Dëshmitari Ndreci thotë se Mustafën e pa dy herë në Barilevë, tregon në cilin vit

Aktuale

Dëshmitari Ndreci thotë se Mustafën e pa dy herë në Barilevë, tregon në cilin vit

Më: 5 prill 2022 Në ora: 09:35 Përditësuar në ora: 17:10 më 05.04.2022
Bislim Ndreci

Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë të mbrojtjes së Salih Mustafës

Dëshmitari i gjashtë i mbrojtjes së Salih Mustafës, Bislim Ndreci e ka përfunduar dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Ai i ka thënë trupit gjykues se Salih Mustafën e njeh që prej vitit 1998 me të cilin ka theksuar se i ka lidhur organizimi për luftën çlirimtare. Dëshmitari ka thënë se bisedë të drejtpërdrejtë me Mustafën ka pasur në mesin e vitit ’99 në fshatin Barilevë.

Megjithatë, Ndreci nuk ka jep një datë të saktë të këtij takimi veçse ka përsëritur që Mustafa ka qenë në Barilevë në mes të 12 dhe 22 prillit të atij viti.

Ndreci, i cili ishte pjesë e UÇK-së në njësinë “Barileva”, ka thënë se kjo njësi ishte në kuadër të Brigadës 153. 

Ndreci: Me Mustafën jam takuar në Barilevë në mes të 12 dhe 22 prillit 

“Në mes 12 dhe 22 po, por në mes të 12 dhe 22 janë disa ditë të cilat nuk guxoj, janë nën betim, me thënë shembull të marrim diku po është kjo, me ekzakt nuk e di. Nuk mundem sepse është edhe 12 që na kujton shumë gjëra, është edhe 22 që na kujton, andaj mund të themi katër ose pesë, aty diku, mbi 12 prillin por edhe aty diku para 22 prillit”, ka thënë ai. 

Derisa i është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë, dëshmitari ka përsëritur se komandant e kanë pasur Jusuf Shalakun ndërsa ky i fundit ka thënë se i ka raportuar Salih Mustafës.

Ndreci: Salih Mustafën e njoh nga vitit 1998

“Si emër Salih Mustafa e njoh nga larg, shumë moti, por fizikisht e kam njohur nga 98 e këndej, por me e pa, me fol me të është kur ka ardhur në Barilevë”,ka thënë ai. 

Ndër të tjera, dëshmitari ka thënë se nuk e di periudhën kur është formuar njësia BIA, pjesë e së cilës ishte bërë.

Ndreci: Nuk e di kur është formuar BIA 

“Nuk e di kur është formuar BIA, e di që kemi qenë guerile por kur është formuar BIA nuk e di, atë emër dhe atë nofkë që e kemi thënë e kemi kuptuar fare vonë”,ka thënë ai. 

Dëshmitari ka thënë se nuk ka pasur kontakt me Salih Mustafën pas arrestimit të tij dhe ka treguar si ka vendosur kontakt me mbrojtjen e të akuzuarit.

Ndreci: Vëlli i Salih Mustafës më ka vendosur në kontakt me ekipin mbrojtës 

“Po kam qenë me vëllain e tij (Mustafës), Arbenin. Datën nuk e mbaj mend por në një pikë karburanti u takuam aty dhe e pyeta çka ka nga ju dhe më tha avokati është në Prishtinë dhe disa të dhëna për dikë që e njeh, dikë që e di ku ka qenë, që është taku dikush me të është duke i mbledh. I thash një prej tyre, nëse mundem me kontribu, jam edhe unë. Të nesërmen më kanë thirrë, jam taku, të nesërmen ose pasnesër. Kam shku, jam taku me të dhe me avokatin i cili është këtu”, ka thënë Ndreci.

Gjyqi ndaj Salih Mustafës do të vazhdojë nesër me dëshmitarin e shtatë të mbrojtjes.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se“në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Avokati Shala e pyeti se a e di apo a ka dëgjuar që Salih Mustafa ka qenë edhe ndonjëherë tjetër në fshatin Barilevë

Dëshmitari i gjashtë i mbrojtjes, Bislim Ndreci, në seancën e së martës, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ka thënë se këtë të fundit e ka parë dy herë në fshatin Barilevë, ku një herë e kishte parë diku rreth mesit të prillit të vitit 1999.

Duke u përgjigjur në pyetje të mbrojtjes, dëshmitari Ndreci, ka deklaruar se Salih Mustafa ka kaluar nga fshati Vranidoll për të ardhur në Barilevë te lagja “Verbovci”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Betim Shala e pyeti nëse ky kishte qenë rasti i vetëm kur e kishte parë Salih Mustafën në Barilevë, kurse dëshmitari tha se ky ka qenë rasti i dytë.

“Rasti i parë ka qenë shumë herët, diku shkurt ose fillim marsi apo diku aty, por u kon borë. Rasti i dytë ka qenë diku mesi i prillit ose pjesa pak më larg se mesi. Me datë nuk mund ta caktoj saktë, sepse është kohë shumë e gjatë dhe nuk kemi shënim”, deklaroi dëshmitari.

Kurse, bëri të ditur se fjalë bëhet për mesin e prillit të vitit 1999.

“Duke e përshkru 12 prillin dhe kujtuar 22 prillin, aty diku ka qenë mesi i asaj periudhe sepse pas 22 prillit nuk kemi qenë as ne aty dhe nuk kemi pas mundësi më për kontakte sepse na u ka vështirësu puna nga forcat e ushtrisë serbe dhe na u ka mbyll ai korridor”, tha ai.

Tutje, avokati Shala tha se në pyetjen e avokatit se pse iu desh Salih Mustafës të shkonte në Zllash, dëshmitari ka dhënë përgjigjen “dikush e thirri atë në telefon, me telefon satelitor, se në atë zonë kishte numër të madh të plagosurish kështu që ai u largua për atje me nguti”.

Ndërkaq, dëshmitari tha se i kujtohet kjo deklaratë dhe se kështu ka ndodh atë ditë, kur kishte qenë me Jusuf Shallakun e Salih Mustafën.

“I thashë pse Jusuf po shkoni kaq shpejt, tha se e thirrën Salihin se ka shumë të plagosur, thash po vi me juve, tha jo se po mesim keq, thash po kom qejf me dëshirën e madhe me shku me ta dhe vozitë atë automjet, kom shku me ni fshat diku të Gollakut këta kanë vazhdu tutje, jam kthy me traktor me tjerë ushtar prapë për Barilevë”, rrëfeu dëshmitari.

Avokati Shala e pyeti se a e di apo a ka dëgjuar që Salih Mustafa ka qenë edhe ndonjëherë tjetër në fshatin Barilevë në periudhën kohore nga 24 marsi 1999 deri në ditën kur për herë të fundit e ka takuar në prill të vitit 1999.

“Me siguri se ka kalu, po për me ditë unë se ka kalu atëherë kur jam taku me Jusufin u kon ma e lehtë me kuptu nëse o kon ky ose nuk u kon sepse Jusufi ka qenë ai që na ka orientu dhe na ka mbajtë aty dhe për atë tani është nëse ka ardhë vetëm herat e tjera ka mundësi që nuk e kam taku. Nuk o kon e thane dhe domosdoshme për t’i taku të gjithë”, tha Ndreci.

Sipas tij, pasi ka mbaruar lufta e kishin kuptuar për njësinë guerile.

Kurse, i pyetur se në kohën kur e kanë takuar Salih Mustafën, a e ka ditur se çfarë pozite ka pasur i njëjti.

“E kemi ditë se ka qenë Jusuf Shalaku përgjegjësi jonë, e ky ka qenë përgjegjësi i Jusuf Shalakut”, u përgjigj dëshmitari.

Ndërkaq, i pyetur se e kanë ditur se është një nga përgjegjësit e guerilës, por se a ka qenë i komplet guerilës apo njësie tjetër apo ka qenë së bashku me Jusufin, dëshmitari tha se nuk e di.

“A ju kujtohet pas luftës me çfarë aktiviteti jeni marrë, për periudhën qershor 1999 deri qershor të vitit 2000”, ka pyetur avokati Shala.

Ndreci tha se ka punuar në fabrikën e amortizatorëve, në atë fabrikë, ku ka punuar më herët deri në të ’90-at dhe pas përfundimit të luftës, 15-16 apo 20 qershor janë kthyer në të njëjtën fabrikë, ku nuk ka pasur punë shumë, por janë kthyer për të rikuperuar vendin e punës, por edhe fabrikën.

Ndërkaq, tha se gjatë vitit 1999 nuk ka punuar edhe në polici.

Avokati e pyeti se kur e kishte takuar Mustafën në fshatin Barilevë dhe se a iu kujtohet në çfarë forme ka ardhë aty.

“Për herën e parë nuk e di si ka ardhë, herën e dytë ka ardhë me atë “Golf” së bashku me Jusufin dhe për atë e maj mend pak më shumë se më ra rasti me vozitë vet dhe ish nifar ndjenje asi, që nuk kisha vozitë vet makinë të atillë”, tha dëshmitari.

Pasi mbrojtja përfundoi marrjen në pyetje, u vazhdua me një pauzë dreke, ku më pas dëshmitari do të intervistohet nga ana e prokurorisë.

Dëshmitari Ndreci rrëfen për njësinë “Barileva”, luftimin me forcat serbe dhe ditën kur u vranë dy persona

Dëshmitari i gjashtë i mbrojtjes Bislim Ndreci, në seancën e së martës, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ka rrëfyer për njësinë “Barileva” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku bënte pjesë, luftimin me forcat serbe e ditën kur u vranë dy persona e u plagos një.

Ky gjykim ndaj Salih Mustafës po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku ai po akuzohet për krime lufte.

Fillimisht, dëshmitari  Bislim Ndreci ka deklaruar se jeton në fshatin Barilevë, të Komunës së Prishtinës, ku ka jetuar edhe gjatë kohës së luftës.

Ai tha se gjatë periudhës mars-prill të vitit 1999, në fshatin ku ka jetuar, gjendja e sigurisë ka qenë shumë e rëndë dhe me hallë të mëdha.

Ndreci tha se në fshatin e tij ka pasur ushtarë të UÇK-së që kanë jetuar dhe vepruar në atë fshat.

“Numri fillimisht çdo kund ka filluar një numër i madh dhe ka shku duke u rritur. Në atë periudhë, për të cilën ju flisni, diku kemi qenë afër 30”, ka thënë Ndreci, duke konfirmuar se edhe ai vet ka qenë ushtar i UÇK-së, për çka tha se është shumë krenar dhe mburret shumë me atë periudhë.

Ai tha se kanë qenë ushtri vullnetare, por të njëjtën kohë kanë qenë edhe ushtri humanitare.

“E them vullnetare, dhe jo e detyruar sepse shtetet e mëdha kanë ushtrinë e detyruar dhe një godinë ushtarake, mjete ushtarake, armatimin ushtarak dhe veshmbathje. Ne nuk kemi pas asnjë prej tyre. Prandaj, jemi humanitar me armët tona të blera”, tha dëshmitari.

I pyetur si është emri i këtij grupi ushtarësh, ai tha se në atë kohë nuk ka pas emra dhe nga mesi apo fundi i prillit kanë marrë emrin “Njësia e Barilevës”. Kjo njësi tha se ka qenë në kuadër të brigadës 153.

Sipas tij, komandanti i njësisë nuk ka qenë nga fshati Barilevë, por nga fshati Dardhishtë, Komuna e Obiliqit dhe ai ishte Jusuf Shalaku. Ndërkaq, tha se nuk kanë pyetur se kush e ka caktuar komandant në atë fshat.

“Mundësia na është dhënë çdo herë, por ne kemi vepru aty dhe nuk nau ka desht ajo punë, për atë”, tha Ndreci.

Ky dëshmitar bëri të ditur se gjatë gjithë kohës së luftës ka jetuar në Barilevë.

“Fshatin nuk e kemi lëshu, por jemi kon të detyruem lagjet me i ndërru. Barileva është shumë e gjanë, ka pas mundësi prej një lagje në lagjen tjetër, jo me nejt ton kohën me një lagje. Kanë qenë dy arsye, arsyeja e parë për shkaqe të sigurisë tonë edhe të popullatës, për mos me u identifiku se janë ushtarët në mesin e tyre. E dyta  ka qenë një lagje e quajtur Verbovci që është shumë afër me fshatin Vranidoll që e lidh pjesën e Gollakut dhe aty është dasht të bëhet transferimi i njerëzve civil”, tha ai.

Dëshmitari Ndreci deklaroi se ka ndihmuar në transferimin e popullatës dhe se ka qenë edhe detyrë e tij si ushtar.

“Kemi pas edhe vëzhguesit që kanë qenë në pikat më të larta që kanë mundur më u vëzhgu njësitë paramilitare dhe militare serbe që të mos na dëmtojnë popullatën”, bëri të ditur ai.

Sipas dëshmitarit, pas 25 marsit forcat serbe janë tërbuar dhe popullatës iu pakësua edhe ushqimi.

“E kemi veç një datë më parë që duhet të vdesim për ta harru dhe i jemi falënderues ton jetën 24 marsit dhe NATO-s. Si UÇK e fituam një mik shumë të madh dhe e bombardoj Serbinë nga ajri”, tha ai.

I pyetur se përveç Prishtinës, a kanë dal edhe në ndonjë pjesë tjetër të Kosovës, ai tha se kanë mundur nga pjesa e Prishtinës të kalojnë në pjesën e Llapit, apo e kundërta.

Dëshmitari Ndreci tha se tetë persona që ishin vrarë kanë qenë të paarmatosur dhe civil dhe i kanë vrarë gjatë udhëtimit prej një fshati nga fshati tjetër, por janë vrarë në Barilëve.

“Tre kanë qenë ushtar, njëri ka qenë profesor, Selim Berisha që është vra me 20 mars dhe dy të tjerë. Për të fundit, më kujtohet që është vra me 18 maj, ka qenë komandant Togu dhe për të dytin mes 20 marsit dhe 18 maj, por ekzakt më vjen keq por nuk e mbaj mend”, bëri të ditur Ndreci.

Ndërkaq, tha se nuk i kujtohet saktë data kur e kanë liruar fshatin. Kurse, tha se gjeografikisht kanë vepruar në territorin e brigadës 151.

Avokati Betim Shala tha se gjatë intervistimit nga ana e mbrojtjes së Mustafës, përveç dy personave që i ka përmendur, në atë kohë ka përmendur dy persona të tjerë dhe me atë rast në pyetjen e avokatit “kush ishin këta dy persona që vdiqën atë ditë”, ju keni deklaruar “Kanë qenë Bedri Kurti dhe i dyti është dikush me mbiemrin Kaçiu, nuk ia di emrin pasi ishte me origjinë nga një fshat tjetër”.

Shala ka pyetur dëshmitarin se a i kujtohet që ka deklaruar kështu atë ditë, dëshmitari konfirmoi se ka përmendur këta dy persona.

“Po, këta kanë vdek me 12 prill sepse aty ku ne rrinim në lagjen Barileva në Verbovc, diku rreth orës 12:30 na kanë lajmërue se po afrohen forcat serbe rreth lagjes. Ne jemi mobilizu shumë shpejt, e kemi largu popullatën e asaj lagje, nuk ka pas shumë në numër, diku 200-300, janë largu të gjithë derisa kanë mbërri ata. Aty jemi ballafaqu me forcat serbe, ne ushtarët e UÇK-së”, tha Ndreci.

Ndërkaq, tha se këta dy persona nuk kanë qenë ushtar të UÇK-së, por se nuk e di saktë, pasi kanë vdekur dhe nuk ka kush të tregoj saktë.

“Sipas fëmijëve që kanë qenë, se këta i kanë kidnapu dhe marr më herët dhe i kanë marrë me vete deri te lagjja. Kur jemi ballafaqu me ta, ata në hakmarrje dhe ikje e sipër i kanë vra këta të dy dhe e kanë plagosur lehtë një plak”, bëri të ditur dëshmitari Ndreci.

“E përmende datën 22 prill dhe 12 prill, çka kanë rëndësi këto dy data që i përmendët”, pyeti avokati Shala.

“Secila e ka rëndësinë e vet se 12 prill na kanë sulmue në atë lagje në fshatin Barileva dhe i kemi ato dy viktima dhe një plagosje të lehtë. Kurse, data 22 prill na kujton se janë kthy prapë dhe na i kanë mbyll aty dy rrugë ose atë rrugë të vetme që e kemi pas me i depërtue njerëzit, për me kalue prej një pjese në pjesën tjetër dhe kemi mbet shumë keq”, tha dëshmitari.

Avokati Shala e ka pyetur se pasi i ka dhënë deklaratë mbrojtjes së Mustafës, a ka dhënë edhe ndonjëherë tjetër deklaratë për mbrojtjen.

“Jo, deklaratë nuk kam dhënë, por e kemi bërë një ndryshim, jo ndryshim. Avokatin e falënderoj se e ka nxjerr realitetin. Datën 22 prill e kam ngatërru me 12 prill sepse na ka ndihmu shumë fotografia dhe data te varri i Bedriut”, bëri të ditur dëshmitari Ndreci.

Sipas tij, fotografitë paraqesin datën e lindjes të së ndjerit dhe atë të vrasjes.

“Po, të Bedriut e kam parë, edhe tani e di emrin të Nexhmi Kaçiut”, ka thënë Ndreci, ndërkaq pasi iu treguan dy fotografitë, dëshmitari konfirmoi se janë të njëjtat që i janë prezantuar ditën kur është ftuar nga mbrojtja për të plotësuar deklaratën e tij.

Ai tha se nuk mendon se është gabim i madh ngatërrimi i datës 22 prill me 12 prill pasi bëhet fjalë për para 23 vitesh.

“Botërisht dhe zyrtarisht dihet se janë vrarë në të njëjtën kohë, ka mundësi një minut përpara dhe një minut prapa ose të njëjtin minut dhe këtu figuron 11 prill dhe 12 prill. Te datat e kam bo atë lloj gabimi që nuk e kam bërë me ndonjë qëllim të mundshëm, por harrim dhe ngatërrim i datave”, tha Ndreci.

Pas vrasjes së këtyre dy personave, dëshmitari tha se kufomat i kanë tërheq në mbrëmje ushtarët e UÇK-së dhe i kanë dërguar në fshatin Kozaricë, afër lagjes “Llumnica” pasi atje ka qenë më qetë dhe atje është bërë varrimi i tyre.

“Pastaj është bërë zhvarrimi dhe rivarrimi në vendlindjet e tyre”, tha Ndreci.

Dëshmitari Ndreci, tutje deklaroi se nuk e di pse i ka ngatërruar datat.

“Ne aty kemi pas viktima çdo ditë, njerëzit tjerë nuk o shumë që i mbaj mend për shkak se këtë janë vra atë ditë që janë sulmu dhe i kemi tërheq me ushtar i kemi varros vet dhe mbahet mend pak më shumë. Por, pse është ngatërru data 12 me 22 nuk kam ndonjë arsye apo shpjegim se pse”, ka thënë dëshmitari.

Ndërkaq, tha se gjatë luftimeve që kanë pasur me forcat serbe, nuk kanë pasur ndihmë nga njësitë e tjera pasi kanë qenë ushtarë të atij fshati që i kanë ndihmuar njësitë tjera me djem ushtarë, prandaj kanë qenë të vetëm djemtë e Barilevës.

Dëshmitari bëri të ditur se ka pasur lëvizje të ushtarëve të UÇK-së për çdo natë si nga ana e Gollakut për në Llap e edhe nga Llapi për Gollak, pasi janë shkuar për të ndihmuar pasi luftimet kanë qenë më të rrepta në pjesën e Llapit.

“Lëvizja është bërë natën dhe natën kanë lëviz si nga e djathta ashtu edhe nga e majta”, ka thënë dëshmitari.

Tutje, ai tha se urdhrat i kanë marrë nga përgjegjësit se nuk duhet të shihen nga forcat e armikut se janë afër popullatës dhe janë të armatosur dhe në asnjë mënyrë të mos bëjnë provokime pasi mund të hakmerren në popullatë.

Ai është pyetur nëse gjatë kësaj kohe ka pasur rast që ndonjë komandant i UÇK-së të kaloj nga një regjion në tjetrin, si nga Gollaku për në Llap, e dëshmitari e konfirmoi këtë, duke thënë që ka pasur fëmijë, gra, pleq, ushtar, komandantë, politikanë, gazetarë.

Dëshmitari tha se forcat serbe kanë mundur gjatë ditës të vërejnë këto lëvizje, mirëpo gjatë natës jo pasi ka pemë shumë dhe prandaj është gjetur edhe ngushtica e siguria.

Sipas tij, vëzhguesit kanë qenë shumë aktiv dhe nëse ka pas lëvizje të armikut është anuluar lëvizja dhe një natë kanë ndenjur në shtëpitë e lagjes “Verbovci” dhe “Vranidolli”, ku janë shërbyer me ujë e ushqim. Kurse, tha se në lagjen “Vranidolli” ka pasur edhe mjek e infermier.  Ndërkaq, tha se nëse janë njoftuar nga vëzhguesit  se nuk ka lëvizje, atëherë kanë lëvizur.

Ai bëri të ditur se uniformë adekuate ushtarake nuk kanë pasur për arsye që të mos vërehen nga armiku dhe për të mos dëmtuar popullatën. Kurse, tha se nuk kanë pasur as shenjë që janë identifikuar si UÇK pasi me atë shenjë prapë kanë mundur të diktohen nga forcat e armikut.

Lidhur me një dhomë/odë ku kanë qëndruar ushtarët e UÇK-së, ai tha se nuk e di saktë pse ndërtohet oda, por sipas tij, ndërtohet për një nej të burrave ndamas nga gratë.

“Ajo ka qenë dhomë, nashta ka qenë me përmasa më të mëdha se dhomat e zakonshme dhe është quajtur odë”, tha ai.

Për komandantin Isuf Shallaku, ai tha se nuk e kanë pasur hallin se kujt po i raporton apo nga kush po marrin urdhra.

“Pasi ka qenë ushtri vullnetare nuk ka pasur zyrë administrative të rregullt për me majt evidenca. Nuk na ka interesu shumë puna e njerëzve të tjerë, kemi pas punë shumë me të. Na ka vizitu, a keni çka me hangër, a keni halle, telashe”, tha ai.

Ai tha se të gjithë njëri- tjetrit i kanë thënë “komandant”.

Dëshmitari rrëfeu për një rast, ku kishte parë Isuf Shallakun dhe Salih Mustafën me një veturë “Golf 2”, që i ishte dukur interesante, ku kishte kërkuar të vozis këtë veturë, çka edhe e kishin lejuar.

Sipas tij, kjo ka qenë hera e vetme që ka shkuar nga Barileva në Llapashticë.

“Kur keni shku në shtab në atë kohë, në cilin vend ka qenë shtabi”, pyeti avokati Shala, kurse dëshmitari tha se ka qenë në Majac.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës

Ka nisur seanca e gjykimit të Salih Mustafës në Hagë.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës, sot dëgjohet dëshmitari i gjashtë i mbrojtjes

Në seancën e së martës, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, pritet  të dëgjohet dëshmitari i gjashtë  i mbrojtjes.

Seanca e fundit në këtë rast, u mbajt me 4 prill, ku u dëgjua dëshmitari Gani Sopi.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat