Skandaloze, viktima përcillej nga vjehrra dhe vëzhgohej nga bashkëshorti në çdo vizitë familjare

Aktuale

Skandaloze, viktima përcillej nga vjehrra dhe vëzhgohej nga bashkëshorti në çdo vizitë familjare

Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 19:37
Hamide Magashi

Çdo vizitë familjare të cilën e kishte bërë Hamide Magashi në familjen e saj kishte qenë nën shoqërimin e vjehrrës dhe vëzhgimin e bashkëshortit.

Kështu kishte deklaruar në hetuesi Hamide Magashi, e cila u vra mbrëmë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.

Dosja hetimore të cilën e ka siguruar KALLXO.com përshkruan se përpos përcjelljes së vazhdueshme nga vjehrra dhe bashkëshorti, viktima kishte raportuar edhe për kërcënimet me armë, dhunën e vazhdueshme të cilën e kishte pasur nga bashkëshorti.

Madje Magashi kishte raportuar se kishte pasur edhe kërcënime me vrasje të burrit të motrës dhe kryerjes së marrëdhënies seksuale me motrën në praninë e saj.

Përpos dhunës dhe kërcënimeve Magashi kishte denoncuar edhe se çdo pagë të cilën e realizonte nga puna në Komunën e Ferizajt ia dorëzonte bashkëshortit, duke ia paguar kështu edhe gjobat për kundërvajtjet në trafik.

Të gjitha këto pretendime ishin mohuar nga i dyshuari Sokol Halili.

Pas këtyre deklaratave në fund të muajit korrik të këtij viti ishte bastisur shtëpia e të dyshuarit Sokol Halili. 

Gjatë kontrollit atij i ishin gjetur dy armë, njëra pushkë gjuetie me leje të skaduar dhe një pistoletë me gas. 

Pasi ishte intervistuar në lidhje me këto armë të konfiskuara, i dyshuari me urdhër të prokurorit Rasim Maloku ishte liruar në procedurë të rregullt.

Për armëmbajtje pa leje Sokol Halili ishte dënuar në shtator të këtij viti me gjobë prej 300 euro.

Përpos akuzës për armbëtjeje pa leje, në gusht të këtij viti Sokol Halili ishte akuzuar edhe për veprën penale – kanosjes, ku rasti është duke u trajtuar.

Hamide Magashi u vra mbrëmë në oborrin e QKUK-së ndërsa Policia është vënë në kërkim të të dyshuarit, i cili  pasi kreu krimin u largua në drejtim të panjohur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat