Nagavci mbron vendimin e saj për nxënësit në Kamenicë: Ja pse nuk dorëhiqem

Aktuale

Nagavci mbron vendimin e saj për nxënësit në Kamenicë: Ja pse nuk dorëhiqem

Më: 21 prill 2022 Në ora: 22:01
Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i ka dalë në mbrojtje vendimit të saj për nxënësit në Kamenicë, edhe pse ditë më parë Gjykata Kushtetuese e cilësoi si shkelje të ligjit për qeverisje lokale. Nagavcit i është kërkuar dorëheqja, por ajo nuk po e mendon një gjë të tillë.

“Sa i përket dorëheqjes, unë e kuptoj se kjo është një kërkesë politike, por po e jap një sqarim”, tha ajo.

“Në aspekt moral unë jam e bindur që kam bërë mirë që jam kujdesur edhe për ata 441 fëmijë të Komunës së Kamenicës, sikurse do të duhej të kujdesesha për secilin nga fëmijët tjerë”, tha Nagavci për RTK-në.

“Në aspekt juridik formal, nuk priten vendime të tilla. Nuk ka masa që mund të merren”, shtoi ajo.

Nagavci tha se as në të kaluarën, nuk janë dorëhequr zyrtarët për çështje të ngjashme.

“Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar ligjin e pagave, ligjin për zyrtarë publikë etj. dhe shfuqizohen në vazhdimësi vendime të qeverive. Asnjëherë nuk është shpërndarë parlamenti pse deputetët kanë votuar këto ligje që shpallen anti-kushtetuese. Nuk ka marrë askush asnjë përgjegjësi nga deputetët, as nga ish-qeveritë. Unë jam e bindur se vendimet e mija kanë qenë në kuadër të kompetencave”, theksoi Nagavci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat