Një punëtor ka vdekur, pasi ka rënë nga kati i tretë i një objekti, në të cilin ishte duke punuar, në fshatin Grabanicë të Klinës.
Rasti tragjik ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 10:23.
Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës, ka dhënë më shumë detaje në lidhje me rastin.
“Sot, rreth orës 10:00, policia është njoftuar që në fshatin Grabanicë, në një objekt, në të cilin po punonte, një punëtor ka rënë nga kati i tretë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, gjithashtu edhe emergjenca e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Klinë. Mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e viktimës”.
Gashi tutje ka thënë që viktima ka qenë rreth moshës 50-vjeçare.
“Më vonë, në vendngjarje kanë dalë edhe njësitë e hetimeve rajonale, edhe prokurori i shtetit dhe, me urdhër të tij, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore”.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit, rasti është cilësuar si hetim i vdekjes dhe ende nuk dihet pse rasti është në fazën fillestare. Ende nuk kemi informata, rasti po hetohet”, tha Gashi.