Kadrijaj thotë se deputetët po lobojnë në Bruksel për liberalizim të vizave dhe për anëtarësim në KiE

Aktuale

Kadrijaj thotë se deputetët po lobojnë në Bruksel për liberalizim të vizave dhe për anëtarësim në KiE

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 18:28
Time Kadrijaj

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka dhënë detaje për qëndrimin e saj dhe të disa deputetëve të tjerë në Bruksel, me ç’rast po zhvillojnë takime me eurodeputetë.

Kadrijaj theksoi se në këto takime kanë kërkuar përkrahje për liberalizimin e vizave për Kosovën, e po ashtu edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Kemi takuar shumë eurodeputetë dhe qëllimi i këtyre takimeve është që po kërkojmë përkrahje prej të gjithëve për procesin e liberalizimit të vizave, për anëtarësim në Këshillin e Evropës, po ashtu po kërkojmë përkrahje edhe në të ardhmen edhe për procesin e dialogut duke e shpalosur qëndrimet tona sa i përket dialogut. Duke theksuar qartë se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke, dhe normal me respektim të sovranitetit dhe integritet territorial të Kosovës”, tha ajo.

Kadrijaj bëri të ditur edhe kërkesën që u kanë bërë shteteve të cilat nuk e njohin Kosovën.

“Kemi pasë deputetë edhe nga vende që se kanë njoft pavarësinë e Kosovës dhe e kanë kuptuar edhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova…ne kemi kërku edhe që ta njohin realitetin e ri të Kosovës… dhe ne kërkuam nga ato vende, edhe nëse nuk deklarohen për procesin e liberalizimit të vizave ose nuk mund ta përkrahin procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, së paku të abstenojnë”, tha deputetja e AAK-së.

Kadrijaj, së bashku me kolegë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Integrim Evropian, po qëndrojnë në Bruksel, ku po zhvillojë takime me eurodeputetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat