Ministri Mehaj reagon kundër lajmit të rrejshëm të Baton Haxhiut

Aktuale

Ministri Mehaj reagon kundër lajmit të rrejshëm të Baton Haxhiut

Më: 8 shkurt 2022 Në ora: 15:37
Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i ka reaguar portalit të Baton Haxhiut pas publikimit të lajmit se qindra ushtarë të FSK-së po aplikojnë për viza pune në ambasadën e Gjermanisë.

Në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes shkruhet se ky lajm është njëlloj sikurse lajmi i publikuar rreth një muaj më parë në të njëjtin portal rreth largimit të forcave amerikane nga Bondsteel.

“Ky lajm, sikur edhe ai i datës 13 janar 2022, i të njëjtit medium, për gjoja largimin e forcave amerikane nga Bondsteel-i, i cili u demantua edhe nga vet autoritetet zyrtare të Ambasadës Amerikane në Kosovë, duke u cilësuar nga ta edhe si lajm i rremë i modelit dezinformues rus, është trillim i plotë, propagandë qëllimkeqe, dezinformatë si dhe shkrim tendencioz dhe i pavërtetë”, shkruhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Tutje ministria në reagimin e tyre shkruan se ministri Mehaj realizon takime të rregullta me ambasadorin gjerman, Jorn Rohde, mirëpo në asnjërin prej tyre nuk ka qenë temë diskutimi aplikimi i pjesëtareve të FSK-së për viza.

“Dezinformata se, kinse, tema e aplikimit për viza e pjesëtarëve të FSK-së, ka qenë temë diskutimi në takimin e tyre, është absurde, plotësisht e pavërtetë, dhe ka për qëllim dezinformimin dhe shkaktimin e konfuzionit të opinionit, qytetarëve dhe aleatëve tanë.

“Gjithashtu, gënjeshtra për gjoja aplikimin për vizë të qindra pjesëtarëve të FSK-së në Ambasadën Gjermane, ka qëllim për të paraqitur rrejshëm, një situatë shqetësuese dhe gjoja nivel të lartë demotivimi në radhët e pjesëtarëve të FSK-së”, shkruhet tutje në reagim.

Krejt në fund të reagimit shkruhet se preokupimi kryesor i Ministrisë së Mbrojtjes është rritja e pagave si dhe përmirësimi i kushteve të arsimimit, stërvitjeve, akomodimit, transportit, ushqimit, si dhe përkujdesjes dhe sigurimeve shëndetësore në FSK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat