Borrell: Lidhjet e ngushta me regjimin e Putinit, nuk janë në përputhje me ndërtimin e së ardhmes në BE

Aktuale

Borrell: Lidhjet e ngushta me regjimin e Putinit, nuk janë në përputhje me ndërtimin e së ardhmes në BE

Më: 17 maj 2022 Në ora: 00:50
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë sanksionet evropiane ndaj Rusisë, ndërsa tërhoqi vërejtjen se ruajtja e lidhjeve me presidentin rus nuk përshtatet me ndërtimin e ardhmërisë evropiane.

Ai i bëri këto komente pas takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, në të cilin morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

Zoti Borrell tha se ministrat e BE-së mirëpritën dhe vlerësuam veprimet e atyre vendeve të Ballkanit Perëndimor që iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë për shkak të sulmit të saj mbi Ukrainën.

“Ministrat shprehën pritshmërinë e tyre të qartë ndaj partnerëve, si shtete të ardhshme anëtare, për t'u përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe politikës së jashtme evropiane. Ata që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë dhe Serbia është një prej tyre, duhet, sa më shpejt që të munden, të zbatojnë sanksione”, tha ai.

Zoti Borrell tha se është e qartë se “të mbash lidhje të ngushta me regjimin e (Vladimir) Putinit, nuk është më në përputhje me ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët me Bashkimin Evropian. Të dyja gjërat në të njëjtën kohë nuk janë të pajtueshme. Të qenit neutral sot, në lidhje me luftën e Ukrainës, është një koncept i rremë. Një vend ka pushtuar një vend tjetër dhe t’i vësh në të njëjtën peshojë dhe të mos arrish të bësh dallimin midis sulmuesit dhe të sulmuarit, dhe kjo nuk është e mundur. Ju nuk mund të shikoni në anën tjetër. E thashë në Parlamentin Evropian, në fillim të luftës dhe e përsërita sot. Sigurisht, ne mund ta kuptojmë se ka kufizime, ka vështirësi, ka opinione publike - çfarë të doni. Por është e qartë se ka gjëra që janë të papajtueshme”.

Ai përmendi faktin se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë vepruar në një vijë me Bashkimin Evropian madhe edhe Kosova e cila tha ai “nuk ishte e detyruar ta bëjë këtë, sepse nuk njihet as nga disa shtete anëtare”.

Zoti Borrell tha se përgjatë diskutimeve është theksuar se Bashkimi Evropian duhet të fillojë menjëherë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duke shfaqur shpresën që kjo të ndodhë gjatë kohës së Franca kryeson BE-në deri në fillim të muajit korrik.

“Të gjithë e shohim se kjo vonesë është e paqëndrueshme. Ne nuk mund t'u kërkojmë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që përmbushën të gjitha kushtet, të presin dhe të qëndrojnë të lidhura me njëra-tjetrën nëse nuk u ofrojmë një perspektivë të qartë. Kjo situatë nuk po i dëmton vetëm ata, po na dëmton neve. Po na kushton shumë neve dhe rajonit në aspektin e besueshmërisë dhe perspektivës politike. Është një dhuratë për Rusinë”, tha ai.

Zoti Borrell shfaqi shpresën që një takim i radhës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të mbahet para verës, ndërsa ritheksoi mbështetjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat