“Reagime nga të gjitha anët”, Kamberi flet për festën për Kosovën, që u mbajt midis Beogradi - tregon pse u sulmua Biserko

Aktuale

“Reagime nga të gjitha anët”, Kamberi flet për festën për Kosovën, që u mbajt midis Beogradi - tregon pse u sulmua Biserko

Nga: A.Zh Më: 26 shkurt 2023 Në ora: 08:37
Shaip Kamberi dhe Sonja Biserko në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, në Beograd

Në Serbi u bë zhurmë e madhe që u festua për herë të parë përvjetori i pavarësisë së Kosovës në Beograd.

Për organizimin e ngjarjes nga Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Beograd, reaguan edhe politikanë serbë.

Këto reagime i ka quajtur “histerike” dhe të “zakonshme” deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Kamberi ka thënë se sa herë përmendet Kosova, në Serbi ndizet edhe shtypi i kontrolluar nga pushteti.

“Unë nuk kam qenë organizatori, aty kam qenë vetëm si mysafir i ftuar nga Zyra ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd, me ftesën e z. Jetish Jashari. Por, është shumë e qartë që në Serbi, sa herë që përmendet Kosova, ka reagime histerike nga të gjitha anët. Diçka e zakonshme në një ambient albanofob, i cili ndizet edhe më tepër nga shtypi i kontrolluar dhe opozita e djathtë ekstreme”, ka deklaruar Kamberi.

Sipas tij, “të gjitha reagimet e tyre janë pjesë e politikës ditore të politikanëve, që në agjendat e veta akoma e kanë krijimin e “Serbisë së madhe”, qasjen mitologjike ndaj Kosovës, të zhveshur plotësisht nga realiteti politik që i rrethon”.

I pyetur për sulmet nga mediat e Aleksandar Vuçiqit ndaj aktivistes serbe Sonja Biserko, e cila mori pjesë në 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Kamberi ka theksuar se Serbia po sulmon të gjithë ata që pranojnë pavarësinë e Kosovës.

“Sonja Biserko është një ndër veprimtaret më të spikatura në Serbi, e cila, për dekada me radhë, lufton politikat serbomëdha, angazhohet kundër politikës së mohimit të krimve të luftës dhe për demokratizimin e saj. Prandaj, ajo, për gjithë kohën e veprimit të vet ishte nën sulmet e mediave qeveritare, kështu që edhe sulmi i fundit ndaj saj, është pjesë e një politike që sulmon të gjithë ata që flasin hapur se Kosova është shtet i pavarur”, ka shtuar Shaip Kamberi për “Bota sot”.

Kamberi ka postuar edhe disa fotografi në Facebook nga festa e pavarësisë së Kosovës, që u shënua në Beograd.

Intervistën e plotë me deputetin Kamberi, mund ta lexoni sot pasdite në gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat