Skender Hyseni: Qeveria në dialog po sillet njësoj si Qeveria e Serbisë

Aktuale

Skender Hyseni: Qeveria në dialog po sillet njësoj si Qeveria e Serbisë

Më: 2 qershor 2022 Në ora: 19:10
Skender Hyseni

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk po heq dorë asesi nga Kosova.

Madje, edhe në betimin e tij si president, dy ditë më parë ka thënë se Kosovën do ta ruaj si pjesë të Serbisë.

E, deri sa pikërisht mes të dyja shteteve që nga viti 2011 filloi procesi i dialogut i cili për synim ka normalizimin e marrëdhënieve, një gjë e tillë ende nuk ka marrë epilog.

As njëra palë e as tjera nuk po lëshojnë pe në kërkesat e tyre.

Si shkas i kësaj ende nuk dihet se edhe kur pritet të ketë marrëveshje finale, ani pse në këtë proces tashmë përpos Bashkimit Evropian janë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Skender Hyseni: Marrëveshja me Serbinë është e pashmangshme, ajo do ta njoh Kosovën

Se a pritet të ketë marrëveshje finale këtë vit, ka folur, ish-koordinatori në dialogun Kosovë –Serbi në qeverisjen e Avdullah Hotit, Skender Hyseni.

Ai thotë se një marrëveshje është e pashmangshme, dhe Serbia do të detyrohet ta njohë Kosovën si shtet.

“Nuk e di a do të ketë marrëveshje këtë vit, por që do të ketë marrëveshje një ditë është e paevitueshme, e pashmangshme. Serbia do të detyrohet një ditë ta njohë Kosovën si shtet. Varet nga palët nëse procesi do të dinamizohet, varet nga serioziteti i të dyja palëve nëse ky proces do të dinamizohet dhe rrjedhimisht sa do të marrë kohë”, është shprehur Hyseni.

Sipas tij zvarritja e procesit të dialogut është interes i drejtpërdrejtë i Serbisë dhe Rusisë e asesi i Kosovës.

“Është interes jetik i Kosovës që ky proces të përmbyllet sa më parë, ndërkohë po e them që status kuoja dhe zvarritja e procesit të dialogut dhe zvarritja e një marrëveshjeje të përgjithshme detyruese në mes Kosovës dhe Serbisë është interes vetëm i Serbisë dhe Rusisë e asesi interes i Kosovës”, ka thënë ndër të tjera ai.

I pyetur se si i komenton deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, Hyseni deklaron se ky i fundit nuk do të pyetet fare kur është çështja se a do të jetë Kosova e pavarur.

“Pra, shumë pak rëndësi ka se çfarë thotë Vuçiqi sepse Vuçiqi absolutisht nuk do të pyetet nëse Kosova do të jetë shtet i pavarur  apo jo. Kosova do të jetë shtet i pavarur deshi apo nuk deshi Vuçiqi”, ka pohuar Hyseni.

Hyseni, thotë se Serbia nuk mund të bëjë asnjë hap përpara në integrime pa e zgjidhur çështjen e njohjes së Kosovës.

“Serbia nuk do të mund të bëjë asnjë hap përpara në integrime qoftë evropiane, qoftë euroatlantike nëse ndonjëherë ndërron mendje pa e zgjidhur këtë çështje me Kosovën përkatësisht pa e zgjidhur çështjen e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë  ai.

Skënder Hyseni i ka disa fjalë për Albin Kurtin, i tregon si të sillet në dialog me Serbinë

E, për qasjen e Qeverisë Kurti në procesin e dialogut, Hyseni ka disa fjalë.

“Problemi është që Qeveria Kurti po sillet njësoj sikurse Qeveria serbe. Po e përdorin të njëjtën strategji të zvarritjes së pafundme dhe është gabim strategjik që po bën qeveria Kurti dhe vet Kurti”, është shprehur ndër të tjera Hyseni.

Bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë filluar në vitin 2011. Ideja ka qenë që të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve.

Deri te fillimi i bisedimeve ka ardhur pasi që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2010 miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe Serbia, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut Kosovë –Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Në një gjë të tillë kontribuoi mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2010, sipas të cilit, “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat