​Murati-LDK-së: S’keni të drejtë morale dhe profesionale të flisni për personat e zhdukur

Aktuale

​Murati-LDK-së: S’keni të drejtë morale dhe profesionale të flisni për personat e zhdukur

Më: 4 maj 2023 Në ora: 14:05
Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati ka vazhduar debatin me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me nënshkrimin e deklaratës për personat e zhdukur me Serbinë, më 2 maj në Bruksel.

Murati ka akuzuar deputetët e LDK-së se nuk kanë të drejtë morale dhe as profesionale të flasin për personat e zhdukur, pasi në zotimet e Washingtonit në vitin 2020 nuk kanë shikuar termet për persona të zhdukur me dhunë apo forcë, por sipas tij, vetëm janë zotuar të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të zhdukur.

Murati: S’keni të drejtë morale dhe as profesionale të flisni për të zhdukurit

“Në Uashington çka ka nënshkruar qeveria Hoti, ‘Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të zhdukur. Më poshtë thotë se do t’i koordinojnë këto përpjekje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës’. As emri shtetit nuk figuron në marrëveshje dhe kjo nuk është në Bruksel, por Uashington, së paku emrin e shtetit është dashur me përmend kur flitet për gjëra të tilla. S’po hy hiç në teknikalitete, a keni qenë ju deputet Selmanaj në atë kohë se çka po nënshkruani, a e keni pa se çfarë po shkruan në atë tekst. S’keni të drejtë morale, madje as profesionale për me fol për këto tema”, ka thënë ai.

Mirëpo, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj është shprehur kritik ndaj ministrit Murati, derisa i ka thënë se ai edhe tri jetë t’i ketë nuk mundet të arrijë sukseset që janë arritur në ish-qeverinë Hoti.

Selmanaj: Ti djalë i mirë edhe tri jetë me i pasë s’mundesh me mbërri çka kemi mbërri ne

“Në marrëveshjen e Uashingtonit, ti djalë i mirë që ka ndodhur në Shtëpinë e Bardhë, jo në villën e Titos në Ohër, jemi marrë vesh për zotime. Këtu kemi nënshkruar marrëveshje me Serbinë, ku e ke amnistuar Serbinë, e ke barazu në mënyrë institucionale përgjegjësinë për të zhdukurit që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, po ashtu ia ke heq mundësinë që njerëzit me pasë të drejtë me kërku kompensim. Këto janë dëmet e mëdha që iu kanë bërë këtij vendi. Unë po iu them edhe tri jetë me pas ti nuk ki me mbërri nëntë muaj sa kemi arritur ne me dërgu Kosovën në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë ai.

Ndryshe, Bashkimi Evropian ka publikuar të martën (2 maj) Deklaratën për të Zhdukurit për të cilën janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq. Aty deklarohet angazhimi i palëve për zbardhjen e personave të pagjetur nga periudha 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

Në këtë deklaratë është e cekur se përfshihen edhe personat e zhdukur me forcë, një term ky për të cilin pala kosovare ka insistuar që të përfshihet me patjetër në deklaratë.

Me këtë deklaratë, të dy vendet janë pajtuar për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, nën posedimin e institucioneve të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst.

Nga ana e Serbisë veçanërisht ka pasur mungesë bashkëpunimi, sipas autoriteteve të Kosovës, duke mos ofruar të dhëna rreth varrezave masive që ekzistojnë në Serbi.

Aktualisht në Kosovë janë 1643 persona fati i të cilëve ende nuk dihet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat