Vajza e Jakup Krasniqit i reagon Vedatit të Stupcave: Kjo video është turpi më i madh që dikush mund të na dhuronte për pavarësi

Aktuale

Vajza e Jakup Krasniqit i reagon Vedatit të Stupcave: Kjo video është turpi më i madh që dikush mund të na dhuronte për pavarësi

Nga: M.L. Më: 20 shkurt 2022 Në ora: 22:45
Jakup Krasniqi dhe vajza e tij, foto e para shumë vitece

Gresa Krasniqi, vajza e ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nëpërmjet një letre të gjatë në Facebook, i ka reaguar aktorit të humorit, Vedat Bajrami pas videos së këtij të fundit, që u cilësua si solidarizuese me ish-komandantët e UÇK-së që aktualisht janë në paraburgim në Hagë.

Gresa Krasniqi së bashku me familjen e saj, kanë shprehur revoltën për videon ku Vedati emiton ish kryetarin e Kuvendit dhe ish zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Ajo i ka thënë Vedatit që as në imitimet e mëparshme e edhe më hiç në këtë të fundit, s`ka arritur të emitojë Jakup Krasniqin.

“Ke një milion forma për të treguar mirënjohjen dhe mbështetjen tënde ndaj secilës figurë çlirimtare, ajo video me ato pamje do të duhej të ishin të fundit”, thuhet mes tjerash në letrën e Gresa Krasniqit.

Video e publikuar nga Vedat Bajrami:

 
Urime Pavarësia, t’fala nga Haga!

Urime Pavarësia, t’fala nga Haga!

Posted by Vedat Bajrami on Saturday, February 19, 2022

 

Letra e plotë e publikuar nga Gresa Krasniqi në Facebook:

Vedat, ajo video gjithçka mund të jetë tjetër përveç art e humor.

Vedat, je arsyeja numër një pse asnjëherë s'më ka pëlqyer humori kosovar, kjo për faktin se qysh në shkollën fillore, të mesme e besa edhe në fakultet jemi bullizuar si pasojë e humorit tënd të pashije.

Figurat historike është vështirë të imitohen, duhen shkathtësi të veçanta të cilat ti nuk i ke.

As në imitimet e mëparshme e hiç se hiç në këtë të fundit, as për së afërmi s`ke arritur të imitosh Jakup Krasniqin. Kjo sepse babi ka vlera aq të larta njerëzore të cilat për ty e shumëkënd janë të paarritshme, e shumë herë edhe të pabesueshme. Prandaj në çdo imitim të babit ti çdo herë dështon.

Nëse përmes asaj videoje ke dashur të shprehesh mirënjohjen tënde për figurën e Jakup Krasniqit dhe solidarizim për të burgosurit në Hagë, më lejo të tregoj që është huqje totale.

Më shumë se huqje, është një skandal.

Ke një milion forma për të treguar mirënjohjen dhe mbështetjen tënde ndaj secilës figurë çlirimtare, ajo video me ato pamje do të duhej të ishin të fundit.

Ato imazhe janë turpi më i madh që një qytetar i Kosovës mund të bëjë për një njeri që sakrifikoi vitet më të mira të jetës, prandaj për ne është e papranueshme që sot pseudokomedian të tillë nga rehatia e shtëpisë së tyre të thellojnë plagët tona.

Nuk dua mirëkuptim, nuk dua keqardhje as mëshirë nga mosmirënjohësit dhe ata që përbuzën vlerat më të larta të shoqërisë.

Nuk kërkoj keqardhje, nëse nuk mund të bashkëndjeni me ne atëhëre më mirë na injoroni siç bëjnë politikanët por assesi nuk lejojmë të thelloni dhimbjen tonë.

Më lejo Vedat të tregoj se Jakup Krasniqi luftën për çlirim dhe shtet-ndërtim nuk e bëri për falënderime në foltore të parlamentit, e aq më pak për kujtime të tilla poshtëruese si kjo e jotja, por e bëri sepse nuk duronte shtypjen e popullit të tij.

Më lejo të tregoj që nuk është përbuzje me qenë mësues, madje as mësues fshati siç ju tentoni të godisni këtë profesion fisnik, por babi më shumë se mësues, ishte rilindas i kombit.

Ato pamje janë të ulta, por më i ulët jeni ju.

Me humor pashije, pa sens dhe aspak njerëzor ti s`mund të paraqitesh asgjë të mirë a njerëzore.

Unë jam krenare që babi im pati guximin të luftoj pushtuesin më të egër të shqiptarëve.

Jam krenare që babi im pati guxim të luftojë, të çlirojë Kosovën dhe të formoj shtetin e republikën e Kosovës.

Kjo video është turpi më i madh që dikush mund të na dhuronte për pavarësi. Kjo video nuk arsyetohet dhe kërkim falja nuk pranohet.

Mendoj që arsyeja e vetme pse babi është protagonist i vetëm në atë video është mungesa e guximit për të përfshirë edhe çlirimtarët tjerë, e kjo të bënë shumëfish më të ligë.

Nëse qëllimi yt ka qenë përfitimi personal, ndjej keqardhje për ty.

P.S. Me keqardhje sot e pranoj se ka shumë “shqiptarë” që do të donin ta shihnin babin të thyer moralisht e shpirtërisht, e di, do të ju zhgënjej kur t'ju tregoj sa i fortë qëndron babi dhe sa i buzëqeshur është çdo ditë.

Lirinë mund t'ia mohojnë, por kurrë meritat e tij për bërjen e shtetit të Kosovës.

Babi është i fortë e ju vazhdoni të mbesni njerëz të ligë.

Me mos-respektin më të madh,

Familja e Jakup Krasniqit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat