Kush ishte Kastriot Myftaraj? Nga autor librash dhe fillimet në gjykatë, te angazhimi në media e shkrimet e guximshme

Aktuale

Kush ishte Kastriot Myftaraj? Nga autor librash dhe fillimet në gjykatë, te angazhimi në media e shkrimet e guximshme

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 17:55
Kastriot Myftaraj

Gazetari dhe analisti Kastriot Myftaraj është ndarë sot nga jeta. Ai vendosi të ndahej nga kjo botë duke u hedhur nga kati i katërt i apartamentit ku banonte.

Myftarja është një emër i njohur për këdo, pasi shkrimet e tij janë të paktë ata që nuk i kanë lexuar, shumica e të cilave ngjallnin kureshtje e debat.

Kastriot Myftaraj lindi në Korçë në vitin 1966. Ai karrierën e nisi në fushën e drejtësisë dhe më pas kaloi te letërsia dhe gazetaria.

Myftaraj punoi fillimisht si ndihmës gjyqtar në Gjykatën e Korçës, ndërsa pas rrëzimit të regjimit komunist nisi karrierën në gazetari, ku shkruante për disa të përditshme shqiptare. Ai fillimisht shkruante në gazetën “55”, për të vijuar më pas te “Rilindja Demokratike” dhe te gazeta “Sot”. Aktualisht ai punonte në televizionin “Ora News”, ku drejtonte emisionin “Ju flet Moska”.

Po ashtu Myftaraj ka bërë edhe rolin e analistit. Për shumë vite ka qenë prezent në emisionin “Zonë e Lirë”, ndërsa po ashtu ka dalë dhe në debate politike. Po ashtu ai është autor i disa librave, ku mund të përmendim:

“Një shenjtore për reconquistën shqiptare”, 1988; “Gjyqi intelektual i Kadaresë”, 2008; “Jeta e fshehur e Enver Hoxhës” (1908-1944)” 2008; “Enigmat e sundimit të Enver Hoxhës (1944-1961), 2009; “Terrorizmi historiografik: Kritikë librit të Nathalie Clayer “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë” 2009; “Ballkanadolli gjeostrategjik: Një histori e realiteteve strategjike, përplasja mes Neo-Otomanizmit e Neo-Bizantizmit dhe Shqiptarët” 2011; “Prilli që nisi në idet e marsit: Konti Ciano dhe ngjarjet enigmatike ndërkombëtare që çuan në pushtimin e Shqipërisë në 1939”, 2011.

Kastriot Myftaraj ka guxuar shumë me shkrimet e tij, pasi në shumë raste ka shkaktuar polemika të forta, ku madje emra si Teodor Laço, Erion Veliaj, Rajmonda Bulku, Selim Muça, Ardian Fullani e hodhën dhe në gjyq, por ai doli fitimtar.

Policia ka nisur hetimet për ngjarjen tragjike dhe deri tani raportohet se Myftaraj pak kohë më parë ishte diagnostikuar me kancer dhe ndoshta kjo ka qenë dhe arsyeja që e ka çuar drejt aktit tragjik.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat