Partia Demokratike e Kosovës po kërkon shkarkimin e menjëhershëm të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, si dhe i njëjti të hetohet nga organet e drejtësisë.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se tashmë ka fakte të reja që dëshmojnë përfshirjen e Berishajt në skandalin energjetik.
Çitaku: Martin Berishaj të shkarkohet dhe të fillojnë hetimet ndaj tij
“Por në dimensionin e lidhjes që i bën bashkë Albin Kurtin dhe Martin Berishajn, e cila është pengesë për t’u hapur rrugë përgjegjësisë dhe të vërtetës, një gjë është shumë e qartë, prapa ambasadorit Berishaj fshihet një lidhej shumë e thellë e pushtetit me mafinë energjetike të vendeve të rajonit. Jemi të bindur se për të shërbyer si ambasador është tema e fundit për të cilën preokupohet Martin Berishaj e për të cilën mendon Albin Kurti. Megjithatë ajo çfarë ne duhet të insistojmë është që nga kjo aferë e derisa e njëjta të zbardhet deri në fund imazhi i Kosovës si shtet të mos dëmtohet edhe më tej. Prandaj, ne kërkojmë nga organet e zbatimit të ligjit që ta bëjnë punën e tyre hetuese si dhe nga institucionet përgjegjëse që zoti Berishaj të shkarkohet menjëherë nga detyra e ambasadorit”, ka thënë Çitaku.
Çitaku ka thënë se qeveria është përpjekur ta amnistojë këtë aferë.
Çitaku: Qeveria është përpjekur ta amnistojë aferën ku është përfshirë Martin Berishaj
“Përkundër se qeveria është përpjekur me çdo kusht që ta amnistojë këtë aferë, skandali po thellohet seç herë e më shumë dhe ka marrë rrugë drejt shpalosjes së fakteve tepër shqetësuese, të cilat jo vetëm që tejkalojnë çështjen e integritetit diplomati ke personal apo edhe ndjekjes penale, por të cilat sot shtrihen deri te zyra e kryeministrit Albin Kurti dhe implikojnë vet shtetin e Kosovës”, ka thënë ajo.
Çitaku ka thënë se dje mediat kanë raportuar për të dhëna sipas saj faktike në lidhje me veprimtarinë komerciale të Berishajt me kompaninë GEN, të dhëna këto për të cilat Çitaku ka thënë se Berishaj nuk ka qenë i sinqertë në paraqitjen e tij para komisionit hetimor parlamentar.
Çitaku: Martin Berishaj ka dhënë deklarata të rrejshme në komisionin hetimor
“Ambasadori Berishaj në komisionin hetimor duket se ka dhënë deklarata të rrejshme dhe kjo në vetvete është vepër penale. Sipas këtyre të dhënave në llogarinë e zotit Berishaj kompania GEN ka hedhur hiç më pak se 1 milion e 470 mijë euro, vlera të cilat zoti Berishaj nuk i ka raportuar në komisionin parlamentar hetimor. Paralelisht me këto të dhëna që flasin shumë, se këtu kemi të bëjmë me një përpjekje të organizuar për të fshehur gjurmë, dje pati shkrime edhe në mediat e huaja se kompania GEN në kuadër të shpëlarjes së parave përmes kontabilitetit fiktiv kishte financuar edhe fushata politike duke përmendur këtu mes tjerash fushatën zgjedhore të kryeministrit Albin Kurti, ku për koeçidencë periudha kur mendohet se GEN ka financuar këto fushata përfshin periudhën kur zoti Berishaj kishte tërhequr mjetet e deponuara nga GEN-i në llogarinë e tij”, ka shtuar ajo.
Sipas Çitakut ky rast e dëmton imazhin e Kosovës andaj ka thënë se duhet filluar hetimet dhe Berishaj të shkarkohet nga detyra e ambasadorit.