Detaje të tmerrshme: Shkelzen Gashi publikon fragmente nga libri në ardhje për masakrat në Kosovë

Aktuale

Detaje të tmerrshme: Shkelzen Gashi publikon fragmente nga libri në ardhje për masakrat në Kosovë

Nga: M.L. Më: 26 shtator 2022 Në ora: 18:22
Fotografia nga Alexandra Boulat

Publicisti Shkelzen Gashi, me rastin e 24 vjetorit të Masakrës së Abrisë, ka publikuar në profilin e tij, disa fragmente nga libri "Masakrat në Kosovë 1998-1999", që do të botohet së shpejti nga ADMOVERE dhe INTEGRA.

Aty tregohet se si pjesëtarë të Njësisë për Operacione Speciale, të Njësisë Speciale Antiterroriste dhe të Njësisë Speciale Policore të MPB-së së Serbisë, por edhe kontingjente të Ushtrisë Jugosllave, filluan granatimin e fshatit Abri e Epërme, duke shkatërruar shumicën dërrmuese të shtëpive.

“Gjatë këtij sulmi, forcat sërbe-jugosllave vranë, ekzekutuan dhe masakruan në Abri 14 civilë të paarmatosur, prej të cilëve 9 të familjes Deliaj, të mbetur ose të kthyer nëpër shtëpi për të marrë ushqim. Në mesin e tyre ishte një burrë 90 vjeçar, invalid i djegur për së gjalli në shtëpinë e vet, një grua e therrur me thikë në fyt, një burrë i masakruar me sëpatë, si dhe dy vajza (16 e 14 vjeçe) të përdhunuara e më pas të masakruara”, thuhet mes tjerash në librin që do të botohet së shpejti e të cilin e citon Gashi.

Postimi i plotë:

Meqenëse sot është 24 vjetori i Masakrës së Abrisë, po i nxjerrë këtu disa fragmente nga libri "Masakrat në Kosovë 1998-1999", që do të botohet së shpejti nga ADMOVERE dhe INTEGRA:

Herët në mëngjesin e 26 shtatorit 1998, pjesëtarë të Njësisë për Operacione Speciale, të Njësisë Speciale Antiterroriste dhe të Njësisë Speciale Policore të MPB-së së Serbisë, por edhe kontingjente të Ushtrisë Jugosllave, filluan granatimin e fshatit Abri e Epërme, duke shkatërruar shumicën dërrmuese të shtëpive.

Gjatë këtij sulmi, forcat serbe-jugosllave vranë, ekzekutuan dhe masakruan në Abri 14 civilë të paarmatosur, prej të cilëve 9 të familjes Deliaj, të mbetur ose të kthyer nëpër shtëpi për të marrë ushqim. Në mesin e tyre ishte një burrë 90 vjeçar, invalid i djegur për së gjalli në shtëpinë e vet, një grua e therrur me thikë në fyt, një burrë i masakruar me sëpatë, si dhe dy vajza (16 e 14 vjeçe) të përdhunuara e më pas të masakruara.

Këto forca, në pyjet afër fshatit masakruan edhe 13 civilë të paarmatosur, që të gjithë të familjes Deliaj. Në mesin e tyre ishte një grua shtatzënë me bark të prerë, një burrë me fyt të prerë e thikë të ngulur në gjoks dhe një plak me tru të nxjerrë. Një foshnje 6-javëshe mbijetoi në gjirin e së ëmës, por meqë mbeti rreth 36 orë në vendin e krimit pa ushqim e përkujdesje, nuk e mori veten dhe pas dy muajsh ndërroi jetë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat