​GP i Vetëvendosjes kërkon të formohet Komisioni hetimor parlamentar për dhunën seksuale

Aktuale

​GP i Vetëvendosjes kërkon të formohet Komisioni hetimor parlamentar për dhunën seksuale

Më: 8 mars 2023 Në ora: 17:34
Foto ilustrim

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar që të formohet Komisioni hetimor parlamentar për dhunën seksuale. “Shumë është thënë mbi dhunën seksuale ndaj grave. Mijëra programe janë financuar këto dy dekada në institucionet e sigurisë, hetimit dhe gjyqësisë.

Ende sot, 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës numërohen qindra raste të zvarritjes se lëndëve për viktimat e dhunës seksuale”, thuhet në kërkesën e GP të Vetëvendosjes, nënshkruar nga 40 deputetë.

“Është detyrë e Kuvendit të Republikës të marrë rolin që i takon me ligj nëpërmjet Komisionit hetimor parlamentar për të shqyrtuar të gjitha hallkat shtetërore që u takojnë pushteteve të ndryshme e të ndara se ku dhe çka ka ndodhur me rastet e trajtimit të dhunës seksuale dhe dhunës ndaj grave”, thuhet më tej në kërkesë.

Kërkesa e plotë:

Hetim për çdo lëshim

Shumë është thënë mbi dhunën seksuale ndaj grave. Mijëra programe janë financuar këto dy dekada në institucionet e sigurisë, hetimit dhe gjyqësisë. Ende sot, 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës numërohen qindra raste të zvarritjes se lëndëve për viktimat e dhunës seksuale.

Ka qenë dhe ende mbetet e paprecedentë natyra e vendimeve dhe lirimi i abuzuesve në disa raste si dhe mostrajtimi i përpiktë i disa rasteve të tjera që kanë dërguar edhe në pasoja fatale.

Në emër të pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve po pamundësohet gjetja e përgjegjësve të lëshimeve në parandalimin e rasteve fatale, përdhunimeve apo dhunës në përgjithësi.

Ndaj është detyrë e Kuvendit të Republikës të marrë rolin që i takon me ligj nëpërmjet Komisionit Hetimor Parlamentar për të shqyrtuar të gjitha hallkat shtetërore që u takojnë pushteteve të ndryshme e të ndara se ku dhe çka ka ndodhur me rastet e trajtimit të dhunës seksuale dhe dhunës ndaj grave.

Për këto dhe shumë elementë të tjerë të lidhur me hallkat shtetërore të sistemit të sigurisë dhe drejtësisë Grupi Parlamentar i VETëVENDOSJE! përgatiti dhe procedoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për rastet e dhunës seksuale në 5 vitet e fundit. Këtë komision hetimor parlamentar sipas Ligji për hetimin do ta drejtojë opozita.

Mbrojtja e jetës së grave dhe vajzave, dinjiteti i tyre, në përgjithësi barazia gjinore nuk mund të qendrojnë pezull deri sa të zgjidhen të gjitha çështjet e tjera. Ka shumë përgjegjë në institucionet tona që këto vitet kanë pasur përgjegjësi sigurinë e grave. Ajo siguri kur i është dashur më së shumti nuk u është dhënë. Shteti ekziston për ta mbrojtur qytetarin nga cenimi i jetës dhe dinjitetit. Pa këtë mbrojtje nuk mund të funksionojë shoqëria.

Lëvizja VETEVENDOSJE! është duke përdorur çdo mekanizëm kudo që ndodhen përfaqësuesit e saj: në Qeveri, në Kuvend, në Komuna e në aktivizëm.

Ne besojmë se ka tepër shumë nevojë që në jetën tonë publike e institucionale të trajtohet me përpikmëri faji e përgjegjësia apo dhe dështimi i çdo hallke institucionale në rastet e përdhunimeve, vrasjeve, rrahjeve, fyerje, përndjekjeve dhe keqtrajtimeve sistematike ndaj grave dhe vajzave.

Hetim për çdo lëshim.

8 mars 2023

Grupi parlamentar i Lëvizjes VETEVENDOSJE!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat