Pistat e SHIK-ut dhe UDB-së për përmbysjen e pushtetit / Përplasja ‘kozmike’ që nuk do të ndodhë

Aktuale

Pistat e SHIK-ut dhe UDB-së për përmbysjen e pushtetit / Përplasja ‘kozmike’ që nuk do të ndodhë

Nga: Idriz Morina Më: 2 qershor 2022 Në ora: 12:07
Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, duke pasur një pushtet nga më të fuqishmit për nga numrat, në koalicion, dhe stabilitet që e mundëson, pikërisht fitorja në zgjedhjet nacionale të vitit të kaluar, nuk duhet të kthehet në një qark, ku udhëheqësit e shohin veten si të vetëmjaftueshëm.

Pavarësisht që dukej sikur krizat e mëdha kaluan, me shkuarjen drejt shuarjes së pandemisë Covid 19, filloi një zezon tjetër në Europë nga pushtimi rus në Ukrainë.

Vetë lufta, dhe përpjekjet e Rusisë për të pushtuar një vend fqinjë, madje me të cilin kanë ndarë shumë kohë të gjatë, me shekuj, të njëjtën çati, u kthye në një debat të vlerave.

Duke vrarë e djegur njerëz, duke e shkatërruar çdo pronë dhe biznes

Si mundet që një vend dhe një popull me të cilin kanë bashkëjetuar në shekullin e 21-të të jetë jo vetëm arrogant, por krejtësisht i pamëshirshëm, dhe i zhveshur nga çdo normë civilizimi, duke vrarë fëmijë, gra, pleq, burra të gjithë të pafajshëm dhe të paarmatosur, duke dhunuar e persekutuar po këto grupe pa faj, duke ua djegur çdo pronë të mundshme, shtëpi apo banesë, duke ua shkatërruar çdo biznes, qoftë edhe nëpërmjet plaçkitjes, që munden dhe e arrijnë?

Madje duke bombarduar edhe shkolla, çerdhe dhe spitale, objektet më të shenjta që ia ka rritur t’i krijojë njeriu, për të qenë qenie njerëzore e kulturuar!

Për disa teoricien të kulturave, gjërat e tilla kanë qenë të pritshme, si për Jurij Lotmanin (1922-1993), një nga kulturologët më të mëdhenj të shekullit 20-të, i rritur dhe i formuar në Bashkimin Sovjetik, por një estonez, që themeloi shkollën semiotike Tartu-Moskë, anëtar i Akademisë britanike (1977), Akademisë së Shkencave dhe të Letërsisë së Norvegjisë (1987), Akademisë Mbretërore të Shkencave të Suedisë (1989) dhe Akademisë së Shkencave të Estonisë (1990).

Ai e ka definuar kulturën ruse si binare, që ajo historikisht, sa ishte gjallë ai (1993) dhe deri më sot, siç e shohim të vërtetuar nga Putini, ajo është revolucionare, e dhunshme dhe e përgjakshme. Vetë revolucioni në esencë është përgjakje, një përgjakje e pamëshirshme, por nëse për një luftë çlirimtare është shtegu i vetëm, si për shqiptarët më parë, tani për ukrainasit, është plotësisht e shmangshme për pushtuesit, si Serbinë dikur, dhe Rusinë tani.

Image
Krime lufte të kryera nga Rusia

Por, kjo nuk është karakteristikë e kulturës apo civilizimit Perëndimor. Natyrisht, që edhe shtete perëndimore në vazhdimësi janë përfshirë në luftëra, por ato dallohen nga mënyra, me kontrollin e tyre, shmangien e vrasjeve masive, moslejimin në asnjë mënyrë të zhvillimit të gjenocidit apo etnocidit, kulturocidit etj., shmangien e dhunës seksuale (masive parasëgjithash)... kërkimin e dialogut në vazhdimësi, për të provuar me çdo kusht shmangien e luftës... Po ashtu të gjitha këto janë bërë të kontrollueshme nëpërmjet ligjeve ndërkombëtare, ligjeve që ndalojnë krimet e luftës, gjenocidin dhe format tjera të shtypjes... (luftë e kontrolluar-konflikt) këto dhe të tjera, janë që e shquajnë kulturën perëndimore, si trenaritet, sipas një përshkrimi të zgjeruar që do të mund t’ia atribuonim teorisë së Jurij Lotmanit (Kultura dhe bumi).

Po ashtu sipas saj, ajo e ka karakteristikë, se problemet e mëdha, si lufta në Kosovë apo në Ukrainë, i qendërzon deri në zgjidhjen e tyre, dhe më pas i ‘hedh’ drejt periferisë, sikurse ka ndodhur në Kosovë.

Ndërhyrja e NATO-s

Nuk mund ta dimë se diçka e tillë do të ndodhë edhe me Ukrainën, ndoshta edhe për shkak se do të vazhdojë të mbetet një vend shumë i rëndësishëm strategjik, me burime ushqimore të jashtëzakonshme, me pasuri minerare, gazi etj.

Lufta në Ukrainë, e riktheu vëmendjen e Perëndimit kah Kosova, por duke kujtuar dhe mbrojtur ndërhyrjen e Perëndimit në Kosovë, sepse e mbrojti një popull nga zhdukja, duke ia dhënë një atribut të ri, kulturës së saj trenare, ndërhyrjen në emër të humanizmit.

Perëndimi sërish ndodhet thuaja para të njëjtës dilemë, nevojës dhe ndërgjegjes kulturore për të ndërhyrë në emër të humanizmit në Ukrainë, miliona ukrainas të dëbuar në Europë, miliona të tjerë të dyndur brenda Ukrainës, si pasojë e luftës, parimeve që ndiqte edhe Serbia në Kosovë, të tokës së djegur, tashmë në përmasa edhe më të mëdha po e shohim në Ukrainë, fatkeqësisht.

Perëndimi atje ka zgjedhur në emër të ndërhyrjes së drejtpërdrejt ushtarake ta ndihmojë me armatimin thuaja më modern Ukrainën. Por, rezultatet finale ende mungojnë, veçmas nga shtyrja që i bën kërcënimi rus me përdorimin e armëve bërthamore.

A kemi mësuar nga këto histori, lufta e Kosovës – Ndërhyrja e Perëndimit dhe lufta në Ukrainë!

Dhe çka kanë të paqartë në vetvete Albin Kurti dhe Vjosa Osmani!

Kanë filluar dërdëllitjen mediat e ish-pushtetarëve, dhe madje edhe ndonjë ekspert, me plane dhe projekte të huazuara, që më shumë vërtiten kafeneve, se si mund të rrëzohen dyshja nga pushteti!

Nëse deri tash, Vjosa dhe Albini kanë qenë të bindur se ata nuk mund të lëkunden, së paku tani mund ta kenë të qartë, se gatishmëria për t’i rrëzuar nga pushteti vetëm sa mund të shtohet.

Image
Pamjet e trishta nga lufta në Kosovë, Serbia aplikonte strategjinë e tokës së djegur

Ish-udhëheqësit politik, të dëshmuar edhe si udhëheqës apo bashkudhëheqës të krimit të organizuar, madje edhe në veri të vendit me serbët lokal atje, nuk kanë reshtur së zhvilluari projekte dhe përpjekje për të përmbysur realitetin zgjedhor. Më së miri kjo strategji është shprehur nëpërmjet delegimit të ‘analistëve’ (shumë prej tyre që kurrë asnjë analizë të shkruar se kanë botuar, le më që nuk kanë konsistencë shkrimesh, idesh apo projektesh), nëpër disa televizione në pronësi të përfaqësuesve politikë të krimit të organizuar apo në shërbim kontraktual me ta.

Dikush, me naivitet e paraqiti si një skenar letrash, ku pushteti do të udhëhiqej nga një dyshe ish-ash, dhe një ish udhëheqëse e dëshmuar për dështim total të brendshëm dhe në shërbim të Hashim Thaçit, dhe duke e futur si pykë në mes, aleatin kryesor në VV Glauk Konjufcën. Skenari tjetër, më realist, duke mbledhur grimcat e përplasjeve dhe duke i rritur me llupa-teleskopike, nga zhvillime të padukshme, lokale, në ngjarje ‘kozmike’!

Këto ia atribuojnë një fragmenti përgjimi, të një biznesmeni, që mund të gllabëronte apo i ka përfituar 30 mijë euro, për një pranim të vlerësimit të një tenderi, por ku mungon hallka, e përgjigjes (sipas prezantimit) të zyrtarëve qeveritar, këshilltar, ministra etj.

Dromca tjetër, janë mosratifikimi i emrave të diplomatëve, që propozohen nga Ministria e Jashtme dhe ngelen nga presidentja Osmani!

Ndërsa, këto dhe deklarimet për ‘riformatim’ përdoren si ushqim për një përplasje ‘kozmike’, rënien e ‘yjeve’ apo shuarjen e tyre, të Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit!

Ndërsa, në gjithë këtë skenar, me djallëzi eliminohet faktori serb, pra roli i shërbimit inteligjent serb apo edhe atij rus, në bashkëveprim me të, për të sjellur forcat proserbe, të cilat që nga Vjena e deri më sot, nuk kanë ndalur thuaja asnjë kërkesë apo interes serb!

Mungesa apo e papranishmja në artikulim (skenar etj.) në disa raste, është më vendimtare se sa vetë prania e argumenteve. Në këtë rast, të gjitha ‘argumentet’ e skenarit ‘kozmik’, janë të parëndësishme karshi atij serb, interesave të tij, fatkeqësisht të ndihmuar qoftë në mënyrë aktive, qoftë pasive edhe nga Shqipëria, përkatësisht qeveria Rama.

Dy pistat e presionit mediatik

Pra, këto artikulime mediale, kryesisht burojnë në dy pista kryesore, nga ushqimi që marrin nga krimi i organizuar, ‘elitat’ e krijuara nga SHIK-u, dhe skenari tjetër më latent, por me ndikimi të fuqishëm që arrin ta ushtrojë shërbimi serb i UDB-së (BIA-s).

Sikur ato dhe ata ta kishin hallin e Kosovës, do të ishin në mbrojtje të interesit nacional nga këto institucione, si në bisedime, duke e kritikuar apo ‘parashikuar’ se mund të bëjë lëshime, për të njëjtat gjëra që kishte pasur lëshime vite më parë. Apo do ta kishin sulmuar ndonjëherë projektin ‘Ballkanin e hapur”, agresivitetin e Serbisë etj. Por, armikun e vërtetë Serbinë e kanë zëvendësuar me bartësit e institucioneve që premtojnë rezistencë. Këta duan t’i rrëzojnë, jo për të sjellur patriot më të mëdhenj, por aso politikanë që i kishim, që i bëjnë sa më shumë lëshime Serbisë, dhe që ndjekin me përpikëri agjendat e huaja, sikur shteti i Kosovës të ishte një ojq!

Perëndimi nuk është i interesuar në rrëzimin kaq të lehtë dhe të shpejt të një qeverie dhe të një partneriteti stabil, aq më tepër më të besueshëm dhe më lojal ndaj vetë Kosovës, se sa koalicionet e paqëndrueshme paraprake.

Perëndimi e ka të qartë se kthimi i elitave paraprake, nuk jep shpresa për sundim të rendit dhe të ligjit, ndëshkimin për krimin e organizuar etj.

Por, pikërisht në këtë pikë, ende qeveria Kurti, e shtyrë nga sabotues, njerëz të inkorporuar brenda saj nga strukturat e krimit të organizuar, kanë filluar të kthehen në pengesa të rritjes së efikasitetit të sundimit të ligjit.

Sundimi i ligjit, nënkupton më shumë spastrim nga figurat e inkriminuara në krim e korrupsion. Asnjë ish-zyrtar i lartë ende nuk është dënuar!

Ende në ministritë tuaja, vendimet më të ligjshme nuk i zbatojnë, nëse ato janë për këdo që mund të ketë pasur familjar, kundërshtarë të ish-regjimeve kriminale, pas pavarësisë. Modeli i shtypjes shovene të përzier me komunizëm dhe krim të organizuar vazhdon!

Pastrimi i ‘oborrit’

Albini, pra duhet ta pastrojë ‘oborrin’, ashtu siç ka sinjalizuar edhe deputeti Avdyli nga partneri i koalicionit. Pra, pastrimi duhet të ndodhë, para se komplotistët t’ju komprometojnë.

Miq të tu Albin, të paqes dhe të burgut, vazhdojnë ta thonë se ke në kabinet njeriun e gabuar z.Dalipaj, që unë se njoh, dhe s’kam asnjë mendim për të, por, një dokument publik flet, se si ai ka përfituar materialisht nga një regjim (i Thaçit), që ti dhe ne e kemi luftuar.

Ke një ministër kulture, që vetëm ministër kulture nuk mund të jetë, lëre më ta menaxhojë trashëgiminë kulturore. Sa për informacionet e tuaja, ai është shndërruar në një sinonim ojq-ist, sikur të ishte kryetar i tyre dhe përfaqësues i tyre dhe jo drejtues kulture.

Ai p.sh, financon projekte ojq-ësh lokale, që gënjejnë e mashtrojnë se qaji rus, është trashëgimi identitare llapjane etj.!

Në vende si Kosova dhe Shqipëria, unë mendoj se ministër kulture duhet të jetë vetëm një historian i identitetit apo një arkeolog i shquar, që si njëri dhe tjetri nuk e kontestojnë, por e hulumtojnë, trashëgimin tonë paragreke, mbi të cilin lindi ai qytetërim, me të cilin krenohet Europa. Greqia dhe Egjipti, thuajse gjithmonë e kanë ministër të kulturës një arkeolog!

Edhe Vjosa duhet ta kuptojë që nuk është një mbretëreshë, se duhet të investojë aq shumë buxheti për ndërrimin e rrobave të saja, një traditë e keqe e krijuar nga Atifete Jahjaga. Nëse ua mban xhepi, bleji me paratë tuaja, por mos krijo përshtypjen e një ndjekëse të fotomodeleve!

Shqiptarët ende besojnë se e kanë zgjedhur një grua të fortë për Presidente, që ndjek lakmuesit dhe jo lakmimin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat