AKP-ja rikthen në punë dy zyrtarët e lidhur me grupin e Azem Sylës/ “Shpërblehen” me afër 300 mijë euro

Aktuale

AKP-ja rikthen në punë dy zyrtarët e lidhur me grupin e Azem Sylës/ “Shpërblehen” me afër 300 mijë euro

Më: 4 mars 2022 Në ora: 14:52
Azem Syla

Dy zyrtarë të AKP-së që nuk u gjykuan asnjëherë për korrupsion në rastin ku dyshohet se u përvetësuan 36 milionë euro nga tokat e shtetit, janë rikthyer në vendet e tyre të punës.

Dy punonjës të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), të cilët një prokuror italian i EULEX-it i kishte implikuar në tjetërsimin e paligjshëm të mbi 36 hektarëve tokë të shtetit, janë rikthyer në punë.

Reshat Fetahu, shef i Departamentit Ligjor dhe vartësi i tij, Gani Ademi, këshilltar ligjor në të njëjtin departament të AKP-së, u akuzuan nga prokurori Danilo Ceccerelli për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” në rastin e njohur si “Toka 2”.

Sipas aktakuzës, Fetahu dhe Ademi ishin vënë në shërbim të dy biznesmenëve Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emërllahu, dy të akuzuarve tjerë, të cilët dyshohet se me anë të mashtrimeve blenë tokat e shtetit në Çagllavicë me çmime dhjetëfish më të ulëta sesa vlera reale e arit.

Rreth gjashtë vjet pas ngritjes së akuzave, dy zyrtarët e AKP-së nuk janë gjykuar asnjëherë për shkeljet për të cilat u ndoqën nga Prokuroria. Lënda ndaj tyre ka arritur parashkrim absolut në muajin nëntor të vitit të kaluar, për shkak të mungesës së shqyrtimit të lëndës në gjykatë.

Pavarësisht prej mungesës së gjykimit mbi akuzat për përfshirje në krimin e pretenduar me tokën shtetërore, Fetahu dhe Ademi janë rikthyer në vendet e tyre të punës së Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Një muaj pas parashkrimit të lëndës në gjykatë, me një vendim të veçantë, AKP-ja riktheu në punë dy të dyshuarit. Vendimi i menaxhmentit të AKP-së u nxor më 16 dhjetor, 2021, konfirmoi Zyra për Media e agjencisë.

“Për shkak të Parashkrimin absolut për dy rastet që kanë qenë në procedurë gjyqësore dhe ndalesë prej 50% të pagës bruto, AKP ka nxjerr vendim me datën 14 dhjetor 2021, duke u bazuar në nenin 58 paragrafi 1 të Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publik, nenin 69 paragrafi 3 i Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, paragrafi 1 i nenit 53 të Ligjit për Procedurën Administrative 05/L-031, Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PKR.nr. 130/16 të datës 08.11.202, nenin 11 paragrafi 4 dhe nenin 16 paragrafi 3 të Ligjit Nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

I përfshirë në rastin “Toka”, është edhe Azem Syla, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës. Në aktakuzën e ngritur për rastin “Toka 2”, të bashkëakuzuar me dy punonjësit e AKP-së, ishte edhe Arton Vila, shoferi i Azem Sylës. Ai akuzohej për shpërlarje parash.

“Shpërblehen” me afër 300 mijë euro

Si pasojë e suspendimit nga detyra më 19 shtator të 2014-s, shefi i Departamentit Ligjor të AKP-së dhe vartësi i tij, të ndjekur penalisht për rastin “Toka”, ishin paguar me 50 për qind të pagës së tyre.

Ishte kjo një nga masat pezulluese të ndërmarra nga agjencia kundrejt dy punonjësve të saj që pritej të gjykoheshin për korrupsion.

Por, përveç se u rikthyen në vendet e tyre të punës, Reshat Fetahu dhe Gani Ademi përfituan pagat e plota që nuk i kishin marrë derisa pritej gjykimi i tyre për rastin “Toka 2”.

Afër 300 mijë euro të AKP-së kanë kaluar në xhirollogaritë e dy punonjësve të dyshuar për përfshirje në dallaveret me tokat e shtetit, në formë kompensimi për gjysmën e pagave mujore që nuk i morën për gati gjashtë vite.

Sipas konfirmimit të AKP-së, zyrtari Reshat Fetahu përfitoi dëmshpërblim në vlerë prej 178,000.00 euro, ndërkaq Gani Ademi në vlerë prej 98,042.00 euro.

AKP-ja, në një përgjigje me shkrim për Paparacin, është arsyetuar se vendimin për shpërblimin e Fetahut dhe Ademit e ka bazuar në Ligjin për Shërbimin Civil.

“AKP-ja ka ndërmarr të gjitha veprimet në përputhje më paragrafin 3 të nenit 69 “Pezullimi Parandalues” të Ligjit nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil për kthimin në vendin e mëparshëm të punës dhe për pagesë të 50% të pagës të masës së pezullimit parandalues gjatë tërë kohës sa zyrtarët AKP-së R.H. dhe G.A. kanë qenë të pezulluar nga pozitat e tyre të respektivisht si Drejtor i Departamentit Ligjor dhe Kryesues i Njësisë për Përfaqësime Ligjore nga data 19 shtator 2014 e deri më datën 14 dhjetor 2021”, thuhet në përgjigje.

Agjencia, e cila udhëhiqet nga Avni Jashari, ushtrues i detyrës së drejtorit menaxhues, ka thënë se vendimi për rikthimin në punë dhe pagesat për pagat mujore të Fetahut dhe Ademit ndërlidhen ekskluzivisht me pushimin e lëndës në gjykatë ndaj dy punonjësve.

Një hektar në Çagllavicë u shit për 360 euro

Mbi 36 hektarë tokë të shtetit ishin tjetërsuar në mënyrë të dyshimtë.

Këto toka që shtrihen në Çagllavicë, pasi janë përvetësuar me anë të mashtrimeve dhe vendimeve të kundërligjshme gjyqësore, janë blerë nga pronarë të rinj me çmime që shkojnë nga 36 cent deri në 10 euro për metër katrorë.

Çmimi më i lartë për një arë truall ka shkuar deri në 1 mijië euro, derisa çmimet reale në atë pjesë sillen nga 10 mijë deri në 20 mijë euro për një arë.

Kështu pretendonte një aktakuzë e ngritur më 2016 nga ish-prokurori i EULEX-it, Danilo Ceccerelli.

Në këtë çështje penale, ishin akuzuar për krim të organizuar biznismenët Dukagjin Emërllahu e Mehmet Prishtina.

Lidhur me këtë rast në vitin 2016 është mbajtur mundësia hetuese e veçantë, ndaj gjithsej 51 të dyshuarve lidhur me këto dallavere, ndër ta edhe ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Pas këtij hetimi, prokurori i EULEX-it, kishte ngritur dy aktakuza, njëra e njohur tani si rasti “Toka”, në të cilën akuzohet Azem Syla dhe të tjerët, kurse në tjetrën akuzoheshin 24 persona, që njihej si rasti “Toka 2”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat