Ecobar dhe Lajçak duan marrëveshje Kosovë – Serbi brenda vitit

Aktuale

Ecobar dhe Lajçak duan marrëveshje Kosovë – Serbi brenda vitit

Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 16:51
Gabriel Escobar, Miroslav Lajçak

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, po kërkojnë që marrëveshja me Serbinë të arrihet brenda këtij viti.

Mesazhet janë dhënë nga Gabriel Escobar Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë dhe Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi dhe Çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor Miroslav Lajçak.

Qëndrimi i tyre i është dhënë presidentes, Vjosa Osmani, kryeministrit, Albin Kurti dhe tre kerëve të opozitës.

Ndërmjetësuesit në dialog kanë premtuar në këto takime se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, e as prishje të rendit kushtetues me anë të themelimit të ndonjë asociacioni me kompeteca ekzekutive.

“Mesazhi ka qenë i qartë – nuk do të ketë ndarje, as jofuksionalizim kushtetues”, ka thënë një burim brenda takimeve.

“Emisarët kanë treguar se ata duan që brenda këtij viti të arrihet marrëveshja me Serbinë”.

Në këto takime është folur për një asociacion të komunave me shumicë serbe i cili nuk prek në asnjë pikë Kushtetutën.

Është sqaruar se në kuadër të marrëveshjes të drejtat e serbëve që dalin nga Pakoja e ish-presidentit, Marti Ahtisari, të paketohen në një asociacion me qëllim që të kënaqet edhe pala serbe dhe atë ta paraqes atje si fitore.

Që nga korriku i viti i kaluar përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë nuk kanë zhvilluar bisedime në nivel të lartë. Dhe si shkak i kësaj bllokade është parë çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Formimi i këtij asociacioni është paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2013.

Kryeministri i Kosovës në Qershor të vitit të kaluar pati deklaruar se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

Serbia, në anën tjetër, insiston që në kuadër të dialogut, të bisedohet për Asociacionin, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër – gjë të cilën Kosova nuk e pranon.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka nisur në vitin 2011 dhe deri më tash janë arritur 23 marrëveshje në nivel teknik dhe politik, por jo të gjitha prej tyre zbatohen në terren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat