Emini tregon si i jepnin NATO-s koordinatat për të bombarduar caqet serbe

Aktuale

Emini tregon si i jepnin NATO-s koordinatat për të bombarduar caqet serbe

Më: 25 mars 2023 Në ora: 08:07
NATO

Ajaz Emini është shqiptari që më 1999 i dha NATO-s koordinatat për t’i bombarduar caqet e ushtrisë dhe policisë serbe.

Ai ka folur për procesin e dhënies së koordinatave për Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO).

Emini tregoi edhe për momentin kur i ka ardhur thirrja nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të shkuar si përkthyes.

“Isha në punë dhe mora lajmin se veç filluan bombardimet ndaj forcave serbe. Dëshira e parë ishte që t’i bashkohem batalionit “Atlantiku”, mirëpo në të njëjtën kohë mora thirrje edhe nga Departamenti i Shtetit të cilët organizonin përkthyes për armatën amerikane që po dëgohej së pari në Shqipëri e më vonë edhe në Kosovë”, tha Emini.

Ai më tej tregoi se pranoi këtë thirrje dhe se më 15 prill 1999 ishte rrugës për në Gjermani e më pas për në aeroportin e Tiranës, ku pas një jave iu kërkua që t’u bashkangjitej forcave speciale dhe të shkonte në Kukës.

Emini tregoi se si i merrnin informatat nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ia përcillnin NATO-s.

“Në Kukës u vendosëm unë dhe gjashtë pjesëtarë të forcave speciale në kazermën ushtarake të Republikës së Shqipërisë ku si ndërmjetës kishim Gjeneralin Kudusi Lame e më pas na strehoi në policinë ushtarake që ishte jo shumë larg nga kazerma… Me qenëse ne nuk kishim lidhje direkte me UÇK-në për shkak të marrëveshjes që ishte bërë në Kombet e Bashkuara, atëherë u desh që të kemi ndërmjetësues Gjeneralin Kudusi Lame. Ai i merrte informatat e vendndodhjes së paramilitarëve apo ushtrisë serbe në Kosovë, pastaj m’i dorëzonte mua dhe unë me një kapiten amerikan i verifikonim, i përktheja dhe kështu koordinatat ia dorëzonim Gjeneralit Hendriks që është një gjeneral i jashtëzakonshëm arbëresho-amerikan. Prej tij udhëzimet shkonin në Bruksel, në kryeqendrën e NATO-s dhe ashtu kryheshin bombardimet”, u shpreh Emini. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat