Abdixhiku përkujton sakrificën sublime të Familjes Jashari

Aktuale

Abdixhiku përkujton sakrificën sublime të Familjes Jashari

Më: 5 mars 2022 Në ora: 15:25
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka përkujtuar 24-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) duke thënë se data 5, 6 dhe 7 marsi i 1998’ës shënojnë ngjarjen kulminante në luftën e Kosovës për liri.

“Datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim; sakrificën sublime të Familjes Jashari e me këtë dhe fillimin e fundit të përpjekjes sonë shekullore për liri. Flijimi i familjes Jashari në altarin e lirisë, ishte sakrificë ultime e gdhendur në mendjen e mësuesit Shaban Jasharit, të Komandantit legjendar Adem Jashari e të Hamëz Jasharit.

Ata zgjodhëm lirinë prandaj dhe morrën përjetësinë. Rënia heroike e tyre, përballë forcave ushtarake e paraushtarake të Serbisë, ishte kushtrim për një popull të tërë. Ishte këmbanë për luftën dhe përpjekjen tonë kolektive drejt lirisë, e për aleancat e ardhshme që do të rreshtoheshin me idealin e tyre e tonin pa dallim.

Sot, në këtë 24 vjetor të Epopesë së UÇK-së, ne i kujtojmë me nder e krenari, fëmijët, gratë dhe burrat më të mirë të kombit që sakrifikuan jetën për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot.

Është obligim i secilit nga ne që të punojmë fort çdo ditë e më shumë në forcimin dhe avancimin e shtetit tonë, sepse vetëm kështu i nderojmë dhe e dërgojmë në vend amanetin e të rënëve të Familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës. Lavdi e përjetshme për Familjen Jashari!”, citohet Abdixhiku në komunikatën e lëshaur nga LDK. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat