Kërkoi që ministri i ri i Shëndetësisë t’i takojë Partisë Guxo, deputetët e LVV-së i përgjigjen Metës

Aktuale

Kërkoi që ministri i ri i Shëndetësisë t’i takojë Partisë Guxo, deputetët e LVV-së i përgjigjen Metës

Më: 6 tetor 2022 Në ora: 21:41
Artan Abrashi dhe Adnan Rrustemi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga Qeveria për dorëheqjen e ministrit Rifat Latifi.

“Jam ithtar i asaj që duhet ta presim një qëndrim zyrtar të qeverisë sa i përket kësaj çështjeje. Duhet të na bëhen zyrtarisht arsyet e dorëheqjes”, tha ai në “Debat Plus”.

Deputeti Abrashi e ka komentuar edhe kërkesën e deputetit Burim Meta, i cili pas dorëheqjes së Latifit, ka thënë se ky post duhet t’i takojë Partisë Guxo.

“Respekt për kolegun tonë, por si LVV për ne nuk është i rëndësishëm emri e mbiemri apo nominimi i personit nga ndonjë subjekt i caktuar, por përmbushja e premtimeve tona elektorale që i kemi pasur për sektorin e shëndetësisë”, deklaroi Abrashi.

Ndërsa deputeti tjetër Adnan Rrustemi ka thënë se është në përgjegjësi të kryeministrit zëvendësimi i ministrit të Shëndetësisë.

“Por thelbi i programit tonë është përmbushje e premtimeve elektorale dhe në fund të fundit funksionalizimi, njëherë e përgjithmonë i sistemit tonë të shëndetësisë që natyrisht është ndër sektorët më të rrënuar përgjatë viteve në Kosovë”, deklaroi ndër të tjera Adnan Rrustemi.

Menjëherë, pas dorëheqjes së ministrit Latifi, deputeti i Partisë Guxo, Burim Meta, përmes një postim i në Facebook, duke thënë se nuk ka më kohë për eksperimente në shëndetësi.

“Edhe sa ministra të shëndetësisë duhet të ndërrohen, që ky pozicion në fund t’i takoj GUXO-s”, ka shkruar Meta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat