Debat i nxehtë në Kuvend, deputetët nuk e miratojnë projektligjin për kodin civil, miratohet ai për Qeverinë

Aktuale

Debat i nxehtë në Kuvend, deputetët nuk e miratojnë projektligjin për kodin civil, miratohet ai për Qeverinë

Më: 16 mars 2022 Në ora: 06:59
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 18:50) - Miratohet në parim projektligji për qeverinë

Me 71 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në parim projektligji për qeverinë.

Pozitë e opozitë e kanë përkrahur këtë projektligj, mirëpo partitë që nuk janë në pushtet kanë deklaruar se do të duhet të ndërhyjnë në disa pika për lexim të dytë.

 

Kryeministri Albin Kurti tha se Ligji për Qeverinë, të duhej të parashihte edhe numrin e ministrive dhe normativën e përcaktuar në këtë aspekt.

Kurti: Nevoja për një projektligj të këtillë nuk do sqarim

“Nevoja për një projektligj të këtillë nuk do sqarim. Megjithatë, sot për herë të parë prezantohet projektligji për qeverinë para Kuvendit të Republikës së Kosovës. Deri më tani, puna e qeverisë ishte e rregulluar me akte nënligjore duke lejuar kësisoj hapësirë për intervenime më të lehta në funksionimin dhe përgjegjësinë e qeverisë. Përshtatshmëria e aktit me kërkesë të qeverisë tani më zëvendësohet me përshtatjen e punës së kabinetit qeveritar ndaj normave ligjore, të cilat parashohin mandatin, kompetencat dhe përgjegjësitë e qeverisë”, tha ai.

***

Kuvendi i Kosovës, dështoi të kalojë në lexim të parë Projektkodin Civil.

Në momentin e votimit në sallë ishin të pranishëm 77 deputetë, por 16 prej tyre nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës (shumica, deputetë të LDK-së).

Nga 61 deputetët që morën pjesë në votim, 28 deputetë kanë votuar pro, 29 kundër dhe 4 deputetë kanë abstenuar.

Gjyshinca për Kodin Civil: Nuk kam votë kundër qeverisë Kurti, abstenoj në këtë rast

Deputeti i Vetëvendosjes Gazmend Gjyshinca, ka dhënë qëndrimin e tij në lidhje me Projektkodin Civil.

Gjyshinca thotë se debati nuk do të duhej të ishte mes konservatorëve dhe liberalëve por për të ardhmen e kësaj shoqërie.

Gjyshinca ka thënë se nuk ka votë kundër qeverisë Kurti, por do të abstenojë në lidhje më këtë ligj.

“Asnjë ligj nuk do të duhej të kontestohej nga shoqëria. Prandaj unë sot abstenoj. Unë nuk kam votë kundër qeverisë Kurti. I kam besuar vizionit të saj dhe programit të saj që në fillim. Konsideroj se po e bën punën e duhur. Mbështetur në këtë edhe duke e njohur rëndësinë e Projektkodit Civil, edhe duke e njohur punën e mirë që është bërë në këtë kod, edhe duke e ditur që nuk ka shtet pa kod civil, nuk votoj kundër këtij kodi. Pa marrë parasysh cila është kostoja, unë jam këtu për ta thënë këtë ballëhapur”, ka thënë Gjyshinca.

Ai tha se është duke u folur për njeriun në radhë të parë, andaj duhet të kenë ndjeshmëri njerëzore.

“Kur flasim për gjini të njëjta, po flasim për njerëz, duhet të kemi ndjeshmërinë njerëzore. Ma gjeni një besim fetar, i cili nuk e qendërzon shenjtërinë e dinjitetin e njeriut”, ka shtuar ai.

Kollçaku kritikon kolegët deputetë: Pse s’po dënohen edhe martesat e burrit me 7 gra e incesti

Deputetja e VV’së, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku ka kritikuar zërat e kolegëve të saj deputetë në Kuvend që martesat mes gjinisë së njëjtë po i quajnë të dëmshme për shëndetin, degjeneruese etj,.

“Sëmundjet nuk vijnë nga martesat e gjinisë së njëjtë, por nga jo mbrojtja e të tjerat’’, ka thënë ajo.

“Mos përdorni argumente të paqëndrueshme. Po flaism për rritjen e një fëmije, dije që sot një nënë mund ta rrisë fëmijën. Më vjen keq, mund të flasim në aspektin e traditave etj. etj., por duhet me i dënu edhe martesat e burrit me 7 gra, incestin etj. Këto thirrje, kjo është për mu shkelje. Rregullimi i një raporti ekzistues mos mendoni që do ta trasojmë rugën që njerëzit ta marrin atë anë apo atë anë”, ka thënë deputetja e VV’së.

Më tutje , deputetja e VV-së ka aluduar se edhe brenda sallës së Kuvendit ka persona që janë në petkun e personave që kanë marrëdhënie homoseksuale apo heteroseksuale.

“Edhe në këtë sallë këtu siç u kam thënë shumë më herët, mos mendoni që dikush nuk është nën petkun eventual për të cilin ne sot po flasim por është preferuar që të mbahet sekret. Sot ka njerëz të guximshëm dhe kanë dal hapur”, tha ajo.

Deputeti i VV-së i kërkon Albulena Haxhiut që ta tërheqë nga Kuvendi projekt-Kodin Civil

Deputeti i VV’së, Eman Rrahmani propozoi që Kodi i ri Civil i cili do t’i hapte rrugë martesave mes personave të së njëjtës gjini të mos hedhet në votim sot në Kuvend.

“E kisha lutë ministren e Drejtësisë shumë sinqerisht që ta tërheq këtë projektkod sot, t’i largojë këto dy pika dhe të vije pa këto dy pika”, tha ai.

Duke konkluduar se shumë deputetë janë kundër, Rrahmani propozoi që çështja e të drejtave të komunitetit LGBT+ të trajtohet më vonë në një ligj të veçantë, kur edhe atëherë, tha se ai do të jetë kundër.

“Unë edhe atëherë do të jem kundër… Kjo nuk ka të bëjë me vullnetin tim, me angazhimin tim politik, me atë për çfarë jam unë këtu”, tha ai.

Kokaj - deputetëve: S’mi paskeni dëgju ligjëratat e mija

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, ka shprehur dëshpërimin e tij që deputetët s’ja kanë dëgjuar ligjëratat e tij.

Ai këtë koment e ka bërë gjatë deklarimit të tij të sotëm në Kuvendin e Kosovës.

“Asnjeri nga ju si kanë dëgjuar ligjëratat e mija në këto 10 vitet e fundit”.

Por Kokaj ishte ngutur meqë ndërkohë një nga Parlamenti i Kosovës u lajmërua dikush që ia kishte dëgjuar ligjëratat fizikantit të VV-së. 

Çfarë po bisedojnë Kurti e Haxhiu me Konjufcën?

Kryeministri Albin Kurti ka pasur një bisedë me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën pak para largimit nga seanca.

Bisedës me Konjufcën iu bashkua edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

​Konjufca i reagon deputetes së LVV-së: Këto terme janë të padrejta

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezi tha se është kundër projekt-kodit civil, e cila lejon bashkësinë e regjistruar civile mes personave të gjinisë së njëjtë.

Sipas saj, çdo lidhje jashtë kombinimit të gjinive të kundërta konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral. Për këtë ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se terme të tilla janë të padrejta.

Në seancën ku po trajtohet projekt-kodi civil, deputetja Labinotë Demi-Murtezi tha se një nga arsyet që kundërshton një gjë të tillë është mbrojtja e moralit publik.

Demi-Murtezi: Çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje

“Arsyeja e parë për të cilën mendoj se është më mirë që të mos parashihet në kod martesa apo bashkësia e regjistruar civile mes personave të gjinisë së njëjtë është mbrojtja e moralit publik. Secili shtet flet për vete se cili është standardi i moralit shoqëror në atë shtet. Standardi i moralit shoqëror në vendin tonë e dikton si të pranueshme vetëm martesën ndërmjet mes gjinive të kundërta. Çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral”, ka deklaruar ajo.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka kërkuar që të mos përdoret ky diskurs, duke thënë se terma të tilla janë të padrejtë.

Konjufca: Unë mendoj që janë të padrejta dhe jam kundër këtij diskursi

“Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë të mbrojtur prej diskriminimit dhe prej paragjykimeve. Prandaj mendoj që nëse në diskursin tonë për njerëz të cilët kanë orientime të ndryshme seksuale ndaj nesh, përdorim terma si ‘shthurje’, ‘degjenerim moral’ dhe ‘sëmundje’, unë mendoj që janë të padrejta dhe jam kundër këtij diskursi”, tha Konjufca.

Time Kadrijaj ka këtë pyetje për kryeministrin Kurti

Deputetja e AAK’së, Time Kadrijaj në fjalën e saj në Kuvend për Projekt Kodin Civil ka deklaruar se si parti janë kundër, mirëpo iu ka drejtuar kryeministrit Albin Kurti pse s’ka koordinim me deputetët e VV’së për ta votuar atë.

‘’Ne si AAK jemi e etmja parti që prej fillimit jemi deklaru se vota jopnë do të jetojë Jo. Shumë mirë, sot vet na e prezantuat një projektligj’’.

‘’Kryeministër, është praktikë që kur është një projektligj i një rëndësie të tillë, sapo u deklaruat se jeni shefi i Grupit më të madh Parlamentar dhe e keni një shumicë absolute. Unë s’po e kuptoj ju a nuk bashkëpunoni si Qeveri me grupin e juaj parlamentar? Sepse po shoh kundërthëni. Apo vec formalisht po dilni si Qeveri me thënë se jeni për këtë Projektligj. Ndërsa po i shohim kundërshtimet nga grupi i juaj parlamentar. Ju është dashtë sot si GP me u mbledh dhe me i qartësu vendimet. E ke shumicën . Vootne, nuk kemi çka me debatu.’’ shtoi ajo.

‘’Deri më sot GP juaju asnjëherë nuk ka vepruare kundër veprimeve e vendimeve të qeverisë. Spo e kuptoj pse nuk jeni marr me GP tuaj", tha ajo.

​Meta kundërshton martesat mes gjinisë së njëjtë, i reagon kryeparlamentari Konjufca

Deputeti i pushtetit nga “Lista Guxo”, Burim Meta ka shprehur kundërshtimin e tij për afirmimin e martesave mes gjinisë së njëjtë. Sipas tij, fëmijët që nga prindërit e gjinisë së njëjtë do të mund të jetë agresiv dhe të dhunshëm. Për këtë ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili ka kërkuar që të përmbahet nga këto forma gjykimesh dhe të pandershme.

Në seancën plenare ku po diskutohet për draft-kodin civil, deputeti Burim Meta ka folur në veçanti për nenin që afirmon martesat mes gjinisë së njëjtë.

Meta: Këta fëmijë do të mund të jenë më agresiv

“Të gjithë ne nëse duam familje, duhet ta krijojmë atë. Ne kemi të drejtë që fëmijëve tanë të braktisur e të krijuar nga natyrshmëria ta adaptojmë në një ambient ku nuk mund të krijojmë modelin e nënës dhe babait. Modelin e gjinisë së njëjtë dhe të kundërt. Dhe po këta fëmijë ndoshta nuk do të dëshironin një gjë të tillë dhe po këta fëmijë do të mund të jenë më agresiv dhe të dhunshëm në të ardhmen e tyre, pikërisht ndaj asaj gjinie që mungon modeli i tyre. Ne këtyre fëmijëve duhet t’iu ofrojmë familje e jo familjet t’iu krijojnë fëmijë. Natyrisht ne këtu jemi persona politik dhe duhet të kem parasysh edhe ndasinë politike dhe koston e saj, por më thoni se ku edhe sa afër organeve të Bashkimit Evropian jemi dhe më thoni se a është ky kushti i fundit për integrimin tonë në Evropë”, ka deklaruar deputeti Burim Meta.

Më tej, ai tha se një gjë e tillë ka për qëllim cenimin e familjes.

Meta: Do të vazhdoj të jem kundër

“Kam qenë, jam dhe do të vazhdoj të jem kundër ndaj çdo mënyre e cila ka për qëllim cenimin e shenjtërisë, familjes dhe mbajtjes së llojit”, ka deklaruar ai më tej.

Për këtë ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca i cili ka kërkuar që të përmbahet nga kjo gjuha paragjykuese.

Konjufca: Ju kisha lutur në fjalimet e juaja të ardhshme të përmbaheni nga këto forma gjykimesh

“Duhet të kemi kujdes që në këtë kuvend të mos shprehemi në mënyrë paragjykuese dhe steorotipike. Në momentin kur personave të caktuar mendojmë që nuk janë bash normal dhe ju mungon diçka, apo janë më agresiv për arsyeje të caktuar të orientimit të tyre, kjo është fort e gabueshme, paragjykuese, steorotipike dhe unë jam kundër kësaj. Ju kisha lutur në fjalimet e juaja të ardhshme të përmbaheni nga këto forma gjykimesh, mendoj unë fort të pandershme”, ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Kurti thirrje deputetëve ta votojnë Projektkodin Civil: Nuk rregullon martesat e gjinisë së njëjtë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se votimi Kodit Civil është ngjarje e veçantë për vendin.

Kurti ka shtuar se në kod ka disa risi të rëndësishme që duhet të përmenden.

Sipas tij, është rregulluar pjesa statusore e personave fizik.

“Është rregulluar pjesa statusore për personat juridik. Janë rregulluar punët juridike kontratat, testamentet. Te familja, këtu duhet të theksojmë dy çështje të rëndësishme, është pasuria e përbashkët është caktuar të jetë e barabartë. Këtu risi është edhe ndalimi i martesave të hershme. Është një pikë e rëndësishme gjithashtu që është diskutuar e keqkuptuar që ka të bëjë me regjistrimin e bashkësive civile të personave me gjini të njëjtë. Në fund të fundit të drejtat e njeriut janë të drejtat e të gjithë njerëzve”, ka thënë ai.

Sipas tij, me këtë kod është paraparë mundësia që këta persona të regjistrohen si bashkësi civile, kodi nuk e ka rregulluar martesën mes tyre.

“Ajo do të rregullohet me një ligj të veçantë. Kodi nuk është i mjaftueshëm kjo është në pajtim edhe me kushtetutën. Kodi nuk rregullon martesat. Martesa dallon nga Bashkësia civile sepse kjo mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo format tjera”, ka thënë ai.

Glauk Konjufcën e “nervozon” fjalimi i deputetit të Vetëvendosjes

Në seancën ku deputetët kanë filluar të diskutojnë për Kodin Civil, ku parashihet edhe një Ligj i veçantë për martesat mes gjinive të njëjta, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka qenë i ashpër me deputetin e Vetëvendosjes, Burim Meta.

“Duke u nisur nga princpiet bazike të Kushtetutës, të kemi kujdes që në Kuvend të mos shprehemi në mënyrë paragjykuese dhe stereotipike".

“Në momentin kur personave të caktuar mendojmë që nuk janë bash normal edhe iu mungon dicka apo janë agresiv për arsye të caktuara të orientimit të tyre, kjo është paragjykuese dhe jam kundër kësaj.

Kështu që iu kisha lutë në fjalimet e ardhshme të përmbaheni nga këto forma gjykumesh”, tha kryeparlamentari.

Opozita kërkon deklarimin e kryeministrit për martesat mes gjinive të njëjta

Pozitë e opozitë e kanë konsideruar Kodin Civil si dokumentin më të rëndësishëm pas Kushtetutës së Kosovës. Megjithatë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupi Multietnik nuk e ka mbështetur këtë draft-kod të prezantuar në seancën e kësaj të mërkure. Në shqyrtimin e parë të projekt-kodit civil u tha se nuk rregullohet martesa mes gjinisë së njëjtë, por vetëm në mënyrë afirmative e njeh bashkësinë civile. Për këtë, opozita ka kërkuar deklarimin e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me këtë çështje.

Për këtë është sqaruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu: Është paraparë mundësia që personat me gjini të njëjtë të mund të regjistrohen si bashkësi civile

“Unë mendoj që po lexohet keq, pse po lexohet keq? Për faktin se në nenin 1138 është paraparë mundësia që personat me gjini të njëjtë të mund të regjistrohen si bashkësi civile dhe po ashtu kodi nuk ka rregulluar kushte dhe procedurën, por vetëm në mënyrë afirmative ka përcaktuar që në të ardhmen të mund të rregullohet me ligj të veçantë. Dhe unë konsideroj që kjo është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, e cila nuk lejon asnjë lloj diskriminimi”, ka deklaruar ajo.

Në emër të Komisionit për Legjislacion, Driton Selmanaj i ka rekomanduar deputetëve që të votojnë në parim këtë draft-kod.

Selmanaj: Të miratohet në parim projekt-kodi civil i Republikës së Kosovës

“Të miratohet në parim projekt-kodi civil i Republikës së Kosovës. Arsyetim: Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsion, para shqyrtimit të parë të projektligjit në mbledhjen plenare duke vepruar në pajtim me nenin 56 dhe paragrafin 2 të rregullores së kuvendit, shqyrtoi në parim projekt-kodin civil të Republikës së Kosovës dhe konstatoi se i plotëson kushtet që t’i procesohet kuvendit për miratim dhe shqyrtim në parim. Për këtë arsyeje ia rekomandojë kuvendit shqyrtimin dhe miratimin në pajtim me rregullat dhe rregulloren e kuvendit”, tha Selmanaj.

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se janë 1630 nene të këtij draft-kodi, duke shtuar se Kosova nuk ka pasur asnjëherë një dokument të tillë.

Kusari-Lila: Ky draft-kod ka rregulluar dhe avancuar segmente të ndryshme të jetës

“Po e përmendi këtë fakt për të kujtuar rëndësinë që e ka kodifikimi i të drejtës civile për një shtet. Pas vitit 2004, puna në draftin e kodit civil është aktualizuar prej vitit 2014. Dhe është punuar deri më tani në disa qeveri. Më në fund ky dokument po u prezantohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Si një prej deputetëve më të rëndësishme për një shtet, ky draft-kod ka rregulluar dhe avancuar segmente të ndryshme të jetës. Barazia para ligjit, të drejtat e njeriut, prona, transaksionet ekonomike, kontrata, marrëdhëniet familjare, të drejtat e fëmijëve, trashëgimia”, ka thënë ajo.

Sipas saj, draft-kodi civil është dokumenti më i rëndësishëm që është dorëzuar deri më tani nga Qeveria e Kosovës.

Me këtë është pajtuar edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri. Por, ai ka pasur kritika për mos-prezencën e kryeministrit Albin Kurti në këtë seancë. Madje tha se do të përmbahen në votim pa pasur një deklarim të tij për çështjen e martesave mes gjinisë së njëjtë.

Tahiri: Pa prezencën e kryeministrit dhe deklarimit të tij, ne përmbahemi nga votimi

“Duke pasur parasysh që është një dokument tejet i rëndësishëm është e papranueshme mos me qenë kryeministri. Ne si grup parlamentar i bëjmë thirrje që të vijë sepse pikërisht për këtë Kod, i kemi pasur reagimet e bashkësive fetare, Bashkësisë Islame, Bashkësisë Hebraike, Kishës Katolike në raport me nenin 1138, bashkësisë e regjistruara civile ndërmjet personave me seks të njëjtë që janë të lejuara. Pastaj kushtet dhe procedurat rregullohen me ligj të veçantë. Ky ka qenë një debat i gjatë në Republikën tonë dhe neve na intereson mendimi i kryeministrit për këtë çështje, sepse ai nuk është prononcuar asnjëherë, as kryeministri as presidentja për një hap të tillë që po e marrim si vend. Pa prezencën e kryeministrit dhe deklarimit të tij, ne përmbahemi nga votimi dhe shpresojmë që kryeministri të gjejë kohë dhe të vie në këtë seancë plenare”, përfundoi Tahiri.

Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka folur Driton Selmanaj, ku ka kritikuar ministren Albulena Haxhiu “për mos guxim” të deklarimit për martesat mes gjinisë së njëjtë.

Selmanaj: Kemi shumë interes ta kuptojmë qëndrimin e qartë të qeverisë

“Vërtetë kemi shumë interes ta kuptojmë qëndrimin e qartë të qeverisë lidhur me çështjen me të cilën është bërë më tepër çështje e diskutueshme në shoqëri. Për fatin e keq, duke u fokusuar vetëm në këtë çështje janë lënë anash shumë çështje të rëndësishme që rregullon kjo materie. Ka shumë, shumë çështje të tjera me të cilat ky dokument fokus dhe analizë të mirëfilltë për secilin element”, ka deklaruar Selmanaj.

Ai ka pyetur qeverinë nëse kanë filluar procedurat për ligj të veçantë për martesën mes gjinisë së njëjtë.

E, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se janë kundër draft-kodit civil.

Tahiri: Jemi kundër versionit të këtij kodi civil

“Jemi kundër versionit të këtij kodi civil. Ajo që dua të them është që të trajtohen çështjet që janë të ndjeshme, që duhet t’i bëjë shumica parlamentare. Dhe në këtë aspekt, të deklarohet publikisht dhe jo të na fsheh. Nuk jemi kundër askujt, mirëpo ne mendojmë se në formën si është ky Kod-Civil nuk e ka mbështetjen e grupit parlamentar".

Në emër të Grupit Multietnik, Erxhan Galushi ka shprehur kundërshtinë për këtë Kod Civil.

Galushi: Është kundër vlerave tona dhe traditave tona familjare

“Janë shtuar disa risi të reja, sidomos te pjesa e martesës e që ne po e konsiderojmë që është kundër vlerave tona dhe traditave tona familjare, por edhe të vendit. Sepse unë mendoj që e jashtëzakonshmja nuk mund të jetë kurrë e zakonshme. Po kështu si pa-natyrshmëria nuk mund të jetë kurrë e natyrshme. Publikimi dhe provimi i jashtëzakonshmes në diçka të zakonshme mendojmë që është fyerja për shumicën e zakonshme”, ka thënë ai. 

Haxhiu: Kodi Civil nuk do të lejojë martesat nën 18-vjeç

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se me Kodin Civil nuk do të lejohet asnjë martesë nën moshën 18-vjeçare. Ajo në prezantimin e projekt-kodit civil theksoi se do të sigurohet trajtim i barabartë i bashkëshortëve, duke siguruar se nuk do të lejohet asnjë lloj diskriminimi.

Gjatë shqyrtimit të parë të projekt-kodit civil, ministrja Haxhiu tha se është hartuar në frymë të Kushtetutës së Kosovës dhe direktivave të Bashkimit Evropian, duke ftuar kështu deputetët që të votojnë pro këtij projekt-kodi.

Haxhiu: Kodi civil siguron trajtim të barabartë të bashkëshortëve

“Kodi civil siguron një trajtim të barabartë të bashkëshortëve në të gjitha çështjet personale dhe pasurore dhe nuk ka asnjë diskriminim. I kemi hequr të gjitha diskriminimet që kanë rezultuar ose që janë aktualisht në fuqi. Pasuria e përbashkët e bashkëshortëve do të jetë në pjesë të barabartë. Me projekt-kodin civil nuk lejohet më që gjykata të vlerësojë kontributin e bashkëshortëve në mënyrë të ndryshme, siç ishte më herët me Ligjin për Familjen. Në rast të divorcit apo shkurorëzimit, gjykata do të ndajë pasurinë e përbashkët në pjesë të barabartë për të dy bashkëshortët, pavarësisht në qoftë se një prej tyre ka qenë në marrëdhënie pune apo jo”, ka thënë Haxhiu.

Në bazë të këtij projekt-kodi civil, Haxhiu shtoi se kontrata martesore do të hiqet dhe pasuria do të ndahet në mënyrë të barabartë pas divorcit. E rëndësishme tha se është edhe martesa e personave nga mosha 16 deri në 18-vjeç.

Haxhiu: Me Kodin Civil do të lejohen vetëm martesat mbi 18-vjeç

“Ne e kemi hequr mundësinë që të lejohet martesat e hershme. Pra, tani me Kodin Civil vetëm martesa mbi 18-vjeç lejohet. Unë besoj që kjo është një gjë shumë e mirë, sepse Kuvendi por edhe qeveria duhet të synojmë në edukimin e fëmijëve dhe jo në martesat e hershme. Çështjet të cilat po ashtu janë të rëndësishme është që kemi adresuar edhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për faktin se organizatat të cilat janë marrë me të drejtat e fëmijëve kanë pasur shumë propozime në këtë dokument. Prandaj, secila prej tyre është adresuar në grupet punuese, e po ashtu janë fuqizuar edhe dispozitat që kanë të bëjnë me trashëgiminë”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja Haxhiu tha se para grupeve punuese ka propozuar edhe që të mos lejohet e drejta për të hequr dorë nga trashëgimia, por aty ka pasur diskutime se ky është obligim ku duhet të paguhen taksat.

Haxhiu: Kodifikimi i së drejtës civile është i rëndësisë së veçantë

“Kodifikimi i së drejtës civile është i një rëndësie të veçantë në fushën e legjislacionit civil. Për faktin se me anë të këtij kodifikimi, korniza ligjore në fushën juridike civile bëhet me anë të një dokumenti të kodifikuar, ku edhe zbatimi i ligjeve të veçanta në fushën civile do të jetë edhe më efektiv, më i lehtë dhe më i zbatueshëm në kontekst të dispozitave materiale dhe ligjore. Ajo çka e bën më të veçantë këtë projekt-kod është edhe fakti se hartimi i tij bëhet për herë të parë në Republikën e Kosovës, si një nga dokumentet dhe produktet më të mëdha legjislative pas Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Në punëtoritë e mbajtura, ministrja e Drejtësisë tha se çështjet më të diskutuara kanë qenë çështja e pasurisë së bashkëshortëve, ajo e martesës, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe trashëgimia. 

Haxhiu për Projekt Kodin Civil: Në rast divorci pasuria e bashkëshortëve është e barabartë pavarësisht kontributit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në vazhdimin e seancës plenare ka prezantuar para deputetëve projekt-kodin civil. Haxhiu tha se është krijuar një grup punues në të cilin bëjnë pjesë shoqëria civile, ku theksojë se kanë tetë punëtori.

Ndër të tjera shtojë se në këtë Projekt Kod është adresuar fejesa, pasuria e bashkëshortëve në martesë, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve.

Kemi themeluar një grup punues për ti shtjelluar komentet që nuk janë pranuar më herët. Aty bëjnë pjesë shoqëria civile, ku kemi mbajtur tetë punëtori. Është adresuar pasuria e bashkëshortëve në martesë, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, fejesa dhe pasuria bashkëshortore. Projektkodi përbëhet nga pesë libra.

Projektkodi është në frymë me Kushtetutën dhe në direktivat e BE. Çështjet kryesore është regjimi pasuror i bashkëshortëve, ku kodi civil i trajton të barabartë dhe nuk ka asnjë diskriminim. Në rast të divorcit, Gjykatat do të ndajë pasurinë në mënyrë të barabarta, pavarësisht se sa kanë kontribuuar të dytë. Me këtë projektkod martesa do të lejohet vetëm mbi moshën 18 vjeç”.

Tahiri pyet pse Kurti nuk është prezent në diskutimin për Kodin Civil: Neve na intereson mendimi i tij

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, duke folur për Kodin Civil, ka thënë se si parti nuk do të votojnë derisa edhe kryeministri Albin Kurti të jeët prezent në seancë për të diskutuar.

Kodi Civil është dokumenti më i rëndësishëm legjislativ që vjen me u votuar në këtë kuvend”, tha ai.

Duke pasur parasysh që është një dokument tejet i rëndësishëm është e papranueshme mos me qenë kryeministri. Ne si grup parlamentar i bëjmë thirrje që të vijë sepse pikërisht për këtë Kod, i kemi pasur reagimet e Bashkësive Fetare”, u shpreh tutje Tahiri.

“Ky ka qenë një debat i gjatë, dhe neve na intereson mendimi i kryeministrit për këtë çështje, sepse ai nuk është prononcuar asnjëherë, as kryeministri as presidentja për një hap të tillë që po e marrim si vend”.

“Pa prezencën e kryeministrit ne përmbahemi nga votimi dhe shpresojmë që kryeministri të gjejë kohë dhe të vie në këtë seancë plenare”, përfundoi Tahiri.

 Kusari-Lila për Projekt Kodin Civil: Ky dokument ligjor është njëri më të rëndësishmit pas kushtetutës së Kosovës

Vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës ku në vazhdim është shqyrtimi i projekt kodin civil të Republikës së Kosovës.

Qëndrimin e grupit të Lëvizjes Vetëvendosje e paraqiti kryetarja Mimoza Kusari-Lila e cila tha se draft kodi civil është një ndër dokumentet më të rëndësishme pas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ky dokument ligjor është njëri më të rëndësishmit pas kushtetutës së Kosovës. Kosova nuk ka pasur kod civil. Në vitin 2004 është provuar të votohet një i tillë por nuk është lejuar nga UNMIK. Pas vitit 2004 dhe deri më tani është punuar nga qeveritë, dhe tani nga kjo qeveri po prezantohet si i tillë. Kosova ka ligje të së drejtës civile por ka pasur nevojë për një kod te tillë, i ciki është në harmoni me logjet e BE”.

Tutje Kusari Lila tha se Kosova ka pasur nevojë për harmonizim të ligjeve dhe evitim të konfliktit të ligjit për të mundësuar zbatimin më të mirë.

Kodi është në harmoni të plotë me direktivën e BE dhe standardet tjera ndërkombëtare në këtë fushë të së drejtës”

Kusari-Lila tha se me hyrjen në fuqi të këtij projekligji të drejtat pronësore do të shfuqizohen.

Me hyrjen në fuqi, të drejtat pronësore do të shfuqizohen. Janë rregulluar të drejtat fqinjësore, paditë dhe të drejtat e njeriut. Numri i konteksteve gjyqësore do të ulët pasi ky projektkod do ti sqarojë te gjitha. Një arritje e madhe është se pasuria do te ndahet barabartë, pasi që në këtë pikë janë diskriminuar gratë”.

Draftkodi është më i rëndësishmi që është dorëzuar nga qeveria e Kosovës. Andaj për çdo dileme që është ngritur, ju ftoj ta votojmë këtë projektkod”.

Eliza Hoxha e PDK-së: Projektligji për arkiva shtetërore ka nevojë për ndryshime

Deputetja e PDK, Eliza Hoxha në seancën e sotme parlamentare ka thënë se partia e sajë ka analizuar projektligjin për arkiva shtetërore mirëpo siç thekson ajo ka nevojë për ndryshime.

Ajo shtojë se investimet në këtë drejtim janë të domosdoshme dhe se institucionet duhet të kenë vëmendje karshi këtij institucioni.

“Agjencia e arkivave shtetërore është anëtare e këshillit të arkivave. Gjendja aktuale e ruajtjes së dokumentacionit investimet në infrastrukturë janë të domosdoshme.

Prandaj në qeveri që të kemi tryezë këtë projektligj duhet të dihet prioriteti dhe përgjegjësia. Pse vetëm arkiva shtetërore të ketë trajtim ndryshe. Prandaj ftoj më shumë vëmendje karshi këtij institucioni. Ju kisha lut me i disiplinu kolegët deputet.

 ​Kuvendi shkon në pauzë deri në orën 14:00

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 14:00. Para votimit për Kodin Civil që lejon martesat e gjinive të njëjta në Kosovë, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar nga deputetët që të shkojnë në pauzë para, siç e quajti ai, diskutimit të kësaj pike kritike.

Konjufca: Propozoj që të marrim një herë frymë thellë

Propozoj që të marrim një herë frymë thellë dhe të reflektojmë para se të hymë në diskutimin e kësaj pike kritike të Kodit Civil. A pajtoheni që të shkojmë në pushim.... Ministre nuk të pyeta ty, por deputetët”, ka thënë Konjufca.

Në seancën e sotme nuk ka kaluar rezoluta nga debati parlamentar në lidhje me zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi, ku kërkohet që dialogu të mos jetë teknik dhe të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti. 64 deputetë kanë votuar për këtë rezolutë, por vetëm 21 kanë qenë pro, kundër asnjë dhe 43 abstenime.

 ​Deputetët miratojnë në parim projektligjin për akcizën në produktet e duhanit

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për akcizën në produktet e duhanit dhe projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave. Ndërkaq, në mungesë kuorumi nuk janë miratuar tri projektligje të tjera.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka kërkuar që të mos sillet më në Kuvend, projektligji për vetëqeverisjen lokale.

Tahiri: Ky ligj të mos vijë në seancë

“Unë mendoj që ky ligj nuk duhet të vijë dhe të vendosim sot që të mos vijë më në seancë dhe të hyjë në pakon e diskutimit për reformën zgjedhore ku kemi shumë pika të caktuara për diskutim. Amandamentimi i këtij ligji duhet të largohet tërësisht në mënyrë që këtë temë ta diskutojmë bashkërisht edhe me reformën zgjedhore”, ka thënë Tahiri.

64 deputetë kanë votuar pro miratimit në parim për projektligjin për akcizën në produktet e duhanit.

Numër i njëjtë i deputetëve kanë miratuar në lexim të parë edhe projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.

Ndërkaq, vetëm 53 deputetë kanë votuar për projektligjin për tokën bujqësore dhe nuk ka pasur kuorum për këtë pikë. Kuorum nuk ka pasur as për votimin në parim të projektligjit për kimikate. Për një nga seancat e ardhshme ka mbetur edhe votimi në parim i projektligjit për ushqim. 

***

Partitë opozitare nuk janë pajtuar me zhvendosjen e Agjencisë së Arkivave Shtetërore në Ministrinë e Kulturës. Sipas tyre, zhvendosja nga Zyra e Kryeministrit ia humb rëndësinë këtij agjencioni.

Me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi e ka miratuar sot në parim Projektligjin për Arkivat Shtetërore.

Në emër të Komisionit të Arsimit Arijeta Rexhepi tha se projektligji i plotëson kushtet e parapara, kështu ajo i ka rekomanduar Kuvendit për miratim.

Rexhepi: Komisioni i paraqet kuvendit raport me rekomandime për miratim

“Të miratojë (Kuvendi) në parim Projektligjin për Arkivat Shtetërore. Në bazë të nenit 56, paragrafi 2 të rregullores së Kuvendit, komisioni funksional shqyrtoi projektligjin në parim, para shqyrtimit të parë në mbledhje plenare dhe Kuvendit i paraqet raport me rekomandime për miratim”, ka thënë ajo.

Rexhepi tha se ligji aktual në shumë raste është ballafaquar me zbrazëtira juridike, të cilat e kanë vështirësuar ushtrimin dhe zhvillimin e veprimtarisë arkivore në vend.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se zhvendosja e Arkivave Shtetërore në Ministrinë e Kulturës do t’i humbë rëndësinë që e ka.

Tahiri: Grupi Parlamentar i PDK-së e ka marrë me shqetësim zhvendosjen e arkivave

“Grupi Parlamentar i PDK-së e ka marrë me shqetësim zhvendosjen e arkivave nga Zyra e Kryeministrit tek Ministria e Kulturës. Ne e konsiderojmë që Arkiva Shtetërore është tejet e rëndësishme që të qëndrojnë ashtu siç kanë qenë në kuadër të rregullimit qeveritar, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, si agjencion. Mendojmë që kjo duhet të trajtohet me një seriozitet jashtëzakonisht të madh dhe fakti që do të jetë nën Zyrën e Kryeministrit besoj që do t’i jepte një rëndësi dhe një qasje më të mirë në financa, në organizimin shtetëror të arkivave”, ka thënë ai.

Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputetja Vlora Dumoshi tha se e përkrahin në parim këtë projektligj.

Dumoshi: LDK e përkrah në parim projektligjin

“Përmes këtij projektligji janë harmonizuar shumat e gjobave në kufirin minimal dhe maksimal, ashtu siç janë të parapara me Ligjin për Kundërvajtje në Kosovë. Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e përkrah në parim projektligjin numër 08L111 për Arkivat Shtetërore, ndërsa kontributin tonë do ta japim gjatë fazës së shqyrtimit dhe amendamentimit mes dy leximeve”, ka thënë Dumoshi.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj ka njoftuar se e përkrahin këtë projektligj.

Kadriaj: Ne në parim do e përkrahim këtë projektligj

“Ne i pamë edhe shqetësimet e grupeve të tjera parlamentare me bartjen e Arkivave Shtetërore nga Zyra e Kryeministrit te Ministria e Kulturës. Po ashtu, mendoj që në mes të dy leximeve, ne në parim do ta përkrahim në lexim të parë, por kërkojmë nga komisioni parlamentar që në mes të dy leximeve t’i rregullojë këto shqetësime dhe të bëhet një ligj i mirë”, ka njoftuar ajo.

Në lidhje me zhvendosjen e Arkivave Shtetërore, ministri i Kulturës Hajrulla Çeku tha se ka qenë diskutim i grupeve punuese. Ai u shpreh se kanë ndjekur dy parime, atë të funksionalitetit dhe efikasitetit. Nga diskutimet, siç tha ai, është parë që të jetë në Ministri të Kulturës. /

Çeku: Me projektligjin për Arkivat Shtetërore kemi paraparë kthimin e materialeve arkivore në Kosovë

Kuvendi po shqyrton në parim projektligjin për Arkivat Shtetërore. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka kërkuar nga parlamenti që të miratojë në lexim të parë këtë projektligj. Sipas tij, me projektligjin e ri janë bërë ndryshime dhe është paraparë edhe kthimi i materialeve arkivore në Republikën e Kosovës.

Para organit më të lartë legjislativ, Çeku ka folur për ndryshimet e reja që i sjell projektligji i ri në raport me ligjin aktual që është në fuqi për Arkivat Shtetërore. Ai tha se është paraparë që Agjencia e Arkivave të jep pëlqimin dhe miratimin e listës së afateve për ruajtjen e dokumenteve.

Çeku: Kemi paraparë kthimin e materialeve arkivore në Kosovë

“Me këtë projektligj kemi paraparë edhe kthimin e materialeve arkivore në Republikën e Kosovës. Ku Republika e Kosovës në mbështetjeve të akteve dhe instrumenteve ndërkombëtare që rregullojnë fushën arkivore ka detyrim që të angazhohet dhe kërkojë rikthimin e materialeve arkivore në vendin e origjinës që kanë dalë në mënyrë të jashtëligjshme, jashtë territorit shtetëror të Kosovës”, ka thënë ai.

Më tej, para deputetëve ka thënë se janë shtuar edhe dispozitat ndëshkuese, përgjegjësia kundërvajtëse, gjobat dhe të njëjtat janë harmonizuar me Ligjin për Kundërvajtje në Kosovë. Ai ka treguar se çfarë është shtuar në këtë projektligj.

Çeku: Në ligjin e vjetër për arkivat shtetërore kanë munguar përkufizimet dhe shprehjet e përdorura

“Në ligjin e vjetër për Arkivat Shtetërore kanë munguar përkufizimet dhe shprehjet e përdorura, disa nga to si arkivi qendror, arkivi ndërkomunal, arkivat special, arkivat privat, dokumentet, materiali arkivor. Gjithashtu te organizimi i Agjencisë së Arkivave ka pasur ndryshime si në vijim: me projektligjin e ri Agjencia e Arkivave Shtetërore është institucion i rëndësisë së veçantë dhe vepron në kuadër të Ministrisë përkatëse për Kulturën. Për dallim që me ligjin në fuqi Agjencia e Arkivave parashihet si organ qeveritar që kryen detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara me ligj”, ka njoftuar ai.

Sipas ministrit të Kulturës me këtë projektligj është bërë edhe harmonizimi i dispozitave të Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të agjencive të pavarura në Kosovë.

Çeku: Janë përcaktuar dy nivele të organizimit të sistemit arkivor

“Me projektligjin e ri të arkivave janë eliminuar kolizionet ligjore, të cilat do të mund të dalin jashtë strukturës organizative që i parasheh ligji bazik i organizimit të administratës. Me projektligjin e ri janë përcaktuar edhe dy nivele të organizimit të sistemit arkivor të Kosovës dhe të agjencisë si të nivelit qendror edhe të atij ndërkomunal. Me projektligjin e ri të arkivave është paraparë themelimi i Këshillit Profesional, i cili është përgjegjës për kryerjen e detyrave dhe autorizimeve këshillëdhënëse, rekomanduese dhe për shqyrtime profesionale në kuadër të zhvillimit të planeve dhe ekzekutimit të detyrave që rrjedhin nga mandati i agjencisë”, ka shtuar Çeku.

Më tej, theksoi se rëndësi e veçantë i është kushtuar arkivit qendror dhe atij ndërkomunal, ku janë bërë ndarjet për secilin rajon të Kosovës dhe janë përfshirë edhe komunat përkatëse.

Çeku: Flitet në mënyrë të veçantë për arkivat speciale, private si dhe për institucionet kompetente

“Me Projektligjin e ri për Arkivat Shtetërore flitet në mënyrë të veçantë për arkivat speciale, private si dhe për institucionet kompetente të cilat në kuadër të fushëveprimtarisë së tyre mund të formojnë arkiva speciale ose edhe arkiva private. Gjithashtu me projektligjin e ri të Arkivave Shtetërore është paraparë mbikëqyrja dhe inspektimi, ku në kuadër të strukturës organizative themelohet inspektorati, i cili do të ushtrojë kompetenca mbikëqyrëse inspektuese, informuese dhe këshillëdhënëse për të gjitha subjektet dhe institucionet tjera që me ligj u janë dhënë detyra dhe përgjegjësi për krijimin, ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e materialit me rëndësi arkivore në vendin tonë”, ka theksuar Çeku.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku tha se me projektligjin e ri të Arkivave Shtetërore janë paraparë edhe të hyrat vetanake të cilat mund të mblidhen nga shërbimet që kryhen nga ky institucion. 

Kuvendi voton në parim projektligjin për arkivat shtetërore

Kuvendi e ka votuar në parim projektligjin për arkivat shtetërore.

Nga 81 deputetë që ishin në sallë, 63 prej tyre kanë votuar për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Tahiri (PDK): Zhvendosja e arkivave shtetërore në Ministrinë e Kulturës, do t’ia humbte rëndësinë që ka

Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se zhvendosja e arkivave shtetërore nga zyra e kryeministrit në Ministrinë e Kulturës, do ta degradonte dhe do ta humbte rëndësinë që ka.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend ku aktualisht po diskutohet për projektligjin për arkivat shtetërore, Tahiri mes tjerash tha një zhvendosje e tillë duhet të analizohet mirë.

“Grupi parlamentar i PDK-së, e ka marr me shqetësim zhvendosjen e arkivave nga zyra e kryeministrit tek Ministria e Kulturës, duhet të jetë ashtu siç kanë qenë. Mendojmë që kjo duhet të trajtohet me një seriozitet të madh, dhe faktin që do të jetë në zyrën e kryeministrit do t’i jepte një qasje më të mirë, në financa ose në organizimin shtetëror të arkivave, zhvendosja në Ministrinë e Kulturës do ta degradonte dhe do t’ia humbte rëndësinë që ka”.

“Zhvendosja e tillë duhet të mendohet mirë, të analizohet mirë se apo i bëhet dëm arkivave të shtetit të Kosovës. Kësaj radhe do të përmbahemi dhe nuk do të marrin pjesë në votim fare”, tha Tahiri.

***

Ende nuk ka filluar seanca plenare, ku të pranishëm në sallën e parlamentit janë vetëm 49 deputetë.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar nga deputetët që “marrin rrogë” që të bëhen pjesë e seancës.

Seanca e sotme plenare me disa pika të papërfunduara ishte e paraparë për orën 10:00.

“Të gjithë ata deputetë që janë me rrogë i ftoj të bëhen pjesë e seancës të Kuvendit të Kosovës”, ka kërkuar kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Në seancën e sotme do të votohet propozim-rezoluta nga debati parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe propozim-rezoluta nga debati parlamentar lidhur me Vendimin e ZRRE-së, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në rend të ditës janë edhe disa pika të tjera.

Rendi i ditës për seancën e sotme të Kuvendit

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancën plenare të radhës.

Në njoftimin e Kuvendit thuhet se seanca do të fillojë nga ora 10:00 e mëngjesit, në të do të jenë 20 pika të rendit të ditës.

Rendi i ditës:

I. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 24 dhe 26 janar 2022:

1. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

II. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 9 shkurt 2022:

1. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me Vendimin e ZRRE-së, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare më 22, 23 dhe 24 shkurt 2022:

9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-111 për Arkivat Shtetërore,

10. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-110 për Agjencinë e Kosovës për Akreditim,

11. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-122 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin nr. 04/L-122 si dhe Ligjin nr. 03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256,

14. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-104 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.03/L-040 për vetëqeverisjen lokale,

15. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-021 për akcizën në produktet e duhanit,

19. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-108 për Deklarimin prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave,

21. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-112 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr. 02/L-26 për tokën bujqësore,

22. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-116 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-197 për kimikate,

23. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-120 për Ushqim,

24. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-063 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura,

25. Shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 05/L-025 për Shëndetin Mendor,

26. Emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT,

27. Propozimet e GP të Listës Serbe për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin parlamentar dhe plotësimin e anëtarit në Komisionin Ad-hoc.

IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare më 24 dhe 25 shkurt 2022:

5. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me zhvillimet në dialogun Kosovë – Serbi,

8. Shqyrtimi i parë i Projekt-Kodit Civil të Republikës së Kosovës nr. 08/L-124,

9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës,

10. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve tjera jo shumicë,

11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

V. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare më 7 mars 2022:

1. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat