Mbi 4 orë diskutime me Kurtin e Vuçiqin në Bruksel, Borrell tregon se për diçka janë pajtuar

Aktuale

Mbi 4 orë diskutime me Kurtin e Vuçiqin në Bruksel, Borrell tregon se për diçka janë pajtuar

Nga: Bota sot Më: 22 qershor 2023 Në ora: 15:39 Përditësuar në ora: 21:52 më 22.06.2023
Josep Borrell

Albin Kurti deklarohet pas takimit me Borrell

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është e gatshme për zgjedhje të reja në veri e për tërheqje të Policisë nga objektet komunale në katër komunat veriore, por pasi të plotësohen kornizat ligjore për to.

‘’Unë i thash Borrellit që policia nuk është në afërsi të godinave, por brenda ndërtesave. Prania e tyre nuk është e dëshirueshme për ne, por është e obligueshme për ta duke pasur parasysh ekstremistët e dhunshëm që kanë ushtruar dhunë mbi policët e Kosovës, ushtarakët e NATO-s, e gazetarët.

Ne nuk mund ta bëjmë zvogëlimin gradual dhe proporcional të policisë përderisa nuk ka një përballje të këtyre ekstremistëve me drejtësi dhe largimit të tyre.

Zgjedhje të parakohshme po, pa dyshim vetëm se nuk mund të bëhen jashtë ligjit, siç e parasheh ligji me nënshkrim të peticionit nga qytetarët…’’, ka thënë Kurti.

Borrell përsërit kërkesat: Zgjedhje të reja e asociacion

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se i ka bërë thirrje Kosovës edhe Serbisë që të deeskalohet situata dhe palët të kthehen në procesin e normalizimit.

Borrell tha se duhet të merren hapa vendimtar, teksa shtoi se thelbi i problemit qëndron tek zgjedhjet e reja në veri dhe pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në to.

“Sigurisht se presim nga Kosova që t’i pezullojë menjëherë këto operacione në afërsi me objektet komunale në veri dhe katër kryetarët, përkohësisht të tërhiqen nga objektet komunale ndërsa Serbia duhet të sigurojë që protestuesit do të tërhiqen nga objektet komunale, njëkohësisht me forcat policore dhe pastaj të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat, me kushtin, pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës”, tha Borrell.

Tutje, ai kërkoi nga Kosova që pas normalizimit të situatës në terren, pa vonesa të fillohet me hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Pas kësaj, pasi që situata në terren të normalizohet, atëherë të vazhdojmë punën në dialog. Edhe para ca muajve patëm arritur një marrëveshje themelore në rrugëtimin drejt normalizimit dhe dukej se ishim në një drejtim të mirë për të avancuar në këtë që quhet normalizim i marrëdhënieve, dhe duhet t’i kthehemi impelementimit të kësaj marrëveshjeje dhe kjo përfshin edhe fillimin dhe pa vonesa, hartimin e statutit të Asociacionit”-tha ai.

Mbi 4 orë diskutime me Kurtin e Vuçiqin, Borrell del para gazetarëve dhe tregon se për diçka janë pajtuar

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka dalë në një konferencë për media pas takimeve mbi katërorëshe me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, në një përpjekje për t’i dhënë fund tensioneve në veri të vendit. I vetmi pajtim që është arritur, sipas Borrell, janë zgjedhjet e parakohshme në 4 komunat veriore, por për modalitetet se si dhe kur të organizohen, ka thënë ai, do të punohet ende.

“Për të bërë përpjekje për të ecur përapra, kam nxjerrë në tryezë propozime konkrete dhe në këtë kontekst jemi pajtuar për nevojë për zgjedhjet e reja dhe kemi diskutuar për modalitetet dhe hapat për të arritur atje. Ende nuk kemi arritur atje”, ka theksuar ai.

Borrell ka thënë se para palëve ka bërë propozime konkrete, që kanë të bëjnë me tërheqjen e forcave speciale policore të Kosovës nga afërsia e 4 objekteve komunale, tërheqjen e kryetarëve nga objektet komunale si dhe frenimin e protestuesve serbë nga dhuna.

“Kemi shpenzuar më shumë se 4 orë së pari me Kurtin dhe më pastaj me Vuçiqin, për ta gjetur një zgjidhje.

“Kemi prezantuar para palëve pritjet tona. Nga Kosova kemi kërkuar suspendimin e aktiviteteve policore nga objektet komunale dhe kryerjen e detyrave të 4 kryetarëve nga lokacione alternativë dhe nga Serbia që të tërheqë protestuesit”, ka thënë Borrell.

Borrell i ka parë si urgjente zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore. Pas qetësimit të situatës, duhet të vazhdojë dialogu i BE-së si dhe të implementohen marrëveshjet e arritura, ku parashihet edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

“Zgjedhjet e reja, zgjedhjet e hershme, aq më shpejt që është e mmundur. E pastaj, pasi të qetësohet situata, të vazhdohet dialogu i fasilituar nga BE. Duhet të kthehemi të impelementimi i marrëveshjeve që janë arritur së fundmi dhe pa vonesa të nis themelimi i Asociacionit të Komunave serbe”, ka deklaruar ai.

“Të bëhemi të qartë, nuk mund të ketë falje për dhunën në protesta, por kjo gjë duhet t’i lihet gjyqësorit”, ka shtuar Borrell.

Borrell thotë se i ka kërkuar Vuçiqit lirimin pa kushte të policëve të Kosovës

Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joep Borrell, pas takimet të ndara që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka mbajtur një konferencë për media.

Ai në konferencë ka thënë se i ka kërkuar Vuçiqit lirimin e tre policëve kosovarë që po mbahen në Serbi.

Ky lirim ai tha që duhet të bëhet menjëherë dhe pa kushte.

“I kam theksuar presidentit Vuçiq që tre policët e mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”, ka thënë Borrell.

Po ashtu, Borrell, ka thënë se të hënë bashkë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do t’iu raportojnë ministrave që ku kanë arritur.

Borrell ka kërkuar që të de-eskalohet situata, duke thënë se Kurti dhe Vuçiq janë të vetëdijshëm për këtë, por kanë qëndrime të kundërta.

Vuçiq: Nuk kemi udhërrëfyes për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se nuk mund të konfirmojë që "ka ndonjë udhërrëfyes", për daljen nga kriza në veri të Kosovës.

Këto komente ai i bëri pas takimit bilateral me ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi.

"Kemi diskutuar çështjen, substancën, e cila ishte e pashmangshme, por besoj edhe e dobishme, por atë që do të shohim nesër në terren, nuk e di...kur kemi kamionë në pritje...", tha ai, duke iu referuar bllokimit të qarkullimit të kamionëve me mallra serbe në kufi me Kosovën.

Lidhur me zgjidhjen e situatës në Kosovë, Vuçiq ka thënë se ka frikë se “çdo gjë ka shkuar shumë larg”.

"Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë kyqe, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta detyrojnë deri në këtë moment", tha tutje Vuçiq.

Ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi kanë zhvilluar të enjten takime të ndara bilaterale, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, Borell dhe Lajçak janë takuar sërish me kryeministrin e Kosovës, Kurtin.

Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë takim i përbashkët mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Vuçiq gjatë një konference për media ka thënë se nuk do të takohet me Kurtin sepse nuk "sheh arsye për këtë".

Më herët, Borell kishte shkruar në Twitter se "idetë konstruktive dhe gatishmëria për kompromis janë ato që nevojiten për të adresuar krizën e vazhdueshme në veriun e Kosovës".

Kurti dhe Vuçiq takohen ndaras me Borrellin dhe Lajçakun

Ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë- Serbi kanë zhvilluar të enjten takime të ndara bilaterale, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, takimi i përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe ndërmjetësuesit të dialogut, Miroslav Lajçak me Vuçiqin ka përfunduar.

Ndërkaq pritet që Borell dhe Lajçak të takohen sërish me kryeministrin e Kosovës, Kurtin.

Më herët, Borell kishte shkruar në Twitter se "Idetë konstruktive dhe gatishmëria për kompromis janë ato që nevojiten për të adresuar krizën e vazhdueshme në veriun e Kosovës".

"Nga palët pritet ulja e tensioneve dhe përmbushja e obligimeve të tyre, pa parakushte", ka shkruar Borrell në rrjetin social Twitter, pas përfundimit të takimit me shefin e ekzekutivit kosovar, dhe në nisje të takimit me udhëheqësin serb.

Më herët, Borrell ka shkruar se "situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Synojmë të gjejmë zgjidhje për deeskalim të menjëhershëm dhe një rrugë përpara".

Në paraditen e së enjtes, Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian ka thënë se Borrell dhe Lajçak "do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave" me Kurtin dhe Vuçiqin.

Takimet në Bruksel me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut, Kurti, dhe Vuçiq, me zyrtarët e lartë evropianë.

Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, në një konferencë për shtyp, të enjten, nuk ka treguar saktësisht se a do të ketë apo jo takim trepalësh.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët, gjatë 22 qershorit, ka thënë se të enjten do të takohet me Borrellin, por jo edhe me Kurtin.

Pas takimeve është paralajmëruar që Borrell të prononcohet për mediat.

Në anën tjetër, Kurti ka thënë se në takimin e Brukselit do të insistojë për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.

Tre policë kufitarë të Kosovës janë arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor. Autoritetet serbe thonë se ata janë arrestuar thellë në territorin e Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e Kosovës theksojnë se tre policët kosovarë janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.

Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar para ndërtesave komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve. SHBA-ja po ashtu ka inkurajuar Kurtin që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veritë kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative.

Kurti, ndërkaq, ka paraqitur një plan prej pesë pikash.

Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri

Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët

Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës

Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.

Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri

Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave

Plani i Kurtit parasheh edhe mbajtjen e zgjedhje. Megjithatë, ai ka thënë se për t’u mbajtur zgjedhje të lira në veri, nevojitet shtet ligjor.

Borrell në takim me Vuçiqin, kërkon kompromise për të shtensionuar krizën në Veri

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka njoftuar për takimin që është duke zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai tha se pritet që Kosova dhe Serbia t’i ulin tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre.

“Ide konstruktive dhe gatishmëri për kompromis nevojiten për të adresuar krizën e vazhdueshme në veri të Kosovës. Palët pritet të ulin tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre pa parakushte. Takimi me Presidentin e Serbisë ka filluar”, ka shkruar Borrell në Twiter.

Borrell më herët njoftoi edhe për takimin me Kurtin.

“Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe për rrugën përpara. Takimi me kryeministrin Albin Kurti ka filluar”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Gjatë ditës, zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, në një konferenë për media nuk u përgjigj nëse do të ketë takime edhe trilaterale mes kryeministrit Kurtit, presidentit serb Vuçiq dhe ndërmjetësve.

Pas Kurtit, Borelli dhe Lajçaku takojnë Vuçiqin

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë nisur takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Pas takimeve që po zhvillohen në Bruksel, pritet të mbahet një konferencë për media në lidhje me përmbajtjen e diskutimeve.

Kujtojmë se këto takime po zhvillohen në mënyrë që të gjendet një zgjidhje që do të kontribuojë në qetësimin e situatës në veri të Kosovës.

Borrell në nisje të takimit me Kurtin, vjen me një deklaratë publike

Në Bruksel ka filluar takimi bilateral i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borell.

Fillimin e takimit me Kurtin e ka konfirmuar edhe Josep Borell në Twitter.

“Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar.

Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për deeskalim të menjëhershëm dhe një rrugë përpara”, ka shkruar ai.

Pas takimit me Kurtin, Borrell pritet të bisedojë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

 

Fillon takimi Kurti – Borrell

Ka filluar takimi bilateral i kryeministrit Albin Kurti me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, merr vesh Radio Evropa e Lirë.

Më herët, Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian tha se “përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.

Takimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut, Albin Kurti, dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësit evropianë të dialogut.

Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, në një konferencë për shtyp të enjten nuk ka treguar saktësisht se a do të ketë apo jo takim trepalësh.

“Unë nuk kam thënë se nuk do të ketë takim mes tyre. Me rëndësi është se ata sot do të jenë në Bruksel, me ftesë të përfaqësuesit të lartë. Të shohim se si do të shkojnë takimet, e pastaj mund të dimë më shumë”, është përgjigjur Massrali, në pyetjen se a do të ketë pasoja për ata që refuzojnë të takohen.

“Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e rrugëdaljes për uljen e tensioneve të tashme, në mënyrë që [palët] të kthehen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, në veçanti të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Pas takimeve është paralajmëruar që Borrell të prononcohet për mediat.

Kurti dhe Vuçiq e kishin konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga Borrelli.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët gjatë 22 qershorit tha se të enjten do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.

“Biseda me të [Kurtin] nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për [Adem] Demaçin, pak për [Karl] Marx”, tha Vuçiq.

Një ditë më parë, Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Brukselit.

Ai tha se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale.

“Kam ftuar liderin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe atë të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel për takime urgjente për të gjetur një mënyrë për të dalë nga kriza aktuale. Na duhet shtensionim i menjëhershëm i situatës dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Këto janë parësore për rajonin dhe BE-në”, shkroi ai në Twitter.

Këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar për situatën në veri të Kosovës me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Të dy zyrtarët perëndimorë kërkuan shtensionimin e situatës në Kosovë.

Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar para ndërtesave komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Kurti, ndërkaq, ka paraqitur një plan prej pesë pikash.

Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri

Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët

Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës

Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.

Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri

Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave

Plani i Kurtit parasheh edhe mbajtjen e zgjedhje. Megjithatë, ai ka thënë se për t’u mbajtur zgjedhje të lira në veri, nevojitet shtet ligjor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat