Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka ironizuar me fitorën e Partisë Socialiste në Shqipëri.
Ai madje ka ‘falendëruar’ qytetarët shqiptarë në emër të Edi Ramës.
Lauka, përmes një postimi në Facebook, shkruan sikurse të kishte shkruar Rama, pas fitores në Shqipëri duke i përshëndetur votuesit e tij.
“Të më rruani! Që të jem i sinqertë, nuk prisja të fitoja në këto përmasa. Ndaj edhe e teprova pak me ato marifetet e mia për tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve, por duket u lodha kot. Sepse ju po dëshmoni, tash e 25 vjet, se jeni delet e mia dhe se "Rilindjen" nuk e tradhëtoni kurrë”, shkruan ndër tjera Islam Lauka.
Postimi i plotë:
“Falenderimi” i Ramës, me rastin e fitores, me 14 maj.
Votuesit e mi, ndjehem vërtet i vogël para jush, por edhe si në ekstazë nga fitorja e madhe. Ma rikonfirmuat se unë vlej, se jam ustai i duhur për ju dhe, kryesorja, më meritoni. Të më rruani! Që të jem i sinqertë, nuk prisja të fitoja në këto përmasa. Ndaj edhe e teprova pak me ato marifetet e mia për tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve, por duket u lodha kot. Sepse ju po dëshmoni, tash e 25 vjet, se jeni delet e mia dhe se "Rilindjen" nuk e tradhëtoni kurrë. E keni kuptuar se, duke votuar për mua e PS, votoni për të mirën dhe të ardhmën tonë të përbashkët, pavarësisht se ato të uruarat para, ngaqë i kemi me kimet, i mbajmë të gjitha për vete.
Jam i vetëdijshëm se në këtë fushatë nuk pati llogaridhënie por ju më kuptuat që këtu do të dijla krejt zbuluar, sepse as unë as përfaqësuesit e mi vendorë nuk i kemi mbajtur premtimet. Në vend të llogaridhënies, u mora me ata, “të pafytyrët” e opozitës që janë përgjegjësit e vetëm të dështimit tonë. Etiketimet e mia për ta si: pa dinë e pa imanë, budallenj, zorrë qorre, etj, etj, jo vetëm që mbushën boshllëkun e llogaridhënies, por edhe iu bëri ju, votuesit e mi, të gajaseni së qeshuri në tallavanë tonë elektorale.
Duke u përulur me pietet para ju të gjithëve, që nga Thethi në Finiq, në mënyrë të veçantë, dua të falenderoj:
1. Patronazhistët e palodhur dhe aktivistët e paepur që punuan si kuaj gjatë gjithë fushatës.
2. Të gjithë të djathtët, të cilët, në mënyrë dinjitoze, u mbyllën në shtëpitë e tyre dhe nuk votuan, sepse nuk e kapërcyen dot ylberin politik.
3. “Kazanët e plehut”, pra gazetarët, të cilët, e pranoj se vazhdimisht i kam fyer e poshtëruar, por gjithsesi, në shumicën e tyre, ata me krenari e vendosmëri më kanë mbështetur dhe po më mbështesin.
4. Ndërkombëtarët, të cilët, me gjuhën e tyre të drunjtë, në thelb, më përkrahin mua.
Së fundi, para se të nis një tur falenderimesh, nga Shkodra në Konispol, duke qenë se jam një kryeministër artist dhe më pëlqejnë batutat, te cilat e di se ju i vleresoni shume, dua ta mbyll me perifrazimin e një shprehjeje nga filmi “Njeriu me top”: Epo, zamet, o votuesit e mi, meqë më votuat me gjithë këto bëma e zullume, më bëni edhe shërbimin e radhës, hajdeni me puthni këtu, në prapanicë!