Kryeministri Kurti priti në takim Kryetaren e organizatës gjermane të arsimit, Education Unlimited e. V, Kerstin Zielosko

Aktuale

Kryeministri Kurti priti në takim Kryetaren e organizatës gjermane të arsimit, Education Unlimited e. V, Kerstin Zielosko

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 13:36
Foto nga takimi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim znj. Kerstin Zielosko, Kryetare e organizatës gjermane të arsimit, Education Unlimited e. V, të shoqëruar edhe nga përfaqësues të tjerë.

Ai mirëpriti të pranishmit dhe i falënderoi ata për bashkëpunimin e deritashëm e njëkohësisht shprehu gatishmërinë e thellimit në realizimin e projekteve të përbashkëta. Kryeministri Kurti ndau me të pranishmit të arriturat kryesore gjatë qeverisjes, duke veçuar miratimin në lexim të parë të ligjit për rritjen e pagës minimale pas 11 vitesh në 264 euro dhe lirimin nga tatimi i të ardhurave deri në pagën minimale, si dëshmi e angazhimit serioz të Qeverisë në përmbushjen e zotimeve para qytetarëve dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Në mesin e planeve dhe synimeve të qeverisë, kryeministri potencoi ngritjen e cilësisë së arsimit dhe urëzimin e tij me kërkesat e tregut të punës nëpërmjet modelit të sistemit dual të arsimit. Në këtë drejtim, u diskutua edhe për rëndësinë e edukimit në fëmijërinë e hershme dhe mundësinë e prezantimit të lëndës për kodim në shkollën e mesme dhe atë fillor.

Kryeministri Kurti po ashtu theksoi edhe rolin shumë të rëndësishëm të diasporës sonë në ndërtimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale me vendet ku ata jetojnë, por edhe në shkëmbimin e përvojave dhe dijes praktike.

Në shtator të vitit të kaluar, në Zyrën e Kryeministrit, u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë dhe Education Unlimited e. V, për projekte arsimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat