Shefi i BE-së në Kosovë, “i befasuar” me uljen e pagave për gjyqtarë e prokurorë

Aktuale

Shefi i BE-së në Kosovë, “i befasuar” me uljen e pagave për gjyqtarë e prokurorë

Më: 24 nëntor 2022 Në ora: 15:17
Tomas Szunyog

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për gjykatësit dhe prokurorët.

Në një postim në Twitter, ai tha se “jam befasuar” nga ky vendim.

“Jam i befasuar nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i ulur dukshëm pagat e gjykatësve dhe prokurorëve”, tha Szunyog.

Ai thotë se “financimi adekuat dhe pavarësia e institucioneve gjyqësore janë gurë themele të sistemit të sundimit të ligjit dhe kërkesa themelore të procesit integrues në BE”.

Qeveria, në mbledhjen e djeshme, e ka proceduar për miratim në Kuvend Projektligjin për Paga, por paraprakisht ua ka ulur pagat gjyqtarëve e prokurorëve.

Ekzekutivi mori këtë vendim, duke shfuqizuar atë të marrë në mandatin e parë të Qeverisë Kurti.

Atëkohë e pati shfuqizuar vendimin e Qeverisë Haradinaj që rriste për 100 për qind pagat e të emëruarve politikë dhe që kishte efekt edhe te dyfishimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vendimi për uljen e pagave të stafit politik nuk kishte efekt në sistemin e drejtësisë.

Zëvendësministri i Ministrisë së Brendshme, Bardhyl Dobra, e arsyetoi uljen e pagave për këto kategori: “Besoj që rritja e pagave të asaj kohe jodetyrimisht ka pasur ndikim edhe në performancën e sistemit të drejtësisë”.

Vendimi i Qeverisë nxiti reagimin e gjashtë organizatave të shoqërisë civile.

“Vendimi i sotëm i Qeverisë, me arsyetimin e nxjerrjes së aktgjykimit për Ligjin nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i cili aktgjykim është nxjerrë para dy (2) vjet e katër (4) muajve qartazi cenon pritjet legjitime të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo shkelje e pritjeve legjitime paraqet shkelje të së drejtës në pronë, mbrojtja e së cilës garantohet përmes nenit 46 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, u tha në reagimin e tyre.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, pas këtij vendimi të Qeverisë, dolën me njoftimin se i kanë reduktuar punët, duke u marrë vetëm me raste emergjente. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat