​Kundërshtohet shtrenjtimi i energjisë elektrike, paralajmërohet protestë

Aktuale

​Kundërshtohet shtrenjtimi i energjisë elektrike, paralajmërohet protestë

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 09:38
Qytetari nga Prishtina, Visar Dili

Qytetari nga Prishtina, Visar Dili ka filluar kampanjën kundër propozimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Ai dhe shumë qytetarë nga vendi po shprehin kundërshtinë e tyre përmes platformës online duke paralajmëruar edhe protestë para institucioneve përkatëse.

Aktivisti dhe iniciatori i kësaj platforme, Visar Dili që nga e shtuna ka nisur kundërshtimin për dyfishimin e vlerës së tarifave të energjisë elektrike. 

Dili: Ka filluar si kampanjë virtuale për të parë interesimin e popullatës

“Kampanja ka filluar të shtunën, me një fotografi që e kam postuar në Facebook dhe me një hashtag kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ka filluar si kampanjë virtuale për të parë interesimin e popullatës rreth kësaj çështjeje. Pasi që veç të shtunën është informuar në mëngjes popullata prej mediave që ministrja e ‘habereve të zeza’, zonja Rizvanolli ka njoftuar se do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike dhe njëfarë mënyre është munduar që popullatës t’i shpjegojë se si të bëhet kursimi i energjisë elektrike”, thotë ai. 

Marrë parasysh dimrin e vështirë të vitit të kaluar, Dili thotë se ka vendosur që në platformë virtuale të shohin edhe interesimin e qytetarëve në lidhje me këtë çështje. Për çka tregon se po mbështetet nga shumë qytetarë. 

Dili: Paralajmërojmë edhe protesta 

“Kemi filluar me aksionin e parë, nuk do të jetë aksioni i fundit. Do të ketë edhe aksione të tjera. Kemi paralajmëruar dhe paralajmërojmë edhe për protesta. Gjykata Kushtetuese ishte ajo që në pranverën e këtij viti refuzoi dhe kundërshtoi shtrenjtimin e energjisë elektrike. Dhe kjo na vije në derë kësaj radhe për fajin e qeverisë, pasi që ata nuk paguan subvencionimin prej 90 milionë eurove, të cilën ia premtuan KEDS-it dhe ne do të shkojmë prapë tek dera e tyre dhe do kërkojmë edhe nga ta mbështetje në forma të cilat ligjërisht ata i shohin që janë më të mira duke mos lejuar që kjo neglizhencë e qeverisë të bie mbi barrën e qytetarit”,deklaron ai. 

Që nga e shtuna është duke u zhvilluar kjo platformë online, ku mbrëmjen e së martës janë ndezur qirinj para qeverisë, në simbolikë të territ dhe reduktimeve të energjisë elektrike. 

Dili: Do të vazhdojmë aksionin para qeverisë dhe KESCO-s 

“Ne do të vazhdojmë aksionin e radhës prapë para qeverisë, pastaj do të shkojmë prapë para KESCO-s, sepse siç dihet, KESCO i ka dhënë 20 ditë afat qeverisë që ta paguajë subvencionin prej 90 milionë eurove. Nëse nuk bëhet ajo, prej shtatorit neve na presin tarifat e shtrenjta. Do të mundohemi që brenda këtyre ditëve, nëse shohim që qeveria nuk është duke punuar, të thërrasim edhe protestë”, përfundon ai.

Furnizuesi me rrymë, KESCO ka propozuar të premten dyfishimin e tarifave të rrymës, kjo është arsyetuar me mos disbursim të subvencioneve të premtuara nga qeveria dhe me rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat