Arifi: Anëtarësimi i Kosovës në KE është një betejë të cilën mund ta fitojmë

Aktuale

Arifi: Anëtarësimi i Kosovës në KE është një betejë të cilën mund ta fitojmë

Më: 12 maj 2022 Në ora: 18:36
Këshilli i Evropës

Politologu Dritëro Arifi, tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një betejë të cilën mund ta fitojmë.

Arifi tha se shumë shpejt mund të formohet komisioni për të konfirmuar në qoftë se Kosova i përmbush kriteret e nevojshme për anëtarësim në KE, mirëpo kjo mund të ndodhë vetëm nëse punohet me përkushtim në të gjitha drejtimet.

“Kjo është një betejë edhe për vendet evropiane të cilën mund ta fitojmë, pra besoj që nëse punohet seriozisht në të gjitha drejtimet, shumë shpejt mund të procedohet të paktën me formimin e komisionit për të verifikuar se a i plotëson Kosova të gjitha kriteret e nevojshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropë”, tha Arifi në emisionin “Ditari”.

Ndërkaq, ai mendon se kjo është një fitore edhe për botën perëndimore.

Duke shtuar tutje se Kosova tashmë është në anën e duhur të historisë edhe pse një vend i vogël demokratik.

“Kjo nuk është vetëm fitore e Kosovës, është fitore edhe për botën perëndimore, sepse po hymë atje një vend demokratik, një vend i vogël, por një vend që është në anën e duhur të historisë. Nëse jo brenda këtij viti, vitin e ardhshëm mund të ndodhë që të ketë votim për pranim apo jo”, tha tutje Arifi.

Sot Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, organizatë kjo e cila qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në fushë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat