Ish ushtari i UÇK-së rrëfen se si i plagosur deshi të ikte nga duart e serbëve

Aktuale

Ish ushtari i UÇK-së rrëfen se si i plagosur deshi të ikte nga duart e serbëve

Më: 19 prill 2022 Në ora: 20:42
Mehmet Fazliu

Një rrëfim të jashtëzakonshëm për plagosjen e tij në në luftë e ka dhënë Mehmet Fazliu, ish-ushtar i UÇK-së nga Zona e Drenicës.

Fazliu në rrëfimin e tij në kuadër të ciklit “Plaga për Lirinë”, ka treguar momentet dramatike të plagosjes së tij gjersa po kalonin kufirin nga Shqipëria për t’u futur në Kosovë me armatim.

“Na ishum në Tropojë për municion dhe më 17 korrik u nisëm na për Kosovë. U armatosëm një numër shumë i madh, diku rreth 1 mijë e 300 veta kemi qenë.  Në ora 06:00 të mbrëmjes kemi pritë derisa ka ra terri për të kalu kufirin shqiptaro-shqiptar me u fut në Kosovë me atë armatim”, rrëfen Fazliu.

Ai tutje rrëfen edhe formën se si kolona e ushtarëve ra në pritë.

“I kishim edhe 300 kuaj municion me veti. Diku rreth orës 02:40 minuta kemi ra në pritë, vëzhguesit kanë ra në mina. Aty jemi zbulu se është duke kalu një kolonë. Na u sulmum na ramë në një përrua me ujë, jo shumë i thellë me do gurë shkëmbi”, rrëfen tutje ai.

Fazliu tregon se si në një moment, pasi që ishte plagosur nga granatat, kishte tentuar edhe ta vrasë veten për të mos rënë në duar të ushtarëve serbë.

“Nga pjesa e poshtme neve na kanë sulmu me minahedhsa. Gjujshin me raketa ndriçuese, përfundojshin raketat ndriçuese, u gjujshin granatat. Në orët e hershme të mëngjesit unë jam plagos në atë vend. Aty quhet “Rrasa e Zogut” C2-shi, kufiri shqiptaro shqiptar nga ana e Tropojës. Aty jam plagos nga granatat që na kanë sulmu në pjesën e kokës, në krahun e majtë dhe në kuka, shpatulla. Diku rreth orës 10:00 kemi kalu atë pjesën. Masi forcat tjera i lëshoi Serbia me helikopter, nalt në pozicione të nalta dhe me qen për me na e zanë pritën, me na zanë të gjallë, dy herë kom tentu të vras veten në atë vend që të mos bije në duar të tyne”, ka rrëfyer ai tutje.

“Rasim Kiqina, Bedri Shala dhe Bekim Berisha sulmuan forcat serbe dhe na e zgjeruan rrugën që ne me depërtu në pjesën tjetër. Pjesën tjetër kur kam dalë atje, një shok i jemi i Drenicës, Blerim Bucolli i ka qky këmishat e brendshme, maicat e brendshme dhe mi ka lidhë varrët kah i kom pas, se mu mu mushën çizmet me gjak”, ka rrëfyer tutje ai.

“Ma kanë pru një kali dhe më kanë marrë me kali më kanë zhdjerg deri në një rrafshinë ku kanë ardhë mjetet tjera, kombat tjerë që na kanë marrë neve të plagosurve aty kemi qenë shumë të plagosur dhe na kanë qu deri në Tropojë”, tregon Fazliu.

Fazliu, ka treguar se si një copë të granatës që i hyri në trup nuk arritën as t’ia shkëpusin.

“Në Tropojë jena hi në xhami dhe ma kanë dhanë ndihmën e parë. Pjesën e granatës prapa që mu kish fut mu në kockë të ashtit nuk kanë mujt krejt me ma tërhek, është shkëput, mu ka dasht me u transferu në Tiranë”, rrëfen Fazliu.

“Në Tiranë e kam marrë ndihmën tjetër dhe jam shëru. Mas shërimit prapë ju kam kthy vendit tem, UÇK-së. Sot unë kam pasoja sa herë që ndryshon koha, këtë pjesën, cpirrën që është fut brenda në kockë nuk kanë mujt me ma tërhek. Ndjej dhembje ndaj saj, por edhe këtu ku i kam katër penjë të kepne prej pjesës së granatës, këtë pjesën që është çkoqë një kockë brenda, nuk kanë mujt me e tërhek është e çkoqtë, e thyme”, thotë Fazliu.

“Kur e kemi dhanë na betimin, së pari na u ka spjegu se çka të pret, çka të gjindet. Pa gjak liri s’ka, dhe aty u vërtetu se liria i ka rrënjet në gjak”, thotë në fund Fazliu.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat