Përplasje të ashpra mes ministrit Murati dhe opozitës – Konjufca mbyll seancën plenare

Aktuale

Përplasje të ashpra mes ministrit Murati dhe opozitës – Konjufca mbyll seancën plenare

Më: 13 maj 2022 Në ora: 07:23 Përditësuar në ora: 17:33 më 13.05.2022
Kuvendi i Kosovës

Dështon miratimi i rishikimit të buxhetit, përplasje mes ministrit Murati dhe opozitës

Në mungesë të kuorumit ka dështuar të miratohet rishikimi i buxhetit për vitin 2022, pasi në momentin e votimit në sallën plenare ishin vetëm 54 deputetë. Megjithatë, diskutimet për rishikimin e buxhetit ishin të ashpra mes ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe deputetëve opozitarë.

Ministri Murati tha se ky rishikim është i nevojshëm, pasi në tremujorin e parë të vitit 2022 ka pasur rritje të hyrave prej 17 përqind më tepër, andaj vlera që i shtohen buxhetit është mbi 150 milionë euro që përdorën në kuadër të ringjalljes ekonomike, mirëpo i njëjti u kritikua nga partitë opozitare dhe u konsiderua se s’ka asnjë ndikim pozitiv për vendin.

Murati: Mbi 150 milionë euro i shtohen buxhetit me këtë rishikim

“Në tremujorin e parë të vitit 2022 kemi një rritje të të hyrave prej 17 përqind më tepër, krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kështu duke konsideruar për intervenime shtesë në mbështetje të qytetarëve, përkatësisht masat mbështetëse të prezantuara nga qeveria. Një rishikim të tillë, Ministria e Financave e ka parë si të domosdoshme. Vlera që shtohen në këtë rishikim është 150 milionë e 500 mijë euro, kurse rishikimi bëhet vetëm në Ministrinë e Financave në programin e ringjalljes ekonomike”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushataku tha se buxheti për vitin 2022 është konsumues dhe pa asnjë efekt zhvillimor.

Lushtaku: Ky buxhet është tërësisht konsumues pa asnjë efekt zhvillimor

“Ky buxhet është tërësisht konsumues pa asnjë efekt zhvillimor... Pjesa më e madhe buxhetore është planifikuar për politika ad-hoc, populiste të kryeministrit Kurti, pa asnjë efekt në ekonomi për të blerë paqen sociale me ata qytetarë që janë në nevojë”, tha ai.

Kritika adresoi edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, madje e cilësoi edhe si të kundërligjshëm.

Bajrami: Qysh ka mundësi të fillojë ekzekutimi i 100 eurove pa hy në fuqi ligji

“Qysh ka mundësi që ju keni filluar ekzekutimin, keni vendos 100 euro të gjithë punëtoreve në sektorin publik ende pa hy plotësim-ndryshimi në fuqi, ku i keni marrë këto mjete dhe cilët zëra buxhetorë i keni prek”, tha ai.

Ndërsa, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi tha se rishikimi i buxhetit nuk ka asnjë ndikim pozitiv për vendin.

Bytyqi: Projektligji s’ka asnjë ndikim pozitiv për vendin

“Projektligji është vendim i gabuar, pasi nuk ka ndikime pozitive dhe nuk reflekton në një menaxhim të duhur të financave publike të shtetit të Kosovës. Rishikimet buxhetore po bëhen, ndërsa asnjë investim dhe projekt zhvillimor në nivel shteti nuk ka filluar për vitin 2022”, deklaroi ajo.

Mirëpo, deputetëve opozitarë, sërish iu kundërpërgjigj ministri Murati, i cili tha se shtesat prej 100 eurosh i shkojnë direkt qytetarëve.

Murati: Këto pagesa shkojnë direkt në xhepat e qytetarëve

“Këto pagesa që ne po i bëjmë shkojnë direkt në xhepat e qytetarëve, të cilat munden t’i shfrytëzojnë për t’i mbuluar disa prej faturave dhe dhënë një shtysë për çdo familje”, deklaroi Murati.

Pas mungesës së kuorumit, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca mbylli punimet e seancës plenare dhe tha se për të njëjtën do të vendoset në Kryesinë e Kuvendit.

​S’ka kuorum për miratimin e Projektligjit për pagën minimale

Ka dështuar të miratohet Projektligji për pagën minimale në mungesë kuorumi.

Vetëm 51 deputetë kanë votuar pro, pesë kundër, ndërsa pjesa tjetër janë përmbajtur nga votimi.

Rrjedhimisht është vendosur që i njëjti projektligj të hidhet në votim në njërën nga seancat e ardhshme.

Ndërkohë, Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 15:30.

Abrashi i VV-së: Vendimi për pagën minimale është i mirë, mund të ndryshohet në të ardhmen

Deputeti i VV-së, Artan Abrashi, gjatë seancës që po mbahet për rritjen e pagës minimale në Kuvendini  Kosovës, ka thënë se vendimi momental për rritjen e pagës minimale është i mirë, e që sipas tij nëse krijohen mundësitë në të ardhmen mund të ndryshojë ky vendim dhe të ketë rritje të serishme të pagës minimale.

Këto tema që u ngritën si veteranët e  s’kanë të bëjnë me këto biseda që po bëjmë sot në Kuvend. Abuzimi që po bëhet nuk qëndron në aspekt me veteranët. Shumë shtete pagën minimale e kanë bërë shekullin e kaluar dhe këtë Kosova po bën tash. Ne nuk dyshojmë dhe nuk do të hezitojmë ta ngrisim dorën për një pagë minimale për 1000 euro, por nuk mund të ndodh se dihen pasojat”, tha ai.

 “Paga minimale është vendim i mirë dhe duhet ta marrim vendim ta votojmë. Në të ardhmen kur e keni mundësi mund ta ndërrojmë dhe ta bëjmë sa kërkohet”, tha ai.

Dugolli i VV-së: Me rritjen e pagës minimale do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se më  rritjen e pagës minimale do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë. Këtë deklaratë Dugolli e bëri sot në seancën e kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për  rritjen e pagës minimale në vend.

Kur po i dëgjoi opozitën jam i habitur a jemi duke folur për ligjin e pagave apo për kategorinë e veteranëve. Është turp që deputetët sot abuzojnë me kontributin dhe emrin e tyre. Ky ka qenë synim i Qeverisë Kurti që nga ditët e para të Qeverisjes. Që 11 vite paga minimale mbeti e pandryshuar. Qeveria Kurti syno që me këtë rritje të pagës minimale të fitojnë rreth 100 mijë punëtorë”, ka thënë Dugolli.

Tutje ai ka shtuar se numri i veteranëve të tanishëm s’është i saktë.

Qeveria Kurt ka një bisedë të vazhdueshme me organizatat e veteranëve të luftës së UÇK-së dhe bashkëpunimi. Ne gjithë e dim që numri real i veteraneve nuk është ky që po na servohet dhe na kanë sjell deri ktu”, tha ai.

Tahiri paralajmëron protesta nëse Qeveria s’i përfill kërkesat e tyre për ngritjen e pagës minimale

Në seancën e Kuvendit të Kosovës po diskutohet për ngritjen e pagës minimale në vend, mirëpo për këtë projektligj nuk janë duke u pajtuar deputetët e partive opozitare PDK, LDK dhe AAK.

Lidhur më këtë deputeti i AAK-së Besnik Tahiri, ka thënë se në rast se Qeveria e Kosovës, nuk i përfill kërkesat e tyre do të këtë protesta.

Ne duhet të jemi shumë serioz dhe kërkoj nga ministri Murati të ketë një diskutim shumë serioz mes dy leximeve. Unë kisha kërkuar prej jush prej grupit parlamentar të VV-së të ulemi e të diskutojmë haptazi. Ne si grup parlamentar është tepër me rëndësi që kjo kategori e njerëzve të mos diskriminohen në emër të një procesi tjetër.

Unë nuk e di qysh e merr gjumi dikush që u paraqit veteran e nuk është veteran. Duhet të ulemi të diskutojmë e mos të bëjmë një gabim shumë të madh. Në coftë se ne vim sot e miratojmë 250 euro pa një zotim ju garantoj se keni me pas protesta. AAK në këtë rast e kundërshton dhe voton kundër. Po ju them me përgjegjësi të plotë se keni me leshu pe. Protestat kanë me erdh në atë pikë se keni me u detyrua me leshu pe. Ju garantojë që protestat i keni përpara. Unë nuk muj u’a thirri, por ata vet do të protestojnë”, ka Tahiri.

Berisha thotë se nga VV-ja s’ka pasur luftëtarë, reagon Konjufca duke i numëruar deputetët pjesëmarrës në luftë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka replikuar me deputetin e PDK-së, Hisen Berisha, pasi ky i fundit tha se nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur deputetë që kanë qenë pjesë e luftës për liri.

Kur po thuani se nuk keni qenë pjesë e asaj kategorie. LDK po e shoh 1, në VV po i shoh 5, në PDK po i shoh dy. Kështu që nuk bën me hy andej sepse ka shumë deputetë që ofendohen e që kanë qenë (në luftë). Nuk bënë hiç të flisni në këtë drejtim dhe mendoj që prej të gjitha grupeve parlamentare kanë qenë”, tha Konjufca.

Por sërish për këtë replikë ka reaguar deputeti i PDK-së, Hisen Berisha. Ai ka thënë se kategoria më e diskriminuar në Projektligjin për paga janë veteranët.

Berisha akuzoi deputetët e Vetëvendosjes se ka pasë shumë “shpërfaqje dhe tendenca për të mohuar vlerat e luftës dhe veteranët në veçanti”.

Nëse keni komplekse nga fakti që s’keni qenë në periudhën e duhur pjesë e madhështisë së luftës për liri që të jetë veteran i kësaj luftës, invalid apo familje dëshmori nuk është e denjë dhe e ndershme t’i luftoni këto vlera”.

Berisha në foltore të Kuvendit tha se kategoria e veteranëve duhet të ngritët dhe duhet bërë me përkujdesje.

I keni dhënë pension social 170 euro dhe i pamundësohet të punojë askund tjetër. Pra, e keni shndërruar në një person të varfër dhe të pa dinjitet dhe kënd – njeriun më dinjitoz që e meriton të jetë njeriu më i respektuar në shoqërinë tonë. Mund të ciceroni sa të doni që jo e kanë bërë ata. Edhe atëherë edhe tash është keq. Keni ardhur me premtimin për ndryshim, urdhëroni bëjeni. Dhe mos e përdorni atë frazeologji që është bërë bajat “për 20 vite” se s’është e vërtetë”.

Berisha, Qeverisë: Mos diskriminoni veteranët e luftës, pensionet e tyre të jenë në nivel të pagës minimale

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha në seancën e sotme ka thënë se projektligji për pagën minimale është diskriminues ndaj kategorisë së veteranëve të luftës, pasi që kjo kategori përjashtohet nga rritja e pensionit të tyre.

“Ligji aktual për trajtimin e temës së pagës minimale e ka specifikuar që pensioni i veteranëve të luftës se UÇK-së duhet të jetë i barazvlefshëm me pagën minimale. Projektligjin që e keni sjell ju, parasheh që të largojë veteranët nga rritja e pensionit të tyre”, u shpreh Berisha.

Tutje, Berisha shtoi se shumica e veteranëve janë në gjendje të rëndë sociale dhe një numër i madh i tyre varen nga ky pension.

Veteranët pensionin nuk e kanë si shpërblim, ashtu siç e kanë vendet e tjera por e kanë burim të ekzistencës, dhe në qoftë se e marrin këtë pension nuk mund të punojnë diku tjetër”.

Ne e shohim këtë qasje si diskriminuese ndaj kësaj kategorie të nderuar të vendit, që i dhanë edhe gjymtyrët për lirinë e vendit, andaj kërkojmë që ky nen diskriminues i propozuar nga ju të largohet  në mënyrë që pensionet e tyre te jenë ne vije me pagën minimale”, përfundoi Berisha.

AAK-ja kundër propozimit për pagën minimale pa përfshirjen e veteranëve

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, thotë se nuk do ta përkrahin projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale.

Berisha thotë se nga ky projektligj janë duke u diskriminuar veteranët e luftës dhe se deri të bëhet ndryshimi i projektligjit me përfshirjen e tyre nuk do ta përkrahin.

Projektligjit që keni paraqit ju parasheh largimin e veteranëve në rritjen e pagës minimale. Ata e kanë këtë pagë për ekzistencë dhe ky pension ua pamundëson të bëjnë punë tjetër. Ky projektligj është diskriminues ndaj veteranëve dhe kërkojmë largimin e këtij projektligji pasi po i diskriminon ata që dhanë gjymtyrët e tyre për vend”, deklaroi ai.

Ne jemi kundër dhe nuk do ta votojmë derisa të ndryshohet ky projektligj dhe të përfshihen edhe ata”, tha Berisha.

Hoti kërkon dakordim me opozitën dhe Këshillin ekonomik-social për pagën minimale

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, duke folur në emër të grupit të LDK-së për qëndrimin rreth pagës minimale i ka kundërshtuar disa nga nenet e projektligjit për pagën minimale.

Ai e quajtur gabim ndarjen nga rritja e pagës minimale të veteranëve, personave me nevoja të veçanta si dhe normën tatimore të pagës mbi 250 euro.

Hoti i ka thënë ministrit Murati që të bëjë punë më të mirë pasi është më i dijshëm se kaq.

Unë e kam pasur bashkëpunëtorë në Ministrinë e Financave, ky ministër dinë më mirë sesa kaq në normat tatimore, ky ndryshim i shkallëve të tatimit nuk është i mirë”, tha Hoti.

Në fund Hoti në emër të grupit parlamentar të LDK-së ka kërkuar që projektligji si i tillë të tërhiqet nga qeveria dhe të arrihet një dakordim ndërmjet opozitës e po ashtu edhe Këshillit Ekonomik dhe Social.

Paga minimale vendoset për te ruajt standardin e një kategorie sociale. Kush janë ata?, Janë punëtorët e sektorit privat. Ju që e keni shkruar këtë ligj nuk e arrini atë qëllim. Ju vetëm targetoni. Nuk arrihet qëllimi i barazisë sociale. Nuk është e domosdoshme vetëm të diskutohet me partnerët social mirëpo duhet të arrihet dakordim. Ne nuk mund të themi asnjëherë që kemi konsumuar diskutimet me partnerët social për dakordim. Me partnerët social, qeveria duhet domosdo të komunikojë”, tha tutje Hoti.

Kuvendi miraton Projektligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës

Deputetët e Kuvendit kanë miratuar Projektligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, pas 33 amendamenteve të paraqitura, që u miratuan.

60 deputetë votuan për, ndërsa dy kundër, ndërkohë që nuk pati abstenim.

68 deputetë ishin në sallë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat