Ish-deputeti Haxhi Shala dhe gjashtë të tjerët deklarohen të pafajshëm për falsifikim të rezultateve të votimit

Aktuale

Ish-deputeti Haxhi Shala dhe gjashtë të tjerët deklarohen të pafajshëm për falsifikim të rezultateve të votimit

Më: 16 mars 2023 Në ora: 14:03
Foto ilustrim

Ish-deputeti Haxhi Shala dhe gjashtë të tjerët deklarohen të pafajshëm për falsifikim të rezultateve të votimit

Ish-deputeti Haxhi Shala është deklaruar i pafajshëm për falsifikim të rezultateve të votimit sikurse edhe Arber Krasniqi, Sahit Mataj, Përparim Përvetica, Ilirjan Hysenaj, Granit Halilaj, dhe Dardan Gashi.

Deklarimi i shtatë të akuzuarve, që ngarkohen se kishin falsifikuar rezultatet në zgjedhjet e parakohshme Parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021, ka ndodhur të enjten në seancën e mbajtur në Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht me kërkesën e mbrojtësve të të akuzuarve aktakuza u konsiderua e lexuar dhe seanca e shqyrtimit fillestar vazhdoi me deklarimin e të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Vesel Ismaili i njoftoi të akuzuarit se kanë të drejtën e paraqitjes se kërkesës për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave në afat prej 30 ditësh.

Sidoqoftë, ish-deputeti i NISMA-s që kishte kaluar në AAK më korrik 2020, Haxhi Shala, me mbrojtësin avokatin Xhevdet Smakqi, deklaroi se ndihet i pafajshëm dhe i fyer nga aktakuza e Prokurorisë Speciale.

Edhe Arbër Krasniqi pas konsultimit me mbrojtësit e tij avokatin Skender Musa dhe Leonora Dervishaj-Pacolli, tha se ndihet i pafajshëm për veprën penal me të cilën ngarkohet.

Tutje edhe Sahit Mataj me mbrojtësin, avokatin Driton Musliu, Përparim Përvetica me mbrojtësin avokatin Halit Shaljani, Ilirajn Hysenaj me mbrojtësin avokatin Ymer Beka, Granit Halilaj me mbrojtësin, avokatin Flamur Bllacaku dhe Dardan Gashi me mbrojtësen avokaten Sahadete Gashi njëzëri u deklaruan të pafajshëm veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votave”.

Pas deklarimit të të akuzuarve për veprën penale, avokati Driton Musliu për të akuzuarin Metaj dhe avokati Musa për të akuzuarin Krasniqi kërkuan ndërprerjen e masës së sigurisë me premtimin e të pandehurve se nuk do të braktisin vendin. Gjithashtu të njëjtit kërkuan edhe kthimin e pasaportave për klientët e tyre Metaj dhe Krasniqin.

Kërkesa e avokatëve Musliu dhe Musa u përkrah edhe nga prokurori special Ilir Morina.

Gjithashtu avokati Bllacaku për klientin e tij Halilaj kërkoi që në gjykimet e ardhshme të zhvillohen proceset gjyqësore në mungesë të klientit të tij pasi që ka për të udhëtuar jashtë vendit për shkaqe shëndetësore.

Kërkesa e avokatëve Musliu dhe Musa u aprovua nga gjykatësi Vesel Ismaili kurse për kërkesën e avokatit Bllacaku, gjykatësi tha se do vendosë në ndërkohë.

Sipas aktakuzës së përpiluar me datën 30 dhjetor të vitit 2022 të akuzuarit Arber Krasniqi, Sahit Mataj, Ilirjan Hysenaj, Granit Halilaj edhe Përparim Përvetica me datën 1 janar të vitit 2021 në Qendrën e Numërimit në Fushë Kosovë me dashje dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë në cilësinë e personave zyrtarë falsifikuan rezultatet e votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Tutje të akuzuarit ngarkohen se me qëllim të shtimit të votave për ish-ministren Meliza Haradinaj-Stublla nga subjekti politik “AAK” i shtuan 65 vota për Haradinaj-Stublla, kurse me datën 2 mars të vitit 2021 të akuzuarit Metaj dhe Krasniqi takohen me Jetmir Bytyqin bashkëshortin e deputetes Albana Bytyqit po ashtu nga subjekti politik “AAK” , ku gjatë diskutimit me Bytyqin të njëjtit i tregojnë se kanë shtuar votat për kandidaten Haradinaj-Stublla.

Biseda e tillë mes të akuzuarve Metaj dhe Krasniqi ishte incizuar nga deputetja Bytyqi dhe se biseda e njëjtë pastaj ishte publikuar në portalin “Insajder”.

Gjithnjë sipas aktakuzës të akuzuarit Ilirjan Hysenaj, Përparim Përvetica, Granit Halilaj, Arber Krasniqi dhe Sahit Metaj nga bisedat e zhvilluara në aplikacion “ Viber” sqarojnë se shtimi i votave për kandidaten Haradinaj-Stublla po behet realitet dhe se sipas bisedës duhet të punohet që të mos flitet për këto veprime që kishin ndërmarr të akuzuarit.

Andaj me këto veprime sipas Prokurorisë Speciale të akuzuarit Ilirjan Hysenaj, Përparim Përvetica, Granit Halilaj, Arben Krasniqi dhe Sahit Metaj kan kryer veprën penale “ Falsifikim i rezultateve të votimit” e paraparë dhe e sanksionuar sipas me nenin 219 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje sipas aktakuzës, Haxhi Shala, Sahit Mataj dhe Dardan Gashi gjatë muajit shkurt dhe mars të vitit 2021 në Qendrën e Numërimit në Fushë Kosovë me dashje dhe në bashkëkryerje mes vete i falsifikojnë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvend të Republikës së Kosovës në vitit 2019.

Fillimisht i akuzuari Sahit Metaj në bashkëkryerje me Dardan Gashi planifikojnë dhe i shtojnë vota kandidatit për deputet Haxhi Shala.

Kjo situatë sipas aktakuzës vërehet në SMS e zhvilluara midis të akuzuarit Sahit Metja duke i thënë të akuzuarit Haxhi Shala se a është e vërtet se i duhen edhe 250 vota për t’u bërë deputet dhe në përgjigjen i akuzuari Haxhi Shala ia konfirmon.

“Jam nipi i Florimit, më erdhi një informatë se edhe 250 të duhen, a është e vërtet”, sipas sms që i akuzuari Sahit Metaj i kishte dërguar Haxhi Shala ku ky i fundit në sms ia konfirmon me fjalën “Po”.

Ndërkaq i akuzuari Dardan Gashi në bisedën e tij me të akuzuarin Sahit Metaj shihet duke i thënë se zyrtarët tjerë e kanë nxënë dhe se në tavolinën e tij të numërimit të votave duhet shkuar prap në rinumërim.

“M… u ba, mut u ba,më nxunën man”, sipas sms të zhvilluar midis Sahit Metaj dhe Dardan Gashit.

Me këto veprime të akuzuarit Haxhi Shala, Dardan Gashi dhe Sahit Metaj “Falsifikimi i rezultateve të votimit” e sanksionuar me nenin 216 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Në aktakuzës propozohen që të dëgjohen 23 dëshmitarë ndër ta edhe ish ministrja Meliza Haradinaj-Stublla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat