Kryeziu për vizat: Gjermania nuk është pajtuar me kushtëzimin e Francës

Aktuale

Kryeziu për vizat: Gjermania nuk është pajtuar me kushtëzimin e Francës

Më: 13 tetor 2022 Në ora: 21:55
Taulant Kryeziu

Kushtëzimet e Francës për heqjen e vizave për shtetin e Kosovës, e ka quajtur të padrejtë analisti, Taulant Kryeziu.

Duke u bazuar në burime të tij, ai ka thënë se me kushtëzimin e Francës nuk është pajtuar shteti i Gjermanisë, e cila sipas tij ka qenë e qartë se Kosovës duhet të ju liberalizohen viza.

Po ashtu, shtetet si Belgjika, Suedia e Italia, sipas Kryeziut janë treguar skeptike.

“Kushtëzimin që e ka vendos Franca me informatat që posedoj, Gjermania nuk është pajtu, ajo ka qenë e qartë që Kosovës duhet t’i jepet mbështetje sepse ashtu janë zotuar. Belgjika, Suedia, Italia vende ose janë në prag të zgjedhjeve ose janë në qeveri teknike, kanë skepticizmin e tyre”, ka deklaruar Kryeziu në Debat Plus.

Kryeziu, më tej ka thënë se në përgjithësi ka pas një pajtueshmëri nga vendet e BE-së, që të shtyhet procesi i vizave përpara.

Në momentin e fundit, sipas tij, Franca ka ardhur me idenë e “ETIAS-it”, organizëm i cili e ka për qëllim fuqizimin dhe ruajtjen e kontrollit kufitar.

“Ka pas një dakordancë nga informatat që kam pasë, nga gjitha vendet për ta shty përpara procesin, kjo është hera e parë që dosja jonë vjen ë grupin e parë për viza. Franca duket se në momentin  e fundit ka ardhë me idenë e Etiasit, i cili është mekanizëm që ka për qëllim fuqizimin dhe ruajtjen e kontrollit kufitar për Zonën Shengen. Kjo aplikohet për të gjitha 63 shtete të cilat kanë akses në Zonën Shengen dhe nuk janë anëtar të BE-së. Iniciativa është e vitit 2016”, ka thënë ai.

Mekanizmi i ETIAS-it, sipas Kryeziut pritet të hyjë në fuqi në nëntor të vitit 2023.

“ETIAS-i me u lidh me vizat, nuk ka sens me kuptimin e asaj, sepse procesi i ETIAS-it, parashihet për herë të tretë të jetë në fuqi në nëntor të vitit 2023. Edhe vendet aktuale që lëvizin lirshëm, lëvizja e fundit lirshëm është bërë në 2010, po flas për Shqipërinë, edhe ato duhet t’i nënshtrohen rregullave për këtë aplikim online. Kjo e humb kredibilitetin, nuk ka qenë kurrë pjesë e udhërrëfyesit asnjëherë, të gjitha vendet që lëvizin në Shengen duhet t’i nënshtrohen këtij ndryshimi për vendet e BE-së”, ka deklaruar Kryeziu.

Kryeziu, u shpreh se Kosovës duhet t’i kërkohet çfarë i kërkohet vendeve të cilat lëvizin lirshëm në Zonën Shengen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat