Melihate Tërmkolli rreth luftës në Ukrainë: Politika jonë ka një mundësi unike për të ndërmarrë këto veprime

Aktuale

Melihate Tërmkolli rreth luftës në Ukrainë: Politika jonë ka një mundësi unike për të ndërmarrë këto veprime

Nga: M.L. Më: 3 mars 2022 Në ora: 10:18
Melihate Tërmkolli

Ish deputetja e Kuvendit të Kosovës, Melihate Tërmkolli konsideron se situata e krijuar me pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe ndryshimet e mëdha që ka sjellë e do të sjellë, imponon veprime karshi këtyre zhvillimeve përfshirë në radhë të parë evitimin e pasojave të mundshme për Kosovën dhe rajonin.

Në një postim në Facebook ajo ka thënë se për përfaqësuesit politik në Kosovë është një mundësi unike për t`i ndërmarr disa veprime duke nisur nga anëtarësimi në NATO, BE dhe struktura të tjera ndërkombëtare.

Postimi i plotë:

Mendësi “lokale”, në “krizë” globale

Situata e krijuar me pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe ndryshimet e mëdha që ka sjellë e do të sjellë kjo situatë imponojnë veprime karshi këtyre zhvillimeve përfshirë në radhë të parë evitimin e pasojave të mundshme për Kosovën dhe rajonin.

Politika jonë ka një mundësi unike për të ndërmarrë këto veprime.

Aplikimi zyrtar për anëtarësim në NATO.

Aplikimi zyrtar për anëtarësim në BE, në Këshillin e Evropës etj. dhe insistim për anëtarësimin e shpejtë dhe të përnjëhershëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE që do ta ndryshonte rrënjësisht gjendjen dhe raportet në rajon. BE-ja ka përvojë të tillë me pranimin në “pako” të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore.

Përsëritje e ripërsëritje e kërkesave zyrtare për njohjen e Kosovës, vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur shtetin tonë dhe punë njëzet e katër orë në këtë drejtim.

Aktivizim i plotë i diplomacisë dhe gjithë struktuarave shtetërore në këtë funksion, në punë e kontakte intensive me përfaqësues respektiv të SHBA-së e BE-së.

Forcimi institucional i mekanizmave të sigurisë, kapaciteteve dhe shtrirjes së aktivitetit të tyre.

Me urgjencë, pranimi i Projektit amerikan të gazsjellësit.

Propozim institucioneve ndërkombëtare, SHBA-ve dhe BE-së për vendosjen e sanksioneve edhe Serbisë si shteti i vetëm në Evropë, përkrahëse e Rusisë dhe rrezik potencial për Kosovën e rajonin.

Takime me udhëheqjen e Shqipërisë për bashkëpunim e bashëkrendim të aktiviteteve të sigurisë e stabilitetit në bashkëpunim të plotë me NATO-n. Thellim i bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi e Kroacinë.

Kërkesë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për largimin nga “Open Balkan” si projekt i kamufluar ruso-serb për kontroll në këtë pjesë të Evropës.

Ofrimi i ndihmës, qoftë edhe simbolike për ukrainasit, humanitare, mjekësore etj.

Është moment historik kthese dhe mundësi e madhe për të realizuar interesa të vendit. Ukraina, në gjendje lufte, e paraqiti kërkesën dhe e fitoi statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Shteti funksionon me veprime, akte e sjellje zyrtare që sjellin dobi për vendin e qytetarët.

dhe paragjykimet që i vëmë vetes rreth aplikimit në NATO e BE, të shtuara sidomos këto ditë me arsyetime se nuk mund të pranohemi, se duhen procedura e procedura etj, janë të papranueshme dhe pjesë e mentalitetit të “robit”. Nëse ka pengesa, i paraqesin mekanizmat e NATO-s apo BE-së. E jona është të punojmë dhe të insistojmë me tërë fuqinë politike që kemi, për anëtarësim.

Në emër të diplomacisë, takimet dhe vizitat në “margjina” të samiteve e ligjëratat mund t’i lëmë për kohë tjera. Shteti nuk funksionon me logjikë të OJQ-ve.

Larg euforisë facebook-iane! Larg improvizimeve! Jemi shtet!

#MT

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat