Dënimi me tre vite burgim për deputeten e LVV-së, çfarë thotë rregullorja e Kuvendit?

Aktuale

Dënimi me tre vite burgim për deputeten e LVV-së, çfarë thotë rregullorja e Kuvendit?

Më: 17 maj 2022 Në ora: 15:05
Jetmire Vrenezi dhe Mytaher Haskuka

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me tri vite burgim deputeten e Vetëvendosjes, Jetmire Vrenezin, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, Vernezi atë kohë inspektore e ndërtimit së bashku me Islam Thaqin, ish-drejtor i Inspektoratit kanë rrënuar aneks-objektin e ‘Abi Çarshia’, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Ndërkaq, në rast se dënimi vërtetohet nga shkalla e dytë, deputetja Jetmire Vrenezi e humb mandatin.

Këtë e përcakton Neni 25 i Rregullores së Punës së Kuvendit.

Image

Në nenin 25 pika d, thuhet se humbja e statusit të deputetit është kur dënohet për një vepër penale me burgim për një periudhë kohore prej një (1) e më shumë vjet, ndërkaq në pikën f. të nenit 25 thuhet se humbja e statusit të deputetit bëhet me vendim të formës së prerë të gjykatës nëse është konstatuar mungesa e aftësisë së tij juridike për të vepruar.

Urim Vokshi, avokat i deputetes Vernezi, ka thënë se është i zhgënjyer me vendimin e gjykatës.

“Në cilësi të avokatit theksoj se nga shkresat e lëndës dhe provat e administruara rrjedh se nuk janë plotësuar elementet e figurës së veprës penale në këtë rast. E njëjta është dënuar për nxjerrjen e një konkluzioni për rrënim të cilin ka pasur obligim ligjor ta nxjerrë si inspektore e lëndës”, shkroi ai në Facebook.

Image

Tutje theksoi se “posa ta pranojmë vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren të njëjtin do ta atakojmë mbi bazën e argumenteve të qarta në Gjykatën e Apelit”.

Ndryshe, Vrenezi është zgjedhur deputete e Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Kosovës dhe është anëtare në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat