Në prag të takimit Kurti - Vuçiq, analistët presin rezultate konkrete

Aktuale

Në prag të takimit Kurti - Vuçiq, analistët presin rezultate konkrete

Më: 14 gusht 2022 Në ora: 15:09
Foto nga arkivi

Një takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq, në kuadër të dialogut, pritet të mbahet më 18 gusht, në Bruksel. Agjenda e takimit ende nuk është publike. Ndërkohë, njohës të procesit të dialogut thonë se pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës një takim i tillë është i nevojshëm dhe mund të sjellë rezultate konkrete, në drejtim të reciprocitetit.

Me kërkesë të shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 18 gusht pritet të mbahet takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizim marrëdhëniesh ndërmjet dy shteteve. Ky takim po vlerësohet si mjaftë i nevojshëm, pas zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës që erdhën si kundërpërgjigje e serbëve lokal, ndaj vendimit të ekzekutivit kosovar për vendosjen e masave të reciprocitetit. Njohësi marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, thotë për Radio Kosovën se pret që nga ky takim të ketë rezultate sa i përket zbatimit të vendimeve për masat e reciprocitetit që vendosi edhe Kosova.   

“Ky takim është i rëndësishëm dhe do prodhojë rezultate të cilat do të shihen në terren për zbatueshmërinë e vendimeve për sa i përket letërnjoftimeve në hyrje dalje dhe poashtu tabelave. Ndërlidhur edhe me zhvillimet e fundit në veri të vendit një takim i tillë është mëse i domosdoshëm, për të qartësuar dhe për të përafruar qëndrimet për zbatimin e reciprocitetit të dy anshëm”, tha ai.

Analisti Pula thotë tutje se është imperativ i kohës që të ketë rezultate në dialog e Kosova të shtrij rendin kushtetues e ligjor edhe në veriun e saj.

Ndërkohë, duke komentuar takimin që pritet të mbahet, edhe Artan Muhaxhiri, njohës i procesit të dialogut Kosovë-Serbi, thotë se Bashkimi Evropian synon arritjen e ndonjë marrëveshje, në këtë raund të dialogut.  

“Po është e pritshme që të ketë dicka konkrete nga ky takim, sepse takimet e më herëshme nuk kanë rezultuar me ndonjë efikasitet. Por, kësaj radhe është më ndryshe, sepse edhe BE synon që të arrihet ndonjë  marrëveshje në mënyrë që ta arsyetoj praninë e saj, por edhe gjithë ato investime që po bëhen në dialog”, tha Muhaxhiri.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e përbashkët në Bruksel. Takimi i fundit ndërmjet tyre në kuadër të dialogut, është mbajtur para një viti. Ndërkohë, kanë kaluar më shumë se një dekadë prej kur Prishtina e Beogradi zyrtar kanë filluar procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes vete. Përfundimi i dialogut me një marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke mes dy shteteve prej vitesh po e kërkojnë SHBA-të dhe shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat