IKD për Rregulloren e re të Punës së Kuvendit: Cenon format legjitime të veprimit politik

Aktuale

IKD për Rregulloren e re të Punës së Kuvendit: Cenon format legjitime të veprimit politik

Më: 29 mars 2022 Në ora: 11:09
Foto nga vendi i ngjarjes

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Rregullorja e re e Punës së Kuvendit, është në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe si i e tillë ajo duhet të ndryshojë.

Ndonëse e shohin si të nevojshme një Rregullore të tillë pasi do ta zëvendësonte një rregullore që është në fuqi që një dekadë, IKD thotë se Rregullorja duhet të njohë edhe format legjitime të veprimit politik që nuk kufizohen me pjesëmarrje fizike në seancë, siç është bojkoti opozitar.

Hulumtuesi i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Jeton Hasani, ka thënë se Draft-Rregullorja e Punës së Kuvendit parasheh sanksione financiare për deputetët që nuk njoftojnë për mungesa në seanca plenare apo mbledhje të komisioneve.

Sipas tij, megjithëse një sanksionim i tillë është i mirëpritur, Rregullorja duhet të njohë edhe format legjitime të veprimit politik që nuk kufizohen me pjesëmarrje fizike në seancë, siç është bojkoti opozitar.

Duhet pasur parasysh që veprimet politike nuk mund të kufizohen vetëm në pjesëmarrje fizike të deputetëve. Rregullorja e re duhet të njohë, në raste të caktuara, të drejtën e deputetëve për bojkot opozitar të punës së parlamentit, si formë legjitime e veprimit politik. Krahas obligimit për pjesëmarrje në seanca dhe mbledhje të komisioneve, përcaktimi që deputeti “ka për detyrë dhe obligim që të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, duke ushtruar të drejtën e tij për të votuar ‘për’, ‘kundër’ ose ‘abstenim’” është i papranueshëm”.

Konform Kushtetutës, “ligjet, vendimet dhe aktet tjera miratohen nga Kuvendi me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, përveç në rastet kur është ndryshe e përcaktuar me këtë Kushtetutë”, me kusht që në seancë të jenë prezent më shumë se gjysma e të gjithë deputetëve. Që do të thotë, Rregullorja tenton që edhe deputetët opozitarë t’i obligojë të formojnë kuorumin e nevojshëm për përmbushje të agjendave parlamentare të partive në pushtet (kjo do ishte veçanërisht problematike në rastet kur kërkohet shumicë e kualifikuar për vendimmarrje, siç është rasti me zgjedhjen e Presidentit)”.

Në anën tjetër, një përcaktim i tillë mund të jetë i pafavorshëm edhe për partitë në pushtet, duke qenë se edhe aktet e rëndomta parlamentare do të kërkonin shumicë të lartë për vendimmarrje (që varet nga numri i deputetëve që marrin pjesë në votim). Deputetët nuk mund (dhe nuk duhet) të obligohen të marrin pjesë në votim. Obligimi i tyre për pjesëmarrje duhet të përmbushet thjeshtë me prezencë fizike në punime të Kuvendit”, deklaroi Hasani.

E Gzim Shala, hulumtuesi i lartë në IKD ka thënë se dispozitat e Draft-Rregullores së Punës së Kuvendit që kanë të bëjnë me konfliktin e interesit duhet të precizohen tutje, ashtu që të mos përfshijnë obligimin e deputetëve që të tërhiqen nga votimi në rastet kur ata (apo të afërmit e tyre) përfitojnë nga një akt i parlamentit vetëm si pjesë e publikut të përgjithshëm apo e një kategorie të gjerë të personave.

Rregullorja përmban edhe dispozita lidhur me konfliktin e interesit, duke përcaktuar që deputeti është i obliguar “të tërhiqet nga e drejta e votës për një çështje në seancën plenare dhe në mbledhje të komisionit, kur vendimi mund të rezultojë në përfitime personale për të apo për të afërmit e tij”. Rregullorja do duhej të përmbante edhe përcaktimin që kjo dispozitë nuk zbatohet në rastet kur deputeti (apo i afërmi i tij) përfiton thjeshtë si pjesë e publikut në përgjithësi ose e një kategorie të gjerë të personave (p.sh., si mjek, profesor, etj)”, deklaroi Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat