Lot, kundërakuza, dokumente e video, përfundon dita e dytë e gjyqit/ Nesër flasin avokatët e Jakup Krasniqit

Aktuale

Lot, kundërakuza, dokumente e video, përfundon dita e dytë e gjyqit/ Nesër flasin avokatët e Jakup Krasniqit

Më: 4 prill 2023 Në ora: 07:38 Përditësuar në ora: 17:23 më 04.04.2023
Ish - krerët e UÇK-së

Kehoe: Pritjet janë që Thaçi të shpallet i pafajshëm

Avokati Gregory Kehoe pret që ish-presidenti Hashim Thaçi të shpallet i pafajshëm.

Pas përfundimit të seancës, ai u tha gazetarëve se provat e mbrojtjes tregojnë qartë që UÇK nuk kishte strukturë komanduese.

“Pritjet janë që klienti ynë të shpallet i pafajshëm. Natyrisht, ju i keni parë provat që kemi paraqitur. Është një rast që është paraqitur nga ZPS për komandimin dhe kontrollin, komandimin dhe kontrollin efektiv.

Dhe unë mendova se provat që sollëm sot, tregojnë qartë se nuk kishte strukturë komanduese dhe kontrolli, dhe sigurisht jo një strukturë efektive kontrolli komandues.

UÇK-ja vepronte në nivel bazë dhe vepronte me kontrollin e zonave operative, dhe komandantëve të zonave operative dhe nuk ishte një zinxhir komandues vertikal. Mendoj se e kemi bërë mjaft të qartë sot”, u shpreh Kehoe.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po akuzohen me pretendimin për krime lufte dhe të njëjtit po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

​Emmerson: Nuk ka dëshmitarë dhe prova kundër Veselit

Mbrojtja e Kadri Veselit në deklaratën hyrëse theksoi se Prokuroria nuk ka asnjë provë që Veseli ka kryer ndonjë nga krimet e pretenduara apo se ka qenë në dijeni për kryerjen e tyre.

Gjatë fjalës së tij para trupit gjykues në Hagë, avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se Kadri Veseli në nëntor të vitit 1998 Veseli u emërua si shef zbulimi dhe klienti i tij ishte i fokusuar në lidhjet e mbajtura me aparatin informativ të Shqipërisë dhe disa shteteve të NATO-s në pritje të asaj që pritej të vinte, përkatësisht fushata e bombardimeve.

Sipas tij, pasi u emërua si shefi i zbulimit, Kadri Veseli ishte larguar nga Kosova për të kryer rolin e tij.

Emmerson: Në nëntor të vitit 1998 Veseli u emërua si shef zbulimi

“Nëntori i vitit ’98-të pati njëfarë organizimi duke u caktuar edhe role personave të ndryshëm si anëtar të shtabit të përgjithshëm dhe zotëri Veseli u emërua si shef zbulimi. Një prej pyetjeve kryesore të cilën duhet të vendos ky trup gjykues çdo të thoshte ky emërim në praktikë, më së miri mund të kuptohet se çfarë ishte ky rol duke parë se çfarë ndodhi, pothuajse sapo zotëri Veseli u emërua shef zbulimi ai u largua nga Kosova për të kryer rolin e tij si shef zbulimi dhe u zhvendos jashtë vendit duke vendosur dhe mbajtur lidhje me organizatat ndërkombëtare dhe agjencitë e tjera derisa thuajse pak përpara momentit kur NATO mori vendimin për të filluar fushatën e bombardimeve. Funksioni i tij është i dukshëm si në periudhën kohore në momentin kur ka ndodhur si dhe nga lëvizjet. Funksioni i zbulimit që ai kryente ishte e fokusuar në lidhjet e mbajtura me aparatet uniformativ të Shqipërisë pra jashtë vendit dhe të disa shteteve anëtare të caktuara të NATO në pritje të asaj që pritej të vinte”, u shpreh ai.

Sipas mbrojtjes së Veselit, Ben Emmerson funksioni i Veselit nuk kishte të bënte fare me gjetjen e kolaboracionistëve.

Ai tha se Veseli si shef zbulimi nuk ishte i vendosur në malet e Berishës siç pretendon ZPS-ja.

Emmerson: Funksioni i Veselit nuk kishte të bënte fare me gjetjen e kolaboracionistëve

“Funksioni i tij nuk kishte të bënte fare me zbulimin e brendshëm apo me gjetjen e kolaboracionistëve, siç e thash fokusi i tij ishte thuajse tërësisht në mbajtje në lidhje me organizatat e huaja informative dhe prandaj ai ishte i vendosur jashtë Kosovës për një periudhë pothuajse 6 mujore që nga emërimi i tij si shef zbulimi në shtabin e përgjithshëm deri në fillimin e fushatës së bombardimit të NATO që filloi në mars të vitit 99’të. Pra, ai nuk ishte i vendosur siç nënkupto prokuroria në malet e Berishës gjatë kësaj periudhe kritike ai i fokusuar dhe vendosur jashtë Kosovës për të dhënë kontribut jetik dhe të rëndësishëm për luftën”, tha Emmerson.

Avokati Emmerson u shpreh se asnjë person nuk e ka parë Kadri Veseli të bënte diçka të papërshtatshme.

Madje ai përmendi edhe një rast me të cilat do të afrohej pretendimet e Prokurorisë, por që më pas siç tha mbrojtja e Veselit, doli se e kishte identifikuar gabimisht klientin e tij.

Emmerson: Asnjë person nuk e ka parë ndonjëherë Veselin duke bërë diçka të papërshtatshme

“Asnjë person i vetëm nga ata të cilët propozojnë ta thërrasin këtu e kanë parë ndonjëherë Kadri Veselin të bënte diçka qoftë e diçka pakëz të papërshtatshme. Deri javën që shkoi ishte një dëshmitar në listën e ZPS-së, edhe pse kishte vdekur dhe provat ishin në letër. Ishte një dëshmitar që kishte pretenduar se e ka parë një herë zotëri Veselin në Kukës ku kishte marrë në intervistë një të ndaluar. Rasti i cili do ta afronte me pretendimet që paraqet prokuroria. Por, ishte e dukshme që në fillim dhe pasi pamë deklaratat dhe dëshmitë e fundit të dëshmitarit se ky dëshmitar ishte gabuar sa i përket identifikimit të zotëri Veselit dhe në fakt kështu ishte shprehur edhe vetë... javën që shkoi në prag të nisjes së këtij gjyqi ZPS dha njoftim mbrojtjes se tani e pranon se ky dëshmitar vërtet e kishte pasur gabim sa i takon identifikimit të zotëri Veselit dhe se ZPS nuk propozon që të paraqesë prova në mbështetje të pretendimeve lidhur me këtë rast… Qëndrimi i Prokurorisë është se është e panevojshme të ndryshojnë aktakuzën për të reflektuar këtë, sigurisht këtë e gjykojnë ata, por ata nuk propozojnë që të paraqesin prova në mbështetje të kësaj”, tha avokati Ben Emmerson.

Mbrojtja e Veselit, Ben Emmerson u shpreh se nuk ka asnjë provë që Veseli si shef i zbulimit ka autorizuar apo ka nxitur ndonjë krim apo politik kriminale

Emmerson: Nuk ka asnjë provë që ai të ketë autorizuar apo nxitur ndonjë krim apo politik kriminale

“Nuk ka asnjë provë që ai të ketë autorizuar apo nxitur ndonjë krim apo politikë kriminale që ai të ketë marr ndonjëherë në cilësinë si shef i zbulimit, ndonjë raportim të ndonjë krimi të kryer apo që të ketë luajtur ndonjëherë çfarëdo lloj roli në ngjarjet që kanë çuar në kryerjen e ndonjë krimi. Pra nuk ka asnjë provë për këto pika fare. Ashtu sikurse nuk ka asnjë provë që ai të mos ketë marr hapa brenda objektit të mandatit që i është dhënë atij për t’i parandaluar ndonjë krim apo për të ndëshkuar personat e përgjegjshëm”, tha ai.

Tutje, gjatë deklaratës së tij para trupit gjykues Emmerson deklaroi se nuk ka asnjë provë shkresore që ka lidhje me Kadri Veselin.

Emmerson: Nuk ka asnjë provë shkresore provuese që të kishte të lidhje me zotërinë Veselit

“Nuk ka asnjë provë shkresore provuese që të kishte të lidhje me zotërinë Veselit me një përjashtim që do ta përmend pas pak, por nuk ka asnjë dokument të vetëm për gjithë provat që propozohen pavarësisht nga mijëra dëshmitarë që kanë intervistuar edhe pse kanë pasur një mori dokumentesh në dispozicion… nuk ka një dokument të vetëm në të gjitha provat e tyre që të ketë nënshkrimin e tij, nuk ka asnjë provë që ai të ketë dhënë ndonjë urdhër me shkrim apo qoftë edhe me gojë dhe nuk ka asnjë provë që ai të ketë marr ndonjë raport me shkrim apo gojë nga ndokush qoftë kjo në lidhje me kolaboracionistë, informata të brendshme apo ndonjë gjë tjetër, në kuptimin e plotë të fjalës do të thosha se nuk ka asnjë provë shkresore në lidhje me rolin e tij. I vetmi përjashtim është një mbledhim në datën 21 tetor 98-të në Tiranë që kishte të bënte me integrimin e forcave të FARK-ut që është grupi ushtarak i lidhur me qeverinë e Bukoshit dhe LDK pra një marrëveshje që ato forca të lidheshin në një forcë të vetme luftuese në Kosovë“, u shpreh ai.

Mbrojtja e Veselit hodhi poshtë pretendimet e ZPS-së se kishte një politikë për përndjekjen kundër LDK-së, duke thënë se asnjëherë nuk ka pas një politikë të tillë.

Sipas tij, shumica e mbështetësve të UÇK-së ishin në fakt të LDK-së.

Emmerson: Asnjëherë nuk ka pasur një politikë për përndjekje kundër LDK-së 

“Një prej të metave që ka Prokuroria është nocioni që e mendojnë një numër relativisht i vogël individësh është nocioni që udhëheqja e UÇK kanë komplotuar së bashku për të vënë në shënjestër mbështetësit e LDK për t’i përndjekur por siç do ta dëgjoni ky është një mendim krejt i ndryshëm nga ajo që ka ndodhur, ku shumica e mbështetësve të UÇK ishin në fakt të LDK nuk ishin dy grupe në vete ishin të ndërthurur.. asnjëherë nuk ka pasur një politikë për përndjekje kundër LDK-së”, tha ai.

Mbrojtësi i Kadri Veseli u shpreh se prokuroria nuk ka nxjerr asnjë provë që e lidh Veselin me krimet e pretenduara apo ndërmarrjen e pretenduar kriminale.

Emmerson: Prokuroria ka nuk nxjerr asnjë provë që lidh Veselin me krimet

“Prokuroria nuk ka nxjerrë asnjë provë, asgjë të ngjashme, që lidh zotëri Veseli me këto praktikë krimesh apo ndërmarrjen e pretenduar kriminale përtej faktit se ai i emëruar në fund të nëntorit para se të largohej në Kosovë për të bërë si ndërlidhës i zbulimit, ai u emërua shef i zbulimit... Ai kishte rolin dhe quhej shef i zbulimit nuk mund të konsiderohet provë të nderuar gjykatës”, tha ai.

Gjatë ditës së djeshme ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli u deklarua edhe njëherë i pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tij nga ZPS-së. Veseli bashkë me ish-krerët tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqi që nga nëntori i vitit 2020 janë në paraburgim në Hagë.

Përfundon dita e dytë e gjykimit, nesër flasin avokatët e Jakup Krasniqit

Në Gjykatën Speciale në Hagë shtë mbyllur edhe seanca e sotme gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se seanca tjetër do të mbahet nesër në orën 09:00, në të cilën Mbrojtja e Jakup Krasniqit do ta bëjë deklaratën hyrëse në gjykim.

“Këtu mbyllet seanca e sotme publike. Do të rimblidhemi nesër në orën 09:00 për të vijuar me deklaratën hyrëse të Mbrojtjes së z. Krasniqi”, tha kryegjykatësi.

Të hënën nisi gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, me deklaratën hyrëse të Prokurorisë.

Sot fjalën mbrojtëse e dhanë para gjyqit avokatët e Thaçit, Veselit e Selimit. Thaçi dhe Selimi zgjodhën që t’i thonin disa fjalë edhe vetë.

Selimi: Dallimet tona politike nuk mund të përdorën kundër nesh si fakte juridike, jemi bashkëluftëtarë

Rexhep Selimi ka marrë fjalën në seancën e sotme të gjykimit ku përsëriti se është i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ai tha se nuk ka frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia, duke shtuar se dallimet politike me të akuzuarit e tjerë s’duhet të shërbejnë si fakte juridike.

“Gjithmonë kam thënë dhe e përsëris. Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Dallimet dhe opinionet mes nesh nuk duhet të përdorën si fakte juridike, e po ashtu kundër neve të bashkakuzuarve.  Kam shumë besim se të gjithë së bashku do ta nxjerrim të vërtetën e UÇK-së se jemi të pafajshëm. Unë bashkë me bashkëluftëtarët e mi do të kthehemi”.

Selimi tha se në atë kohë donin që UÇK-ja të ishte një ushtri e armatosur mirë dhe e organizuar, por se këtë s’arritën ta bëjnë.

“Ishim të dobët, të paunifromuar dhe të paorganizuar. Mbetem luftëtarë pa komandant [Adem Jashari]. Disa ranë duke luftuar, e disa e mbijetuam luftën deri në përfundimin e saj. Donim ta kishim një ushtri të armatosur mirë, donim, por s’mundëm. Donim ta mundnim Serbinë, por s’mundëm pa ndihmën e shteteve tjera. U munduam për ta bërë këtë për të mbijetuar në vendin ku kishim lindur.  S’kishim kazerma, por kishim shtëpi të familjeve. S’kishim akademi ushtarake. S’kishim uniforma. Disa i blenim disa i ngjyrosim vetë që të dukeshim si ushtarë. Rrobat e punëtorëve që të dukeshin si rroba të ushtarëve”.

Selimi tha se UÇK-ja nuk i ishte përgjigjur Serbisë në të njëjtën mënyrë siç ajo kishte bërë në Kosovë, derisa shtoi se luftën nuk do ta zgjedhte as si profesion as si pasion, por i erdhi e imponuar pas brutalitetit serb mbi shqiptarë.

“Lufta s’është e mirë asnjëherë e as për askënd”.

Në dhomën e gjykimit, Selimi foli edhe për rininë e tij dhe vendimin që mori për t’iu bashkuar UÇK-së.

“Në fillim të viteve 90-ta, isha student i letërsisë në Universitetin e Prishtinës. U përshkallëzua dhuna, më kujtohet kur na dëbuan nga konviktet. Shiheshin atublinda duke nxjerrë studentë shqiptarë jashtë. Shqiptarët u larguan nga puna, s’kishte më as policë shqiptarë, as mjekë, as nëpunës. Të rinjtë s’mund të luanin as futboll, u mbyll TV i vetëm dhe gazetat. Dhuna ndaj shqiptarëve përshkallëzohej”.

Selimi përmendi edhe një shok të tij që Serbia e kishte marrë dhunshëm në ushtrinë jugosllave.

“Jetullah Deskun e dërguan në shërbim ushtarak dhe e kthyen në arkivol duke thënë se e ka vrarë veten”, tha Selimi, duke përmendur edhe rastin e helmimeve të nxënësve shqiptarë.

“Isha në moshën e adoleshencës kur vijoja mësimet në Klinë në shkollën “Lugj Gurakuqi”, që Serbia ia ndërroi emrin dhunshëm. Filluan t’i helmonin nxënësit e shkollës sime, mund t’i gjeni ato fotografi. I shihja moshatarët duke vuajtur dhe nxjerr shkumë nga goja. Ky gjah vazhdonte pa ndalë si presion sistematik që t’i bëjnë ata ta lëshojnë Kosovën. Shumë bashkëmoshatarë u detyruan ta braktisin Kosovën. Në atë kohë kisha dy opsione. Të qëndroja dhe të prisja që të helmohesha, të dërgohesha me dhunë në ushtrinë vrastare të Serbisë, apo ta lëshoja Kosovën dhe t’i bashkohesha familjes në mërgim. Në mes këtyre dy opsioneve, zgjodha një rrugë të tretë. Unë iu bashkova një familje më të madhe, familjes Jashari në Prekaz. Lash ëndrrat e mira të rinisë, lash studimin e letërsisë dhe u bëra pjesë e UÇK-së.

Selimi tha se atëherë UÇK në atë kohë e kishte emrin ushtri, por s’numëronte shumë njerëz.

“Të ishe pjesë e UÇK-së do të thotë të ishe armik i Serbisë, mund të vriteshe apo e pakta të arrestoheshe, siç u arrestua vëllai im apo shoku im që e mbytën në dhomat e hetimit në Prishtinë. Isha i kërkuar nga Serbia, më ndiqnin për arrest apo për të më vrarë”.

Selimi foli edhe për qëndrimin e tij në familjen Jashari para se ajo të sulmohej nga forcat serbe.

“Prej asaj kohe qëndroja me familjen Jashari, qëndroja me Ademin, Hamzën e fëmijët. Këta emra fëmijësh u vranë pastaj nga një sulm i policisë serbe mbi familjen Jashari.  Në ditën e sulmit s’ndodha aty, prandaj jam gjallë”.

Rexhep Selimi: UÇK nuk numëronte shumë njerëz, por vullnetin e kishim të madh

Rexhep Selimi ka mbajtur një fjalë para gjykatës derisa avokatët janë duke shpalosur argumentet e tyre këtë të martë.

Selimi ka thënë se personalisht si student mes rrugës që të largohej në kurbet ose të rrinte në shtëpi kishte zgjedhur një tjetër shteg.

“Në mes këtyre dy opsioneve zgjodha një rrugë të tretë. Unë ju bashkova një familjeje akoma më të madhe, Familjes Jashari në Prekaz. Lashë ëndrrat e mia, studimet e letërsisë dhe u bëra pjesë e  UÇK-së. UÇK e kishte emrin ushtri por nuk numëronte shumë njerëz. Njerëz e armë kishim pak, por vullnetin e kishim të madh”, është shprehur Selimi, duke iu drejtuar gjykatës.

“Të ishte pjesë e UÇK-së do të thoshte të ishte armiku i Serbisë, mund të vriteshe, arrestoheshe sikur vëllai im, apo siç u arrestua shoku im Besnik Restelica që mbyt me tortura në hetuesi. Isha i kërkuar nga Serbia u publikua një aktakuzë nga gjykata e Serbisë ku ishte edhe Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij”.

Selimi ka thënë se shtëpinë e kishte lënë më 10 tetor 1996 bashkë me Mujë Krasniqin, dajën e tij.

“Nga ajo kohë qëndroja me Familjen Jashari dhe jo vetëm, Ademin, Shabanin, Hamzën dhe fëmijet e asaj familjeje”.

​Selimi: Lufta ishte e domosdoshme, pres të shpallemi të pafajshëm

Ish-deputeti Rexhep Selimi pret që ai dhe të akuzuarit e tjerë që ndodhen në Hagë, të shpallën të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Ai ka bërë një deklaratë pa betim para trupit gjykues në Hagë ku sërish është deklaruar se nuk ka të bëjë asgjë me krimet e pretenduara.

“Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë”, ka thënë ai.

Selimi ka folur për periudhën e rinisë së tij kur shqiptarët maltretoheshin nga Serbia dhe largoheshin nga puna.

“Lash ëndrrat e rinisë, studimet e letërsisë dhe iu bashkova UÇK-së”, ka thënë Selimi.

Ndër të tjera, ai ka folur për rezistencën e familjes Jashari dhe luftën çlirimtare.

“Donim të kishim një ushtri të organizuar mirë por nuk ia arritëm. Ne nuk kishim kazerma por kishim shtëpi të familjarëve. Luftën nuk do ta zgjidhnim kurrë por ishte e domosdoshme. Serbia kreu qindra masakra”, ka thënë ai.

Në fund te fjalimit të tij, Selimi ka thënë se pret që ai dhe te akuzuarit e tjerë te kthehen të pafajshëm në Kosovë.

Ai ka thënë se dallimet politike nuk duhet të përdoren si fakte juridike në këtë gjyq.

“Besoj që të gjithë bashkë do të kthehemi në vendin tonë të lirë për të cilin punuan”, ka thënë Selimi.

Pas kësaj, mbrojtja e Selimit ka filluar të paraqesë deklaratën hyrëse.

Fjalimin e Selimit e ka ndjekur edhe bashkëshortja e tij, Shqipe Selimi, nga galeria per publikun në Dhomat e Specializuara.

Emmerson: Nuk ka dëshmitarë e prova kundër Veselit

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, tha se kundër klientit të tij s’ka asnjë provë – përjashtim me një që do ta elaborojë më vonë – e as dëshmitarë se ai ka kryer ndonjë prej veprave me të cilat ngarkohet.

“Asnjë nga dëshmitarët nuk e kanë parë Kadri Veselin të bënte diçka të papërshtatshme. Deri javën që shkoi ishte një dëshmitar në listën e ZPS-së, edhe pse kishte vdekur dhe provat ishin në letër. Ishte një dëshmitar që kishte pretenduar se e ka parë Veselin në Kukës duke marrë në intervistë një të ndaluar. Por, ishte e dukshme që në fillim dhe pasi pamë deklaratat e dëshmitë e tij se ky dëshmitar ishte gabuar sa i përket identifikimit të Veselit dhe ai kështu ishte shprehur edhe vetë. ZPS tani e pranon se ky dëshmitar e ka identifikuar gabimisht Veselin. Qëndrimi i ZPS është se është e panevojshme të ndryshojnë aktakuzën për këtë gjë. Ata nuk propozojnë që të paraqesin prova në mbështetje të kësaj”, tha avokati Ben Emmerson.

Sipas Emmerson, nuk ka asnjë provë që Veseli, si shef i zbulimit, “ka autorizuar apo nxitur ndonjë krim apo vepër kriminale, apo të ketë marrë ndonjëherë ndonjë raportim për kryerjen e ndonjë krimi”.

Emmerson ka përshkruar rolin e klientit të tij brenda strukturave UÇK-së si shef i shërbimit sekret.

“Sapo Veseli u emërua shef i zbulimit ai u largua nga Kosova deri pak para momentit që NATO të marrë vendimin për bombardime”, tha ai.

Sipas avokatit, Funksioni i zbulimit që kryente Veseli ishte i fokusuar në lidhjet e mbajtura me aparatin informativ të Shqipërisë dhe disa shteteve të NATO-s në pritje të asaj që pritej të vinte, përkatësisht fushata e bombardimeve.

“Funksioni i tij nuk kishte të bënte fare me zbulimin e brendshëm apo gjetjen e kolaboracionistëve. Fokusi i tij ishte thuajse tërësisht me mbajtjen e lidhjes me organizatat e huaja”, tha Emmerson.

Ai përsëriti disa herë që Veseli kishte qëndruar jashtë Kosovës dhe nuk ishte prezent në vendet ku prokuroria pretendon se janë kryer krime në qendrat e ndalimit.

Mbrojtja e Veselit: Dokumentet e UÇK-së të prezantuara nga ZPS, s’kishin të bënin me realitetin

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar në ditën e parë të gjykimit mbështeti provat e saj në dokumentet rregullatore të UÇK-së, duke u mbështetur në dëshmitë e dëshmitarit Bislim Zyrapi.

Zyrapi gjatë luftës ka qenë shef i Shtabit të UÇK-së.

Zyrapi ka dëshmuar disa herë për këto dokumente në Hagë. Ai ka dëshmuar se këto rregulla ishin thjesht në nivel aspirate, nuk u vunë asnjëherë në jetë, ishin projekt-dokumente që nuk kishin të bënin asgjë me realitetin”, tha Emmerson.

Ai tha se këto dokumente, që u hartuan në fund të vitit 1998, kishin për synim që ta bënin më profesionale UÇK-në.

“....për ta konvertuar nga një forcë guerile, në një ushtri që do të ishte e aftë për të mbrojtur popullatën civile nga një fushatë e spastrimit etnik”, tha ai.

Mbrojtja e Veselit: Disa persona kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK

Avokati i Veselit, Ben Emmerson, tha se disa persona kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK për qëllime politike, e disa të tjerë janë distancuar për shkak të frikës se mund të përballen me një gjykim.

Disa persona e kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK shpesh për qëllime të aktualitetit politik të ditës, por të tjerë janë përpjekur të distancohen nga ngjarjet, sepse e kanë ditur se disa prej veprimeve të tyre kanë qenë të dyshimta, dhe mund të dilnin një ditë para një gjykate penale”, tha ai.

Sipas Emmerson gjatë këtij gjykimi do të paraqitet një panoramë e ndërlikuar e një periudhe kaotike, për shkak të distancës kohore prej kur ka ndodhur lufta e deri te nisja e gjykimit.

Ngjarjet të cilat ju do t’i shihni kanë ndodhur thuajse para 25 vjetësh dhe me keqbesim apo jo kujtimet edhe mund të dobësohen apo shtrembërohen”, tha ai.

Emmerson tha se situata ndërlikohet edhe më shumë për shkak të propagandës së luftës, që tha se është përdorur nga të gjitha palët, përfshirë UÇK-në.

Mbrojtja e Veselit nis deklaratën hyrëse

Në Gjykatën Speciale në Hagë ka rinisur seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Tani radhën për deklaratën hyrëse e ka Ben Emmerson, avokati i Kadri Veselit.

Ai pritet të shfrytëzojë 45 minuta deri në 1 orë kohë për deklaratën e tij hyrëse.

Kujtojmë që mbrojtja e Thaçit ka përfunduar deklaratat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat