Këtë javë pritet të betohen kryetarët e rinj të komunave të veriut

Aktuale

Këtë javë pritet të betohen kryetarët e rinj të komunave të veriut

Më: 22 maj 2023 Në ora: 20:57
Foto ilustrim

Në tri komunat e veriut, pritet që gjatë kësaj jave të përcaktohen datat për betimin e kryetarëve të rinj. Derisa Ministria e Administrimit të Pushtetit lokal thotë se po bashkërendon aktivitetet, opozita kërkon që betimi i kryetarëve të rinj në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq të mos improvizohet.

Datat për betimin e kryetarëve të zgjedhur të tri komunave veriore pritet të vendosen deri në fund të javës. Nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se janë në pritje të propozimeve nga kryetarët.

“Deri në fund të javës pritet që të bëhen publike datat për seancat tjera dhe betimin e kryetarëve, ne jemi në pritje të propozimeve nga kryetarët. Ministri Krasniqi ka pasur takime të rregullta me katër kryetarët e zgjedhur dhe jemi në bashkërendim për përgatitjet e nevojshme dhe afatet ligjore siç parashihen me ligj", thuhet në përgjigjen e Ministris së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

Rreth kësaj çështjeje ka folur të hënën edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se betimi i kryetarëve të rinj në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq nuk duhet të improvizohet por ministria dhe institucionet e sigurisë duhet të krijojnë kushte për mbajtjen e këtyre seancave sipas rendit kushtetues.

Ndërsa, sekretari organizativ i kësaj partie, Betim Gjoshi, të dielën ka reaguar ndaj  Qeverisë duke thënë se dy kryetarët e komunave nga radhët e PDK-së, të cilët kanë fituar në Zveçan dhe në Zubin Potok, po përballen me presion dhe nënçmim nga zyrtarë të Qeverisë.

Megjithatë, pretendimet për presion nuk janë komentuar nga zyrtarë të MAPL-së.

Nga katër kryetarët e zgjedhur më 23 prill, është betuar vetëm ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Ndërsa Izmir Zeqiri, Lulzim Hetemi dhe Ilir Peci kanë kohë deri më 28 maj ta japin betimin, në të kundërtën e humbasin mandatin.

Zgjedhjet në Veri u mbajtën më 23 prill, ndërsa rezultatet u certifikuan më 28 prill, teksa 28 maji u vendos si afati i fundit për ta dhënë betimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat