatës: Jemi të arsimuar por paragjykohemi

Më: 29 janar 2022 Në ora: 13:55
Daut Tishuki

Punësimi mbetet brenga më e madhe që kanë personat e verbër. Përkundër se një numër i konsiderueshëm i tyre janë edhe të shkolluar ata ende paragjykohen. Kështu thotë kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, që shton se nga të dhënat që posedojnë vetëm 50 persona të verbër janë në marrëdhënie pune nga 2500 sa numëron kjo kategori në të gjithë vendin.

Duke përmendur vështirësitë që hasin në jetën e përditshme, Tishuki theksoi edhe mungesën e pajisjeve ndihmësetë asistuar për personat e verbër si dhe kushtet.

Tishuki: Vetëm 50 të punësuar nga 2500 të verbër

“Sipas shënimeve që kemi, janë 50 persona të verbër të punësuar nga këta 2 mijë e 500 persona, kemi persona të verbër që e kanë kryer edhe arsimimin e lartë dhe kanë edhe grada shkencore, por punësimi është shumë sfidë e madhe që të vijmë deri tek punësimi i personave të verbër. Do të doja t’i numëroj edhe kushtet që janë, paragjykimet që ende ekzistojnë, edhe e dyta është mungesa e pajisjeve ndihmëse, sidomos të pajisjeve ndihmëse të asistuar për personat e verbër, dhe në këtë është si prioritet yni që të lobojmë vazhdimisht për sintezën fokale të gjuhës shqipe, që gjuha shqipe ende nuk është e sintetizuar, për çka të verbrit në Kosovë u a pamundëson shfrytëzimin e teknologjisë informative që ka shkuar shumë larg”, potencoi ai.

Tishuki, në një intervistë për KosovaPress, thotë se pikërisht punësimi i personave të verbër mbetet një nga çështjet për të cilin në vazhdimësi janë duke e ngritur zërin.

Tishuki: Shoqata e të Verbërve të Kosovës ka të regjistruar mbi 1 mijë persona

“Shoqata e të Verbërve të Kosovës aktivitetet e saj i ka sipas planit strategjik në katër fusha, në avokim, lobim për përmirësimin e jetës së personave të verbër, si dhe në avokimin rreth legjislacionit, përmirësimin e legjislacionit, dhe zbatueshmërinë e legjislacionit aktual, arsimimi i personave të verbër, dhe punësimi i personave të verbër. Por gjithashtu temë kryesore është se ne ofrojmë edhe shërbime specifike apo shërbime sociale për personat e verbër që shteti deri më tash nuk i ofron këto shërbime”, vijoi Tishuki.

Ky vit është shpallur nga Qeveria e Kosovës si vit i personave me aftësi të kufizuar dhe kjo sipas Tishukit mund të jetë një nisje e duhur për të zgjidhur disa prej problemeve që kanë.

Tishuki: Shoqata financohet në kuadër të projekteve

“Shoqata ka partneritet me shoqata të tjera të aftësisë së kufizuar, jemi në partneritet në implementim të një projekti që quhet ‘Kosova gjithëpërfshirëse’, ku në kuadër të këtij kemi lobuar në vitin e kaluar edhe tek qeveria edhe tek ministritë e ndryshme të shpallet ky vit si vit i personave me aftësi të kufizuar, gjithashtu bashkë me ministri të caktuara e kemi hartuar edhe kalendarin e aktiviteteve për këtë vit të aftësisë së kufizuar, i cili kalendar u aprovua nga qeveria dhe u shpall viti 2022 vit i personave me aftësi të kufizuar, me çka mendojmë nëse realizohet kalendari i aktiviteteve, aftësia e kufizuar merr një drejtim të zgjidhjes së problemeve”, thotë ai.

Shoqata e të Verbërve të Kosovës mbulon të gjithë territorin e Kosovës përmes 13 degëve të saj. Në Kosovë janë 2 mijë e 500 persona të verbër, kurse të anëtarësuar tek kjo shoqatë janë mbi 1 mijë të verbër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat