Ministrja e VV-së akuzoi Krasniqin se zbuloi sekretin për rezervat shtetërore - Çfarë thotë ligji?

Aktuale

Ministrja e VV-së akuzoi Krasniqin se zbuloi sekretin për rezervat shtetërore - Çfarë thotë ligji?

Më: 1 prill 2022 Në ora: 17:01
Foto ilustrim

Vetëm edhe për tri ditë Kosova ka rezerva shtetërore. Të paktën kështu deklaroi para disa ditësh, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Siç tha ai, si ish-ministër i Bujqësisë ai i di mirë rezervat shtetërore dhe sipas tij nuk është e vërtetë që Kosova ka rezerva edhe për tre muaj.

Për tre muaj sipas tij, s’ka rezerva as Bullgaria.

“Grurë kemi vetëm edhe për dy muaj në mars dhe prill. S’dinë çka të tregojnë kurrkush se çka do të bëhet nëse kemi krizë në maj e qershor. Se ka rezerva shtetërore për tre muaj është e pamundur pasi as Bullgaria s’ka për tre muaj rezerva”, tha ai.

Krasniqi theksoi se edhe sikur të kishte rezerva nuk do të kishte vend për t’i ruajtur ato.

“Nuk ka shanse të ketë dhjetëra-mijëra tonë pasi s’kemi as ku t’i ruajmë ato rezerva edhe sikur t’i kishim”, tha ai.

Ndaj kësaj deklarate të Krasniqit kundërshtuese është treguar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Ajo tha se kjo deklaratë e Krasniqit, edhe nëse është e saktë konsiderohet rrezik për sigurinë kombëtare dhe se ndalohet me ligj.

“Ndalohet me ligj që të ndahet informata rreth rezervave të shtetit, për çështje të sigurisë kombëtare.  Unë dyshoj që Memli Krasniqi e ka këtë informatë për rezervat e grurit. E, nëse Memli Krasniqi e ka informatën se Kosova ka rezerva të grurit vetëm për tri ditë, e nëse është e saktë, habitem se si e ka ndarë këtë se kjo konsiderohet rrezik për sigurinë kombëtare”, është shprehur Rizvanolli.

Kur rrezikohet siguria kombëtare për rezerva shtetërore, sipas Ligjit?

Sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave plani strategjik, programi vjetor dhe vendndodhja e rezervës shtetërore të mallrave konsiderohet sekret shtetëror.

Kështu sipas Ligjit askush nuk duhet që të jap indikacione për vendndodhjen e depove ku mbahen rezervat shtetërore.

Sekret, sipas Ligjit, duhet të mbahet edhe Plani Strategjik me të cilin bëhet sigurimi i depove për vendosjen dhe ruajtje të rezervave shtetërore të mallrave, e po ashtu edhe plani vjetor që përpilohet në përputhje me këtë plan.

E për administrimin e rezervave shtetërore është Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave.

E në përbërje të rezervave shtetërore të mallrave, sipas Ligjit patjetër duhet të ketë:  prodhimeve themelore bujqësore, duke përfshirë edhe mishin në kafshë të gjalla dhe prodhimet ushqimore industriale; prodhimet e caktuara jo ushqimore industriale-lëndët e para, materiale reprodukuese, naftës dhe derivate të saj, barnat, material sanitar, dhe mjete medicino-veterinare të domosdoshëm për transport-bartje të mallrave me interes të posaçëm për mbrojtje të shtetit; mjetet monetare dhe makineri si dhe pajisje tjera për intervenime emergjente.

Njohësit thonë se mbushja e rezervave shtetërore është e domosdoshme

Njohësi i çështjeve ekonomike, Musa Limani deklaroi se rezerva shtetërore është e domosdoshme për çdo shtet.

Ai tha se në rezervë zakonisht mbahen produkte jetike për qytetarët.

“Në Kosovë me Ligj dhe me Kushtetutë është e obligueshme që të ketë rezerva shtetërore. Rezervat shtetërore zakonisht mbahen për artikujt e shportës, ato që janë jetike, siç janë ushqimi, nafta për arsye se është një faktor strategjik. Unë e di se ekziston Ligji për Rezervat Shtetërore në Kosovë. Sa janë ato rezerva dhe a ka mjaftueshëm nuk e di”, tha ai.

Këto produkte sipas Limanit janë të domosdoshme në situata të krizave të ndryshme.

“Po e them parimisht që sikurse vendet e tjera edhe Kosova duhet të ketë rezerva shtetërorë që i nevojiten për të intervenuar në rastet e krizave të ndryshme, siç është kriza ekonomike, bllokada ekonomike prej vendeve të tjera, tërmetet, vërshimet e të tjera. Shteti kështu përmes rezervave shtetërore për këta artikuj jetësor intervenon dhe e kalon situatën aktuale”, deklaroi ai.

Limani theksoi se në Kosovë mundon prodhimi vendor dhe se është shtet i varur nga importi.

“Tek ne siç dihet mungojnë prodhimet sidomos të shportës jetësore për arsye se nuk kemi kapacitete prodhuese sidomos ato agro-industriale dhe Kosova importon diku 80% të këtyre artikujve nga vendet e tjera”, tha ai.

Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës më 26 shkurt të këtij vitit pari marrë vendim për miratimin e kërkesës së departamentit të rezervave shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që furnizimi me produkte të rezervave shtetërore të mallrave të përjashtohet nga procedurat e prokurimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat