BE për shpronësimet në Leposaviq: Duhet të ketë konsultim publik

Aktuale

BE për shpronësimet në Leposaviq: Duhet të ketë konsultim publik

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 15:46
Foto ilustrim

Zyra e Bashkimit Evropian ka deklaruar se BE po ndjek me shqetësim aktivitetet e ndërtimit, që po zhvillohen në zonat kadastrale: Dren dhe Leshak, në komunën e Leposaviqit në veri të Kosovës.

Kjo ka të bëjë me tokën që ishte caktuar për shpronësim nga qeveria e Kosovës me një vendim të marrë më 16 janar të vitit 2023.

Zëdhënësi i zyrës së Bashkimit Evropian për Kosovë, Nikola Gaon ka potencuar se është e rëndësishme të theksohet se procesi i shpronësimit, sipas ligjit të Kosovës, kërkon një periudhë për konsultim publik dhe mundësinë për qytetarët e prekur që të kundërshtojnë çdo vendim për shpronësim në gjykata përpara se çdo vendim për shpronësim të bëhet final.

“BE-ja i kërkon qeverisë së Kosovës që të bëjë të gjitha përpjekjet për të siguruar që të ndiqet procesi i duhur dhe se të drejtat e pronarëve të pronave të respektohen plotësisht.”, është shprehur tutje Gaon.

Lista Serbe i ka dërguar një letër ambasadorëve të QUINT-it, me pretendimin se pronarëve serbë të tokave po iu sekuestrohen pronat nga shpronësimi “i paligjshëm” i Qeverisë së Kosovës, e cila ka miratuar vendimin për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore për interes publik, në Komunën e Leposaviqit.

Në njoftimin e LS-së është theksuar se letra drejtuar ambasadorëve të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Gjermanisë, si dhe shefave të misioneve të BE-së, UNMIK-ut, OSBE-së si dhe komandantit të KFOR-it është shkruar gjoja se në emër të popullit serb.

Sipas Listës Serbe, “letra tregon qartë shkeljen e të gjitha rregullave ligjore që rregullojnë çështjen e shpronësimit dhe se kjo procedurë është e papranueshme për pronarët e patundshmërive dhe popullin serb që jeton në veri të Kosovës”. Aty është potencuar se përmes letrës, kanë ftuar të gjithë që të ndalojnë shpronësimin.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 16 janar të këtij viti ka miratuar vendimin për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme, të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, Zonat Kadastrale: Dren dhe Leshak, komuna Leposaviq.

“Sipas vendimit, për realizimin e ‘Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’ është e nevojshme që të iniciohen dhe kryhen procedurat e shpronësimit dhe vlerësimit të pronës për të gjithë pronarët e evidentuar”, është bërë e ditur në vendimin e Qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat