​Miratimi i Projektligjit për tatimet, flet ministri Murati

Aktuale

​Miratimi i Projektligjit për tatimet, flet ministri Murati

Më: 31 mars 2023 Në ora: 22:14
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten në një mbledhje elektronike Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

Në komunikatën për media u tha se ndër pikat e këtij projektligji është edhe falja tatimore për vitin tatimor 2023.

Më shumë detaje rreth projektligjit në fjalë ka dhënë ministri i Financave, Hekuran Murati, sipas të cilit tatimpaguesit mund të përfitojnë nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumën 100 euro, apo sa lartësia e faturës.

“Sot në mbledhjen e qeverisë miratuam projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

Siç edhe kemi paralajmëruar, me këtë projektligj

tatimpaguesit mund të përfitojnë nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumën  100 euro, apo sa lartësia e faturës.

Projektligji gjithashtu parasheh edhe disa masa tjera që lehtësojnë barrën e qytetarëve, por edhe sigurojnë menaxhim më efikas të tatimit në pronë, si:

 lirime tatimore për banimin primar dhe tokën bujqësore;

 kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor;

 zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024; dhe

 fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ai ka uruar që edhe Kuvendi ta trajtojë projektligjin sa më shpejt në të dyja leximet, në mënyrë që tatimpaguesit të përfitojnë nga zbritja tatimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat