Haxhiu: Reçaku, dëshmia për gjenocidin e Serbisë ndaj popullit të Kosovës
Nga: H.O.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një postim të saj në Facebook ka kujtuar Masakrën e Reҫakut, duke e quajtur si dëshmia më e fuqishme për gjenocidin serb në Kosovë.
Haxhiu shkruan se në këta rast, janë masakruar 45 civilë shqiptarë të paarmatosur nga ushtria kriminale serbe.
“Do të angazhohemi që brezave t'ua mësojmë mirë historinë me vuajtjet e pashembullta që populli ynë përjetoi nga kriminelët serb në periudha të ndryshme, e veçmas në atë të gjysëmshekullit të 20-të”, shkruan ajo.
Postimi i plotë:
Reçaku është dëshmia e fuqishme në sytë e mbarë botës për gjenocidin e Serbisë ndaj popullit të Kosovës
45 civilë shqiptarë, të paarmatosur u masakruan nga policia dhe ushtria kriminale e Serbisë.
Sikur as kjo të mos mjaftonte, një varg masakrash do të kryheshin me direktivat e regjimit serb ndaj popullësisë së pafajshme e liridashëse, vetëm pse ishin shqiptarë.
Do t'i kujtojmë përherë e do të angazhohemi pandalur që Serbia të marrë dënimin e merituar për të gjitha ato krime që ka kryer, për të cilat nuk pendohet dhe të cilat i mohon.
Do të angazhohemi që brezave t'ua mësojmë mirë historinë me vuajtjet e pashembullta që populli ynë përjetoi nga kriminelët serb në periudha të ndryshme, e veçmas në atë të gjysëmshekullit të 20-të.
Do ta mbrojmë lirinë tonë të shtrenjtë duke kujtuar përherë martirët e rënë gjatë luftës për liri.
Ambasadori Walker krahason motin e atëhershëm me tani në Reçak: Sot ndriçon dielli, qielli i kaltër
Ambasadori William Walker ka folur në ceremoninë e përkujtimit të Masakrës së Reçakut, duke thënë se vjen këtu për çdo vit, për arsye të ndryshme, por se arsyeja më e rëndësishme që ai vjen, është për të parë përparimin që bëhet në vend.
“Unë vij në Reçak për çdo vit për arsye të ndryshme. Më e rëndësishmja është se vij për të parë se çfarë progresi është bërë në Reçak, në Shtime dhe në të gjithë Kosovën. Çdo vit shkoj i impresionuar me pozitivitet për atë se çfarë është bërë dhe çfarë do të bëhet”, tha Walker.
Walker krahasoi motin e para 24 viteve me atë sot, duke thënë se kjo simbolizon se gjërat janë improvizuar.
“Moti ishte shumë i keq, ishte shumë i vështirë për të ecur dhe për të parë trupat e viktimave. Sot ndriçon dielli, qielli është i kaltër dhe kjo simbolizon se gjërat janë improvizuar”, u shpreh ai.
“Njerëzit e Kosovës kanë bërë gjëra të çmueshme që atëherë. Tani shoh njerëzit e fshatit, njerëzit që i pashë në horrorin e asaj nate. Disa kanë vdekur, disa që kanë qenë në moshën time, por më pëlqen kur shoh shumë fëmijë tani”.
“Çdo vit që vij, numri i njerëzve që vijnë në Reçak për respekt rritet dhe vetëm rritet. Tani i shoh njerëzit që vijnë nga e gjithë Kosova”.
Walker përmend Thaçin: Gëzohem që Kurti vjen në Reçak si kryeministër
Ambasadori William Walker ka thënë se numri i njerëzve që vijnë në Reçak për homazhe është shtuar pas çdo viti. Ai tha se edhe përfaqësues nga Qeveria e Kosovës tani janë të shumtë në numër të cilët vijnë për të treguar respekt.
Ai tregoi për ish-presidenti Hashim Thaçi erdhi para tri vitesh në Reçak, kur ia kishte dhënë një lule për të mbajtur në zyrë dhe sa herë ta shihte atë, ta kujtonte Reçakun.
“Tri vite më parë e mirëprita presidentin Hashim Thaçi, kur erdhi për herë të parë dhe i dhashë një lule për ta mbajtur në zyre, dhe sa herë ta shihte ta kujtojë Reçakun. Më tha se ashtu ka bërë, tani nuk e di se ku është dhe nuk e di nëse e kujton ende Reçakun”, tha Walker.
“Ajo që dua të them është se çdo vit qeveria qendrore dëshiron të vijë dhe të tregojë se Reçaku përfaqëson shumë më shumë sesa vetëm një regjion, përfaqëson Kosovën”.
Ndërkohë, për Kurtin tha se ka ardhur çdo vit dhe se është i gëzuar se tani vjen si kryeministër.
”Kryeministri vjen këtu për çdo vit që kam qenë këtu, jam i gëzuar që e shoh tani si kryeministër, jam i sigurt se e njëjta vlen edhe për presidenten Vjosa Osmani, por e njëjta nuk ishte tri vite më parë”, u shpreh ai.
Kurti: Prokuroria ka lëshuar fletëarreste ndërkombëtare për 18 serbë që dyshohen për pjesëmarrje në Masakrën e Reçakut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në akademinë përkujtimore me rastin e 24-vjetorit të Masakrës së Reçakut.
Ai u shpreh se ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij.
Kurti tutje u shpreh se një krim i tillë nuk mund të fshihet e as të amnistohet.
“Ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij. Por, një krim kundër njerëzimit, e një gjenocid si ai që kryen forcat e Serbisë në Reçak me 15 janar, nuk mund të fshihet, nuk mund të mjegullohet dhe nuk mund të amnistohet”, u shpreh ai.
Ai tha se janë lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohet për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut.
“Duke u thirrur në dëshmitë e kohës në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohet për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut”, tha ai.
Tutje, Kurti u shpreh se shteti ynë nuk i amniston kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës.
“Sot në 24-vjetorin e masakrimit të 45 shqiptarëve nga forcat e Serbisë në Reçak, teksa kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimat e asaj kohe të errët, më lejoni që para jush, nga pozita e Kryeministrit të Republikës së Kosovës t’iu them që shteti ynë demokratik nuk i amniston kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës", shtoi ai.
Kurti: Walker i dha veprimtarisë së tij një vend të rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në akademi përkujtimore me rastin e 24-vjetorit të Masakrës së Reçakut, ndër të tjera foli edhe për ambasadorin William Walker.
Ai u shpreh se Walker i ka dhënë veprimtarisë së tij një vend të rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës.
“Duke marrë anën e të vërtetës në një kohë ekstreme për Kosovën, ambasadori Walker i dha veprimtarisë së tij prej diplomati një vend të rëndësishëm në historinë moderne të vendit tonë”, u shpreh Kurti.
Ai u shpreh se ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij.
Osmani: Të masakruarit e Reçakut trokasin çdo ditë në ndërgjegjen tonë, propaganda e Vuçiqit i masakroi edhe një herë
Presidentja Vjosa Osmani tha se 45 civilët e masakruar 24 vjet më parë në Reçak të Shtimes trokasin çdo ditë në ndërgjegjen e secilit për drejtësi.
Këto komente Osmani i bëri në akademinë përkujtimore të Masakrës së Reçakut.
Osmani tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ishte përkujdesur t’i masakronte edhe një herë viktimat me propagandën të cilës i printe pas masakrës.
“Sot kur i kujtojmë me dhembje të dashurit tanë, të cilëve makineria e dhunës ua këputi jetën vetëm e vetëm sepse ata ishin shqiptarë, sepse donin të jetonin të lirë, detyrimi për të siguruar drejtësi për ta e për të gjitha viktimat gjithandej Kosovës, bëhet synimi ynë më i madh më i rëndësishëm. Sepse historia e secilit prej tyre, është historia e Kosovës”, tha presidentja.
Krerët e shtetit e kundërshtojnë mohimin e Masakrës së Reçakut nga Serbia
Drejtuesit e institucioneve të Kosovës iu kundërvunë Serbisë edhe në ceremoninë përkujtimore në 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut.
Në këtë ceremoni, krerët e shtetit kundërshtuan tendencat e Serbisë për mohimin e masakrës së Reçakut.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kjo masakër shënon kthesën historike, e cila sipas saj e zgjoi vëmendjen ndërkombëtare.
“Jemi mbledhur sërish për të përkujtuar krimet monstruoze të 15 janarit të vitit 1999 në Reçak, të cilat shërbyen si një moment i kthesës historike. Jo se vetëm aty mizoria e regjimit të Millosheviqit ndaj civilëve shqiptarë mori trajtën më çnjerëzore por që shënoi edhe një moment në të cilën vetëdija ndërkombëtare u zgjua përfundimisht”, tha Osmani.
“Masakra e Reçakut bëri që qendrat vendimmarrëse demokratike bëri që të mobilizoheshin për ta mbrojtur popullin e Kosovës”, tha ajo.
Mohimin e kësaj masakre nga shteti serb, e përmendi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
“Përgjithsisht kur e vërteta është kaq e fuqishme si Masakra e Reçakut, shfaqen edhe narrativa mohuese ndaj saj sikur që ka bërë Serbia që nga dita e parë e Masakres e deri më sot, duke i mohuar e duke u munduar ta falsifikojë këtë masakër. Më datë 5 dhjetor të vitit 2019, presidenti aktual i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se kjo masakër është fabrikim dhe falsifikim. Ndërkaq dy vjet më vonë ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq e përsërit atë që e ka thënë presidenti i Serbisë, falsifikim dhe fabrikim”, tha Kurti.
Osmani: Çdo varr në Reçak ka një histori tmerri
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se çdo varr në Reçak ka një histori tmerri. Në 24-vjetorin e masakrës në këtë fshat të Shtimes, e para e shtetit shtoi se synimi më i rëndësishëm është sigurimi i drejtësisë.
Në akademinë përkujtimore, ajo shtoi se deklarata e Walker bëri jehonë kudo në botë.
"Aty mizoria e regjimit mori trajtën më çnjerëzore, shënoi një moment që vetëdija ndërkombëtarëve u zgjua përfundimisht. Reçaku dëshmoi se Kosova ishte edhe sfida e përballjes demokratike, a do të dorëzohej një qytetërim botëror para një barbarie. Ky moment kthese lidhej me një emër dhe një njeri, ambasadori Willlam Walker. Krimet e kryera këtu në Reçak, ku civilë shqiptarë u shënuan mizorisht i dëshmuan botës për tragjedinë që po përjetonin shqiptarët", u shpreh Osmani.
"Sot kur i kujtojmë me dhimbje të dashurit tanë, detyrimi për të siguruar drejtësi për ta bëhet synimi ynë më i rëndësishëm. Historia e gjithsecilit prej tyre është vet historia e Kosovës. Ata thërrasin për drejtësi sot e kurdo herë. Mos të harrojmë kurrë që çdo varr në Reçak ka një histori tmerri", ka shtuar ajo.
Abdixhiku: Masakra e Reçakut, një ndër aktet më të rënda ndaj popullit të Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i shoqëruar me bashkëpunëtorë bënë homazhe dhe nderuan jetën dhe veprën e të rënëve te Kompleksi memorial në Reçakë në 24-vjetorin e masakrës së Reçakut.
Abdixhiku tha se mëngjesi i hershëm i 15 janarit të vitit 1999, mban një ndër aktet më të rënda, më të dhimbshme dhe më tronditëse të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.
“Aq tronditës ishte ky akt - krim kundër njerëzimit do ta quante ambasadori Walker atëherë - sa që i njëjti u bë pikë kthese e vëmendjes së botës demokratike ndaj Kosovës dhe angazhimit tonë për jetë të lirë. Sot, teksa po largohemi pothuajse një çerekshekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve. Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri”, tha Abdixhiku.
Limaj: Reçaku, një nga shtyllat e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, shoqëruar nga bashkëpartiakë, ka bërë homazhe pranë Kompleksit memorial në Reçak.
Limaj tha Reçaku është një nga shtyllat e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe për historinë e vendit duhet të flitet çdo ditë në mënyrë që ajo të mos ndryshohet nga kriminelët.
Limaj: Mos të lejojmë përmbysjen e gjithë asaj që kemi ndërtuar
"Sikur Prekazi, Reçaku e vende tjera në Kosovë janë shenja, shtyllat e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Sot më shumë se kurrë kombi shqiptar e populli i Kosovës ka nevojë zëshëm e fuqishëm dhe jo vetëm në përvjetor, por çdo ditë e çdo vend dhe kohë të tregojmë historinë tonë të lavdishme, mos të lejojmë përmbysjen e gjithë asaj që kemi ndërtuar. Këta burra, gra e fëmijë të cilët janë këtu, janë dëshmia më e mirë për sakrificën që e ka bërë populli i Kosovës, janë dëshmia më e mirë se si ka qenë e vërteta, kush janë masakruesit e shkatërruesit, kush ka shkaktuar gjenocid mbi këtë vend, kjo është e vërteta faktike, materiale dhe askush dhe asgjë nuk mund ta përmbysë historinë e lavdishme, dhimbjen e sakrificën e këtij kombi drejt lirisë. Por, mbi të gjitha ne si popull, si Kosovë, as Zoti e as Kombi e as gjeneratat që vijnë nuk do të na falin nëse sillemi të papërgjegjshëm dhe të lejojmë që para syve tanë kriminelet dhe ndihmësit e tyre të na ndryshojnë historinë. Të gjithë atyre që ju vjen turp me historinë dhe lirinë e tyre, ata as nuk kanë vend në institucionet publike e sa më pak hapësirë e mundësi me ju dhanë atyre njerëzve", tha Limaj