​Aktgjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt shpallet më 18 maj

Aktuale

​Aktgjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt shpallet më 18 maj

Më: 4 maj 2022 Në ora: 16:49
Gucati, Haradinaj

Trupi gjykues në krye me Charles Smith II ka caktuar 18 majin 2022 si datë për shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, njoftojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Seanca ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të fillojë në orën 10:00.

“Sot, më 4 maj 2022, Trupi Gjykues II caktoi shpalljen e aktgjykimit në çështjen kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt më 18 maj 2022 në orën 10:00. Këtu mund ta gjeni urdhrin për caktimin e datës”, thuhet në njoftim.

Ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar që Gucati e Haradinaj të dënohen me nga 6 vjet burgim dhe nga 100 euro gjobë.

Gucati e Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve që dyshohet të jenë nga Specialja, të cilat nga persona të panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat