​Gërxhaliu: Arroganca e pushtetit do t’i kushtojë Kosovës në imazh

Aktuale

​Gërxhaliu: Arroganca e pushtetit do t’i kushtojë Kosovës në imazh

Më: 2 tetor 2022 Në ora: 10:40
Safet Gërxhaliu.

Distanca e pushtetit ndaj sektorit privat në vend demotivojë investitorët e huaj në Kosovë dhe nuk mund të ketë investime të huaja në qoftë se nuk mbështetët biznesi vendor, kështu thotë eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu shprehet se kriza ekonomike në Kosovë e ka një hov rritës e cila po ndikon edhe në aspektin social. Ai ka komentuar edhe deklaratat e qeveritarëve për indikatorët ekonomikë, ku thotë se nuk duhet të mashtrohen qytetarët me shifra. 

Gërxhaliu: Kriza ekonomike në Kosovë e ka një hov rritës 

“Kriza ekonomike në Kosovë e ka një hov rritës e cila po ndikon edhe në aspektin social, mirëpo ajo çka është më shqetësuese se te qytetarët ka revoltë dhe pakënaqësi që po manifestohet përmes sindikatave. E kemi në njërën anë qeverinë që paralajmëron dhe promovon të arriturat dhe rezultatet pozitive të indikatorëve ekonomikë, e në anën tjetër inflacioni ka arritur në 19.2 % sipas Bankës Botërore, dhe e tëra kjo vërtet e ka futur një skepticizëm tek qytetarët për një jetë më të mirë dhe për një ardhmëri më stabile. Dhe kur krejt kësaj i shtohen edhe debatet e fundit në relacion Kosovë-Serbi ku promovohet armatimi, ku përmenden termat e ndershëm për luftë dhe dukuri të tjera negative, druaj që të gjitha këto procese edhe më tepër po e rrisin pakënaqësinë e skepticizmit tek qytetarët dhe nuk duhet të na habisë fakti që sot në Ballkanin Perëndimor shumë më tepër tentohet të largohen të rinjtë dhe kuadrot e reja se sa të mbesin në Kosovë. Prandaj është koha kur duhet të kemi dialog të mirëfilltë publiko-privat dhe jo për t’u larguar”, thekson ai. 

Gërxhaliu, në një intervistë për KP, thotë se arroganca e pushtetit do t’i kushtojë Kosovës në imazh. 

Sipas tij, Kosova nuk mund të jetë atraktive për investitorët të huaj dhe për tërheqjen e tyre në qoftë se nuk është pro bizneseve ekzistuese në Kosovë. 

Gërxhaliu: Arroganca e pushtetit do t’i kushtojë Kosovës në imazh

“Vet fakti që kemi këtë mungesë të dialogut të mirëfilltë, qoftë me sindikatat ose me qytetarë, e dëshmon faktin e një distance të pushtetit që nuk i bën nder demokracisë, dhe vet fakti që kemi këtë arrogancë të pushtetit përballë sindikatave, do t’i kushtojë Kosovës në imazhin e vetë. Vet fakti që në Kosovë me vite të tëra nuk kemi investitorë të huaj dhe promovohet vetëm ndihma e diasporës, ndihmë e cila është e orientuar në konsum dhe jo në zhvillim, besoj që është mëkati më i madh që po bën Kosova Kosovës. Prandaj vërtet sot kemi sfida të shumta, por në qoftë se dikush duhet ta ketë përgjegjësinë për një situatë të tillë ekonomike çfarë e ka kapluar Kosovën, mëkataret jemi ne, në veçanti institucionet vendore dhe politikbërësit aktual’, thotë Gërxhaliu. 

Eksperti i ekonomisë, Gërxhaliu ka komentuar edhe deklaratat e fundit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me indikatorët ekonomikë dhe rritjen e depozitave nëpër banka. 

Gërxhaliu: Qeveritarët nuk po e thonë të vërteten

“Është e vërtet se nëse analizohen deklaratat qeveritare që thuhet se ka rritje të depozitave, por nuk e thonë të vërtetën. Të jeni në Zvicër, për të deponuar para në banka duhet të paguani tatim dhe obligime të tjera. Kështu që zhvillimi ekonomik i atyre shteteve është prioritet e në Kosovë vijnë e investojnë kapitalin dhe deponojnë, sepse nuk duhet të paguajnë asgjë. Prandaj, nuk duhet të mashtrohemi në shifra të tilla. Kosovës i duhet një zhvillim substancial, një rritje ekonomike substanciale dhe jo vetëm dekor politik dhe indikator të cilët vërtet nuk reflektohen në përmirësimin e jetës së qytetarëve në kohën kur inflacioni është shqetësues, dhe trendet ekonomike janë negative. Ndërsa diplomacia ekonomike dhe politike faktikisht është inegzistente ”, thotë ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat