Varrosen nëna dhe djali që humbën jetën nga përmbytjet në Pejë

Aktuale

Varrosen nëna dhe djali që humbën jetën nga përmbytjet në Pejë

Më: 26 qershor 2023 Në ora: 16:49
Foto nga vendi i ngjarjes

Familjarë, miq, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë, kanë qenë të pranishëm në varrimin e dy viktimave nga Peja, të cilët vdiqën si pasojë e përmbytjeve nga vërshimet në këtë qytet.

Në emër të presidentes Vjosa Osmani, ngushëllime familjarëve u ka shprehur këshilltari ushtarak i saj, gjeneral Sefer Isufi.

Isufi: Lajmi për vdekjen e Mirsada dhe Dion Ademaj ka prekur thellë zemrat e secilit qytetar të Kosovës

"Me dhimbje të madhe kam përgjegjësinë e lartë që në emër të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu të ju lexoj telegramin e ngushëllimit të adresuar nga Presidentja Osmani. Jam thellësisht e tronditur nga lajmi për ndarjen tragjike nga jeta e më të dashurve tuaj, Mirsada Ademaj dhe birit të saj, Dionit. Lajmi për vdekjen e tyre si pasojë e të reshurave të mëdha të shiut dhe vërshimeve e kanë prekur thellë në zemër secilin qytetar të Kosovës", tha Isufi.

Ndërsa Komuna e Pejës i ka pezulluar të gjitha aktivitetet duke e shpallur sot ditë zie, në nderim të viktimave.

Dy anëtarët e familjes Ademaj nuk arritën t’u shpëtojnë përmbytjeve natën e 24 qershorit kur qyteti i Pejës u përball me vërshime si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat