Veteranët i bëjnë thirrje deputetëve të mos e votojnë projektligjin që u’a pamundëson rritjen e pensioneve

Aktuale

Veteranët i bëjnë thirrje deputetëve të mos e votojnë projektligjin që u’a pamundëson rritjen e pensioneve

Më: 5 maj 2022 Në ora: 00:53
Ilustrim

Të enjten Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare, ku në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, po konsiderohet se ky projektligj u’a pamundëson rritjen e pensioneve veteranëve në bazë të pagës minimale.

Faton Klinaku nga kjo organizatë, ka thënë se Qeveria po e shkel Kushtetutën me këtë veprim.

“Të nderuar deputetë, Nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës, si pikë 5 e rendit të ditës është paraparë që të diskutohet rreth pagës minimale, ku me anë të projektligjit, tentohet që të ndryshohen ligje që t’i heqin veteranët e luftës nga rritja e pagës minimale. Kjo qeveri mashtruese, duhet ta ketë parasysh se me këtë po bën edhe shkelje kushtetuese”, ka deklaruar Klinaku.

Ai i ka bërë thirrje deputetëve që mos ta votojnë këtë projektligj, ndërsa ka paralajmëruar edhe protesta.

“Prandaj, deputetë të nderuar, ju bëj thirrje që mos t’iu përdor Albin Kurti si mashë e kundër vlerave të lirisë, dhe ta keni parasysh se kjo gjë do të kundërshtohet me protesta nga ana jonë”, ka shkruar kreu i OVL-së së UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat