Eksperti kroat flet i shokuar për deklaratën e Millanoviqit rreth Kosovës, ka një shpjegim për këtë

Aktuale

Eksperti kroat flet i shokuar për deklaratën e Millanoviqit rreth Kosovës, ka një shpjegim për këtë

Më: 1 shkurt 2023 Në ora: 17:36
Davor Gjenero

Me deklaratën e tij skandaloze se “Kosova iu vodh Serbisë” Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka tronditur opinionin e gjerë publik kroat si dhe ka humbur mbështetje të madhe në spektrin politik, ka thënë eksperti kroat i çështjeve politike Davor Gjenero.

Publiku kroat “u shokua” me të dëgjuar këtë deklaratë të presidentit kroat, tregon Gjenero, për çka madje vlerëson edhe se “kjo deklaratë mund të jetë fillimi i humbjes së pozicionin të tij në arenën politike”.

“Deklarata e Presidentit të Kroacisë, Zoran Millanoviq, se ‘Kosova iu vodh Serbisë’ e ka tronditur opinionin e gjerë publik në Kroaci. Por, ka një gjë të mirë këtu, se për herë të parë [me këtë deklaratë] po humbet mbështetje të madhe në arenën politike, edhe nga Socialdemokratët edhe nga Partia e Gjelbër. Pra kjo mund të jetë fillimi i humbjes së pozicionin të tij në arenën politike. Kroacia ishte e tronditur nga kjo retorikë e Millanoviqit”, tha Gjenero.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ditë më parë habiti opinionin mbarërajonal me një deklaratë skandaloze se komuniteti ndërkombëtar “aneksoi Kosovën nga Serbia” dhe se “Kroacia ka marrë pjesë në këtë”.

“Ne aneksuam Kosovën. Ne dhe komuniteti ndërkombëtar. Iu mor Serbisë. Kush e bëri përpos ne? Kush e njohu Kosovën. Ne e bëmë. Nuk është aneksim, është shpronësim”, deklaroi Millanoviq.

Por, Gjenero ka një shpjegim për këtë sjellje të presidentit kroat – është në favor të Rusisë, shpjegon ai.

“Kur flasim për zotin Zoran Milanoviq, ai nuk po sillet as në favor të Kroacisë, as të Kosovës, por edhe as të Serbisë. Por, po sillet krejtësisht në favor të Rusisë”, shprehet ai.

“Interesi i Rusisë është të krijojë telashe në Ballkan dhe interesi më i madh është mundësia për të bllokuar çfarëdo negociata për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sepse nëse çështja e Kosovës do të zgjidhej, Rusia nuk do të kishte më kurrfarë mjeti ndikues në politikën serbe. Kjo është arsyeja se pse Millanoviqi është zëdhënës rus, i dërgon mesazh Serbisë se Kosova u është vjedhur atyre”.

Gjenero e vlerëson si “tejet të turpshme” deklaratën e Millanoviqit, veçanërisht duke pasur parasysh se “Kroacia ka qenë njëra prej disa vendeve të cilat janë përfshirë në procesin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të pavarësisë së Kosovës kur Serbia kishte nisur çështjen e delegjitimimin të deklarimit të pavarësisë së Kosovës si diçka e cila shkel ligjin ndërkombëtar”, përfundoi Gjenero.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “do ta dëgjoj me vëmendje deklaratën e Milanoviqit për Kosovën”, pyetur nga gazetarët e ngazëllyer serbë me deklaratën e presidentit kroat.

Ishte i pari kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, që reagoi ndaj këtij skandali diplomatik të kreut ditë e më kontroverz të shtetit kroat.

Plenkoviq u distancua krejtësisht nga deklaratat e Millanoviqit.

“Askush nuk e ka aneksuar Kosovën, sepse po ta kishte aneksuar dikush atëherë do t’i ishte bashkuar ndonjë shteti tjetër. Nuk paskam dëgjuar për konceptin e shpronësimit në marrëdhënie ndërkombëtare”, tha Plenkoviq.

Që Kosova është shtet i pavarur, Plenkoviq tha se “është shumë gjë e rëndësishme”.

“Me Kosovën kemi marrëdhënie diplomatike”, u shpreh kryeministri kroat për gazetarë, derisa për presidentit kroat ai tha se “tashmë përveç se është yll i mediave ruse, u bë yll edhe në Serbi”.

Edhe redaktori për politikë të jashtme i gazetës më të madhe kroate “Jutarnji list”, Zeljko Trkanjec, thotë se në asnjë mënyrë nuk lëndohen marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Për presidentit kroat, ai thotë se është në linjë me argumentimin rus se po qe se Kosova mund të jetë shtet i pavarur atëherë munden edhe të ashtuquajturat republika popullore ruse në Ukrainë munden.

“Deklarata e Presidentit të Kroacisë mbi Kosovën se është aneksuar apo ekstraktuar (ky term i fundit nuk ekziston në të drejtën ndërkombëtare, por është term i shkencave të natyrës) duhet të lexohen si një përpjekje për të konfirmuar tezën e tij se Rusia nuk mund të humbë luftën në Ukrainë”, ka thënë Trkanjec.

“Problemi është se Presidenti Milanoviq po përdor argumentimin rus se nëse Kosova mund të jetë e pavarur atëherë ‘Republikat Popullore’ në Ukrainë mund të jenë të pavarura”.

Njohësi kroat i çështjeve rajonale, beson se Milanoviq u përqendrua në Kosovën në dritën e negociatave të fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, ai ka një cilësim të ashpër ndaj presidentit kroat. “Askush nuk mund të gjejë përmasat reale të rrjedhës së vetëdijes së tij”, tha Trkanjec.

Zeljko Trkanjec thotë se deklaratën kontraverze të tij e dënuan shumica e partive opozitare kroate, përveç “Arsen Bauk ‘mini-me’ nga SDP”.

“Marrëdhëniet me Kosovën janë përgjegjësi e qeverisë dhe nuk do të afektohen në asnjë mënyrë nga pala kroate”, përfundoi Zeljko Trkanjec.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat